Prishtinë: Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
2 Qershor 202545 delegacione nga mbarë bota, ndër ta presidentë, ministra, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe aktivistë të shoqërisë civile, po marrin pjesë në konferencën dyditore.
Ky forum ndërkombëtar, që mbahet nën kujdestarinë e Presidentes së Kosovës, është kthyer në një platformë të fuqishme dialogu dhe bashkëpunimi, që synon të forcojë rolin e grave në proceset vendimmarrëse.
"Në kohën më të vështirë të vendit, kanë qenë gratë e këtij shteti që kanë mbajtur zemrat tona bashkë. Ato kurrë nuk kanë pranuar të shihen si viktima, por si ndërtuese të paqes. Nuk kanë menduar vetëm për lirinë tonë, por edhe për drejtësinë, dinjitetin dhe të ardhmen që ia vlen të jetohet. Ato po vazhdojnë ta bëjnë këtë çdo ditë, edhe sot”, tha Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Gratë si ndërtuese të paqes
Presidentja Vjosa Osmani, në edicionin e tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka paraqitur gratë dhe vajzat shqiptare si ndërtuese të paqes në etapa të ndryshme kohore, teksa ka bërë thirrje për paqe të përgjithshme në gjithë botën, si e vetmja rrugëdalje.
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë edicionit të tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave si themel për paqen dhe zhvillimin demokratik. Spiropali tha se Shqipëria po vazhdon angazhimin përmes Planit Kombëtar të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
"Dhe më lejoni të jem e qartë: angazhimi ynë nuk përfundoi me mandatin tonë në Këshillin e Sigurimit. Shqipëria vazhdon të forcojë zbatimin kombëtar të agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përfshirë Planin Kombëtar të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili tashmë është në fazën e tij të dytë. Ne po investojmë në arsim, në mundësi ekonomike, në trajnime për lidership, sepse siguria nuk ka të bëjë vetëm me kufijtë — ajo ka të bëjë me dinjitetin, mundësinë dhe drejtësinë në çdo shtëpi dhe çdo fshat”, tha Spiropali.
Përkushtim për agjendën për gratë
Organizatorja e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përcolli mesazhin nga forumi se Kosova rikonfirmon përkushtimin për çuarjen përpara të agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë, duke e vendosur veten si shembull në rajon dhe më gjerë për nisma që në fokus kanë fuqizimin e grave.