Punëtorët në Kinë të rrezikuar nga lodrat e rrezikshme
24 Gusht 2007Pas tërheqjes nga tregu të rreth një milion lodrave të rrezikshme për shëndetin nga kompania më e madhe e lodrave në SHBA Mattel, njoftime të ngjashme janë bërë edhe nga BE për tregun europian. Ende pa dalë nga hijet e skandalit të ushqimeve të pasigurta që shpërtheu në fillim të vitit Kina po përmballet tani me skandalin e lodrave të pasigurta. Ndërkohë që mediet europiane trajtojnë krizën e besimit ndaj prodhimeve "made in China", një organizatë njujorkeze për të drejtat e punës në Kinë e trajton problemin nga një tjetër perspektivë. Në një raport të publikuar së fundi nga kjo organizatë tregohet se punëtorët në industrinë gjigande të lodrave në Kinë vuajnë nga mungesa e sigurisë në prodhim. Pjesa më e madhe e këtyre punëtorëve nuk kanë as mjetet mbrojtëse bazë kur merren me lyerjen e produkteve, si p.sh. maska apo doreza. Ata nuk janë as në dijeni të faktit që mund të jenë të ekspozuar me kimikate të dëmshme.
Shefi i zyrës për të drejtat e punës në Kinë Li Qiang thotë:"Prodhuesit i heqin shenjat paralajmëruese nga ambalazhet e kimikateve që përdoren në fabrikat e tyre. Punëtorët nuk e dinë se shëndeti i tyre mund të dëmtohet. Shumë prej tyre sëmuren në punë. tTani konsumatorët perëndimorë po ankohen se fëmijët e tyre mund të dëmtohen nga lodrat kineze. Fakt është që gjatë prodhimit të tyre dhjetëra mijëra punëtorë kinezë kanë qenë të ekspozuar ndaj këtij rreziku. Në provincën Guangdong çdo vit më shumë se dhjetë mijë punëtorë humbasin gishtat e duarve. Eshtë e tmerrshme!"
Raporti i organizatës njujorkeze vjen pas tetë muajsh hetimesh në 26 fabrika lodrash në provincën kineze Guangdong. Shefi i zyrës së kësaj organizate, Li Qiang, thotë se këto kushte pune janë rezultat i grykësisë së prodhuesve dhe importuesve ndërkombëtarë të lodrave. Li thotë se kompanitë e mëdha perëndimore të lodrave janë të parat që duhen kritikuar. Ato përfitojnë nga konkurrenca e ashpër mes prodhuesve kinezë për të ulur çmimin. Kjo bën që indirekt të ulet kostoja e krahut të punës për të rritur fitimet.
Tani është e vështirë që çmimi i krahut të punës të ulet dhe më tej por kompanitë e lodrave vazhdojnë të ushtrojnë presion. Ndërkohë që monedha kineze është vlerësuar ndaj dollarit amerikan duke çuar kështu në shtrenjtimin e eksporteve, disa prodhues në Kinë kanë filluar të luajnë me kostot e materialeve. Zoti Li thotë: "Këto kompani janë të interesuara vetëm të bëjnë sa më shumë para. Ato vazhdojnë të ushtrojnë presion për uljen e çmimeve. Por tani që çmimi i krahut të punës nuk mund të ulet më tej, prodhuesit po shkurtojnë kostot e materialeve duke përdorur materiale të dobëta."
Në raportin e organizatës për të drejtat e punës në Kinë përmenden emra të kompanive të mëdha si Disney apo Hasbro. Zoti Li thotë se zyra e tij ka kontaktuar këto kompani për t'i sensibilizuar ndaj kushteve të punës së punëtorëve në fabrikat e lodrave në Kinë. Përmirësime të dukshme megjithatë nuk ka patur. Sipas Li kompanitë perëndimore janë të interesuara vetëm për shitjen e lodrave por jo për mënyrën si ato prodhohen. Skandali i javëve të fundit ndoshta do të shkaktojë një bojkot të përkohshëm të produkteve kineze por problemi do të mbetet. Kina është një eksportues i lirë. Si puna ashtu edhe burimet kanë kosto të ulët. Tani kompanitë perëndimore po flasin për transferimin e bazës prodhuese në Indi. Por me çmimet që ofrohen aktalisht problemi i sigurisë së produkteve vetëm sa do të zhvendoset në Indi.
Kina është ekportuesi më i madh i lodrave. Industria e lodrave punëson rreth tre milionë punëtorë. 80 për qind e lodrave të shitura në SHBA janë të prodhuara në Kinë.