Prishtinë: Protesta kundër Gjykatës Speciale
7 Gusht 2025Mijëra qytetarë nga të gjitha rajonet e Kosovës, por dhe më gjerë, protestuan të enjten në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale në Hagë, e cila sipas organizatorëve "po deformon historinë e Kosovës”. Protestuesit e cilësuan atë gjykatë si "kundër UÇK-së dhe kundër Kosovës". Motoja e protestës ishte, “Kundër padrejtësisë! Në mbrojtje të UÇK-së dhe së vërtetës”.
Protesta u organizua nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OLV) dhe u mbështet edhe nga të gjitha subjektet politike opozitare të deritashme dhe shumë kryetarë të komunave të Kosovës. Nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila kur është votuar Gjykata Speciale në Parlamentin e Kosovës ishte kundër, thanë se protesta e sotme është 10 vjet e vonuar.
Akuza për anshmëri
Në Gjykatën Speciale në Hagëpo gjykohen krerët e ish-UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Njëri nga organizatorët e protesës Hysni Gucati nga OVL e UÇK-së tha para të pranishmëve se protestuesit kërkojnë “që për të akuzuarit nga Gjykata në Hagëtë ketë drejtësi dhe jo padrejtësi". Sipas tij, “Gjykata Speciale është e njëanshme dhe se po tenton ta zhvendosë fajin nga pushtuesit te çlirimtarët".
Po ashtu, sipas tij, “drejtësia selektive prodhon padrejtësi” dhe ai akuzoi Gjykatën Speciale që “po përhap narrativën e rreme se Kosova është çliruar nga kriminelët”, duke vënë në pah se “Kosova është çliruar nga UÇK-ja, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja”.
Tromp: Drejtësia e vonuar, drejtësi e mohuar
Në protestë pos folësve të shumtë të pranishmëve iu drejtua edhe Nevenka Tromp, e cila për një dekadë ka qenë hulumtuese e Tribunalit të Hagëspër krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Ajo e nisi fjalimin me sloganin “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Sipas saj ky slogan nuk është thjesht slogan, “por realiteti i dhimbshëm që ju po përballeni prej vitesh e që drejtësia të pranohet, ajo duhet të ketë legjitimitet”.
“Gjykatat duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, pastaj rrezikon të jetë padrejtësi”, tha Tromp, duke rikujtuar se ish-krerët e UÇK-së shkuan vullnetarisht në Hagë, pasi, siç tha, “besuan se do të ketë drejtësi”.
“Këta udhëheqës ishin ata që e mbështetën krijimin e kësaj gjykate. E bënë këtë, duke e ditur rrezikun që kanosej ndaj të gjithë luftëtarëve. Sepse ata besuan në drejtësinë e kauzës së tyre”, tha Tromp.
Protestuesve iu drejtua edhe Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik nga Maqedonia e Veriut, që ka qenë pjesë e UÇK-së gjatë luftës. Ai kërkoi nga përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që janë në Këshillin e Evropës që, “të kërkojnë rishikimin e rezolutës, mbi pretendimet e të cilës u krijua Gjykata Speciale”, e që ishte trafikimi i organeve, dhe që tash nuk ka ndonjë aktakuzë të ngritur mbi këtë bazë.
Akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit
Në Dhomat e Specializuara, apo siç njihet në opinion Gjykata Speciale, po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së: ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza e prokurorisë ndaj tyre përfshin “vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave”. Në aktakuzë thuhet se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së “ishin pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale që kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Të gjitha këto akuza janë hedhur poshtë nga ish-krerët e UÇK-së dhe mbrojtja e tyre.
Prova nga institucionet e Serbisë
Një javë më parë, ministrja në detyrë e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ngriti në publik shqetësimin se “është njoftuar se Gjykata Speciale ka pranuar si prova materiale disa dokumente të dorëzuara nga institucionet e Serbisë”, duke përmendur Departamentin e Sigurisë Shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të ashtuquajturën “Komandë për Kosovën dhe Metohinë”.
“Ky zhvillim është thellësisht i papranueshëm. Pranimi i materialeve të prodhuara nga Serbia si burim i besueshëm përbën deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri”, tha Haxhiu, duke ngritur “dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë gjyqtarëve të rastit”.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha dy ditë më parë se “është shqetësuese që cilado gjykatë që është formuar nga Kosova, që e ka detyrim ligjor që të funksionojë sipas sistemit juridik të Kosovës, të pranojë prova nga Serbia”.
Mbrojtja në fillim të shtatorit
Krerët e ish-UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi që nga nëntori i vitit 2020 ndodhen në paraburgim në Hagë. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thirrur në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale. Pala mbrojtëse e ish-krerëve të UÇK-së ka paraqitur ankesa se Gjykata u ka dhënë pak kohë për përgatitjen e mbrojtjes.
Megjithatë pala mbrojtëse pritet të thërrasë dëshmitarët e saj dhe të paraqesë rastin në fillim të shtatorit. Dhomat e Specializuara, apo siç njihet në opinion Gjykata Speciale, u themelua nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015. Kjo Gjykatë është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por financohet nga Bashkimi Evropian. Selinë e ka në Hagë dhe vepron me personel tërësisht ndërkombëtar. Sipas statusit të saj, Gjykata Speciale heton vetëm krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.