Prishtina reagon ndaj deklaratave se pavarësia nuk ndodhet në axhendë
18 Shtator 2007Udhëheqësi i grupit negociator të Kosovës Presidenti Fatmir Sejdiu, tha se pavarësia e Kosovës është në axhendën ndërkombëtare të procesit të zgjidhjes së statusit dhe këtë qëndrim Prishtina zyrtare do ta mbrojë deri në fund. Ai tha se treshja e Grupit të Kontaktit nuk ka mandat të hedhë ide për zgjidhjen e statusit por, vetëm të dëgjojë qëndrimet e palëve, të Prishtinës dhe Beogradit dhe në fund të procesit të bisedave shtesë të raportojë tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, me 10 dhjetor.
Në këtë mënyrë presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, i përgjigjet një deklarate të përfaqësuesit të BE-së, në
bisedimet shtesë, Volfgang Ischinger, i cili ka thënë se pavarësia e Kosovës nuk është në tryezën e bisedimeve. Ambasadori Volfgang Ischinger, thuhet t’i ketë deklaruar gazetës londineze “Independent”, citoj, “do të përpiqemi që të vijmë deri te një zgjidhje statusore e cila do të nënkuptonte një mbikqyrje të fortë ndërkombëtare mbi Kosovën, duke e lënë çështjen e statusit përfundimtar si një cështje të hapur."
Grupi Negociator i Kosovës takohet nesër me Grupin e Kontaktit
Në këtë kuadër presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë se treshja e Grupit të kontaktit nuk ka mandat të bëjë propozime për statusin e Kosovës, sepse misioni i saj është vetëm të dëgjojë qëndrimet e palëve, të Prishtinës dhe Beogradit. Sidoqoftë, anëtarët e grupit negociator të Kosovës, udhëtuan për në Londër ku të mërkurën do të takojnë treshen e Grupit të Kontaktit. Në këtë takim pala kosovare do të paraqesë një dokument “traktat”, me të cilin synohet rregullimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në të ardhmen. Me këtë hap Prishtina zyrtare tenton që procesi i bisedave shtesë për zgjidhjen e statusit të vendoset në rrafshin se statusi i Kosovës është i penegociueshëm ndërsa, pala kosovare është e gatshme të bisedojë për çështje pas zgjidhjes së statusit.