Histori muzike
22 Tetor 2012"Për mua një shkopi i mirë dirigjenti nuk duhet të ndihet fare", kështu e përshkruan Simone Young veglën që përdor. Dirigjentja dhe drejtoresha e Operës së Hamburgut hipën mbi stol dhe fillon të drejtojë Sinfoninë e ringjalljes së Gustav Mahlerit. Shkopin e dirigjentit ajo e mban si një shigjetë prej puple. Me të shpon dhe godet ajrin, për ta bërë tingullin të kërcejë. Një vegël, që kushton disa euro dhe vjen nga Markneukirchen. Punishtja e vetme evropianë për prodhmin e shkopit të dirigjentit, është ROHEMA, shkurtimi për: Robert Hellinger Markneukirchen.
Punishtja e vogël ndodhet në zonën malore që kufizon Bavarinë, Tyringenin dhe Çekinë. Këtu ka shumë pluhur dhe zhurmë ndërkohë që akset e makinave të vogla rrotullohen me shpejtësi të madhe. Në to janë vendosur copa druri të mëdha sa doreza e fshesës, të cilat zdruktohen me dorë. Një punë e komplikuar, sidomos kur copat e holluara të drurit fillojnë të rrotullohen me shpejtësi. "Duhet pasur shumë kujdes, sepse shkopinjtë e hollë nuk duhet të këputen gjatë prodhimit," thotë Andreas Hellinger, një nga drejtuesit e biznesit të ndërmarrjes familjare prej 13 vetësh. Ai prodhon shkopinj dirigjenti që prej 35 vjetësh. Për prodhimin e një shkopi atij i duhen shtatë deri tetë minuta.
Pas lëmimit të shufrave, bëhen dorezat dhe vendosen. Pastaj shkopi i dirigjentit stampohet, lyhet me llak dhe i vihet stampa. Në fund ai niset për udhëtim tek dirigjentët në Japoni, SHBA, Kinë dhe Australi, dhe në gati gjithë vendet evropiane.
Mirë prej përvojës
Prodhuesi i shkopit të dirigjentit është sipërmarrje familjare prej pesë brezash. Që nga Perandoria deri në RDGJ, ndërmarrja i ka përballuar të gjitha trazirat politike. Punishtja është themeluar më 1888 nga Robert Eduard Hellinger. Markneukirchen-i i Saksonisë ka qenë në arë kohë vend ku prodhohej muzikë. Aty kishte shumë orkestra, kështu që prodhimi i shkopinjve të dirigjentit ishte i nevojshëm. Drejtuesi aktual është stërnipi Matthias Hellinger-it, një mjeshtër që punon ngadalë dhe qetë. Në duart e tij të forta ai mban një kuti të mbuluar me mëndafsh, brenda saj ndodhet një shkop dirigjenti.
Një dhuratë nga shtëpia ROHEMA, një nga "shkopinjtë e dirigjentit" të hershëm, të prodhuar në Markneukirchen. Ai përbëhet nga dru i zi, në fund të të cilës ndodhet një kokë prej qelibari, koka e kompozitorit Richard Wagner. Një mjet jo komod, aq i rëndë saqë Matthias Hellinger supozon se nëse një dirigjent e ka përdorur, ka pasur menjëherë dhimbje muskujsh. Në kohën e Perandorisë ai ka kushtuar rreth 210 marka- një pasuri e tërë.
Të gjithë duan shkopinj nga Saksonia
Sot, një shkop dirigjenti kushton gati pesë euro. Shkopi me modelin Mozart përbëhet nga nga dru natyror, është gati një gjysëm metri i gjatë dhe pa dorezë. Varianti më i lehtë të kujton shkopinjtë Mikado. Modelet e veçanta ndryshojnë në gjerësi dhe gjatësi, në dorezë dhe në pikën e balancimit, si dhe nga materiali përbërës. Shkopinjtë e përbërë nga dru natyror, karbon dhe fibra xhami peshojnë nga 4 deri në 10 gram. Ndryshimin më të madh e përbëjnë dorezat. Ato janë herë ovale, herë cilindrike dhe herë sferike, përbëhen nga dru, tapë ose gomë. Më e mira është modeli Maestro. Ai përbëht nga dorezë me dru dhe është e pajisur me një veshje alumini.
Matthias Hellinger buzëqesh. Ai është krenar që edhe dirigjentët më të mirë përdorin vegla të prodhuara nga punishtja e tij. Mes tyre dirigjentë si Zubin Mehta ose Daniel Barenboim, drejtorin e Operës shtetërore të Berlinit.
"Ai ka një model standart prej nesh", tregon Matthias Hellinger. "Strauss"-i ka perimetër 6 milimetra dhe një dorezë tape të gjatë, me gjatësi të pazakontë, 43 centimetra në vend të 45 centimetrave të zakonshme.
Ëndërra
Një nga kërkesat më të pazakonta të historisë së firmës ka ardhur nga SHBA. Një koncern amerikan për prodhimin e programeve kompjuterike pati porositur një sasi të madhe shkopinjsh dirigjenti për manaxhementin. Ato duheshin prodhuar në kohë rekord. "Një biznes i mirë,"thotë 30 vjeçari Maik Hellinger, që është përgjegjës për marketingun në ndërmarrjen familjare. Ndërmarrja nuk mund të mbijetojë vetëm me prodhimin e shkopinjve të dirigjentit, prodhimi i tyre përbën vetëm 5 përqind të volumit të përgjithshëm. Biznesin më të madh e përbën prodhimi i Drumsticks-ave si dhe kompleteve për Percussion-in si dhe instrumentave ritmikë për fëmijë.
Megjithatë pasioni më i madh është në shkopinjtë e dirigjentit. Dëshira më e madhe e Matthias Hellinger-it është që punishrja e tij të vizitohet nga klienti më prominent, dirigjenti Daniel Barenboim.
Autor: Christopher Richter/Aida Cama
Redaktoi: Auron Dodi