Problemet e mëdha të Dodikut - tani kërkon referendum
7 Gusht 2025Nga referendumi në referendum, nga konstatimet e Asamblesë Kombëtare e deri tek ligjet e Bosnjë-Hercegovinës (B-H) dhe Republikës Srpska(RS) - problemet e Dodikut po shtohen.
Në vitit 2016 është mbajtur një referendum, por rezultatet nuk u zbatuan kurrë në tërësi. E tani flitet për një referendum tjetër, për shkak të vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor të B-H për t'i hequr Dodikut mandatin presidencial. Milorad Dodik nuk planifikon të tërhiqet.
"Unë jam këtu dhe do të qëndroj këtu. Nuk kam ndërmend të largohem. Kam një detyrim që populli ma dha. Do t'i mposht ata me armën e tyre - me politikë", tha Dodik. Por pyetja në referendum do të jetë e tillë që ajo nga serbët nuk mund të refuzohet në fakt: "A duhet të biem dakord për rrëzimin e Kushtetutës së Republikës Srpska". Pra nuk përmendet Dodiku në pyetje, por Kushtetuta e RS.
Pagesa e dënimit me burg
Se kur do të mbahet referendumi ende nuk dihet. Asambleja Kombëtare do të vendosë për këtë në fundjavë. Përveç përcaktimit të referendumit, në rend dite janë edhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me vendimet e institucioneve gjyqësore të B-H, që dënuan Dodikun me një vit burg dhe një ndalim gjashtëvjeçar të aktivitetit politik.
Dodik ka dërguar ndërkohë një kërkesë që pjesa e parë e dënimit me burg, të zëvendësohet me një pagesë prej 36,500 marka, që i bie 100 marka në ditë. Shumica e analistëve thonë se kjo nënkupton se Dodiku i ka njohur vendimet e Gjykatës.
Nga ana tjetër, pas vendimit të KQZ-së për revokimin e mandatit të tij si president, hapen shumë çështje që nuk përcaktohen në Kushtetutë.
E para është zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme pas një vendimi të tillë. Kushtetuta e RS përcakton që mandati i presidentit përfundon në rast të dorëheqjes ose shkarkimit, por jo në rast të shkarkimit nga KQZ. Edhe në rast të mbajtjes së zgjedhjeve pritet thellim i krizës në RS.
Referendum pa fuqi ligjore
Republika Srpska miratoi Ligjin e saj Zgjedhor vitin e kaluar, i cili përcakton që zgjedhjet e ardhshme në territorin e RS do të organizohen dhe mbahen sipas ligjit të entitetit.
Sipas këtij ligji, roli i KQZ të B-H në Republikën Srpska zëvendësohet nga KQZ i RS. Por Gjykata Kushtetuese e B-H e ka anuluar këtë ligj, sepse është në kundërshtim me ligjet e B-H.
Shumë analistë besojnë se as referendumi nuk do të ketë ndonjë fuqi të madhe ligjore. Hapësira e veprimit të Dodikut është ngushtuar. Partia e tij i ka ofruar opozitës një qeveri të unitetit kombëtar dhe i ka kaluar një pjesë të madhe të përgjegjësisë edhe opozitës.
Dodiku, privilegjet dhe reagimet në Serbi, Rusi...
Vendimi për revokimin e mandatit të Dodikut u prit mirë nga korpusi politik boshnjak. Këtë vendim e ka mbështetur edhe ministri i Jashtëm i B-H Elmedin Konakoviq. Personave të caktuar u janë hequr menjëherë edhe privilegjet për përdorimin e makinave, këshilltarët etj.
Vendimi për t'i hequr mandatin Dodikut është mirëpritur në Federatë. Ndrësa në Serbi është kritikuar si vazhdim i persekutimit politik. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka mbështetur Dodikun. Zëvendëskryeministri serb Ivica Daçiq thotë, se kjo është goditja më e madhe politike për popullin serb në RS që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit. Populli serb, thotë Daçiq, nuk do të heshtë përballë padrejtësisë.
Mbështetje ndaj Dodikut ka ardhur deri tani nga Serbia dhe Hungaria. Kryeministri Viktor Orbán tha, se Dodiku u dënua sepse "refuzon të luajë lojën që luan Brukseli". Orbán thotë, se Hungaria refuzon të pranojë vendimin e Gjykatës. Edhe Ambasada ruse në B-H e hodhi poshtë vendimin.
Mbështetje pro Dodikun ka ardhur edhe nga partnerët e koalicionit të Dodikut, DNS dhe NPS.
Qëndrimet e opozitës
Opozita beson se "epoka e Milorad Dodikut ka mbaruar", megjithëse pjesa formale e procesit të apelimit mbetet. Pas kësaj periudhe, KQZ do të shpallë zgjedhje të parakohshme.
Si do të mbahen ato dhe nëse do të ketë rezistencë nga RS gjatë zbatimit të këtyre zgjedhjeve mbetet të shihet. Por e gjitha kjo mund të shkaktojë edhe rritjen e tensioneve në RS dhe B-H.
Sidoqoftë, Milorad Dodiku nuk është presidenti i parë i RS, të cilit i ndalohet aktiviteti politik. Përfaqësuesi i Lartë në B-H, Carlos Westendorfvka, pati shkarkuar Presidentin e atëhershëm Nikola Poplashen, në vitin 1999.
Kryeministri që dha dorëheqjen në atë kohë ishte Milorad Dodik, i cili e mbështeti shkarkimin e Poplashenit. Dodik asokohe ishte në një linjë me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, por tani situata qëndron krejt ndryshe.