Presidenti rumun Iohannis jep dorëheqjen
10 Shkurt 2025Të martën, kreun e shtetit rumun Klaus Iohannis e kërcënonte procedura e shkarkimit në parlament - me nxitjen e partive opozitare të ekstremit të djathtë.
"Për të shmangur një krizë për Rumaninë dhe qytetarët rumunë, unë do të jap dorëheqjen nga posti im," tha Presidenti Klaus Iohannis në një fjalim në kryeqytetin Bukuresht. Dorëheqja e tij pritet të bëhet të mërkurën. Presidenti i Senatit Ilie Bolojan do të marrë përkohësisht rolin e kreut të shtetit.
Pas anulimit të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, pati kritika për vazhdimin e qëndrimit të Iohannis. Në fakt, mandati i dytë dhe i fundit i këtij politikani proevropian ka skaduar më 21 dhjetor. Iohannis atëherë kishte deklaruar se donte të qëndronte në detyrë derisa të zgjidhej pasardhësi i tij.
Kërkesë për procedurë largimi nga posti
Në janar, tre grupe të opozitës së ekstremit të djathtë në parlament, të cilat mbajnë rreth 35 përqind të vendeve, paraqitën një kërkesë për nisjen e procedurës për largim nga posti të Iohannis. Presidenti Iohannis konsiderohet shumë jopopullor dhe vëzhguesit nuk e kanë përjashtuar që deputetë nga partitë proevropiane t'i japin mocionit të ekstremit të djathtë shumicën e nevojshme të martën.
Rumania, anëtare e BE-së dhe NATO-s, u zhyt në kaos politik në muajt e fundit të vitit të kaluar. Për shkak të dyshimeve për ndërhyrje ruse, Gjykata Kushtetuese rumune kishte shpallur të pavlefshme raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 24 nëntor, pak para raundit të dytë të planifikuar për 8 dhjetor, dhe urdhëroi zgjedhje të reja.
Fituesi i papritur ishte Calin Georgescu, 62 vjeç, një kandidat pak i njohur i së djathtës ekstreme, i konsideruar si prorus. Deri në zgjedhje, ai mbrojti daljen e vendit nga Bashkimi Evropian dhe NATO. Ai është një mbështetës i madh i mediave sociale si TikTok. Në arsyetimin e saj, gjykata ndër të tjera theksoi se votuesit ishin manipuluar gjatë raundit të parë të votimit duke i dhënë trajtim të paligjshëm preferencial një kandidati në rrjetet sociale. Georgescu kishte bërë fushatë për të kryesisht në aplikacionin TikTok.
Qeveria rumune u ankua se TikTok nuk e identifikoi Georgescu-n si politikan dhe kontributet e tij si reklama zgjedhore. Prokuroria publike ka hapur një hetim për këtë rast.
Zgjedhjet presidenciale në maj
Presidenti i ri do të zgjidhet tani në Rumani më 4 maj. Nëse asnjë nga kandidatët nuk merr më shumë se 50 për qind të votave, raundi i dytë do të mbahet më 18 maj.
Në Rumani, presidenti ka kryesisht funksione përfaqësuese. Por ai emëron edhe kreun e qeverisë. Iohannis, 65 vjeç, e ka mbajtur këtë post që nga viti 2014. Politikani properëndimor ishte përfaqësuesi i parë i pakicës gjermanishtfolëse të Rumanisë që u zgjodh kryetar i shtetit.
aud(dw/afp, ap, rtr, dpa)