Politik oder Finanzmärkte - Wer bestimmt?
23 Nëntor 2011Zanafilla ishte kriza financiare. Bankat humbën në "poker" dhe taksapaguesve iu desh t'i ndihmonin me shuma miliardëshe. Miliarda të cilat shteti në të vërtetë nuk i kishte. Kështu malet e borxheve u rritën në nivele të reja rekord. Si pasojë kriza financiare u kthye në një krizë borxhesh, e cila tërhoqi në vorbullën e saj ato shtete evropiane, të cilat prej vitesh menaxhonin keq financat.
Po tani? Ndërkohë që Greqia dhe Italia, Spanja, Portugalia dhe gjithnjë e më shumë edhe vende të tjera të BE-së dridhen për aftësinë e tyre paguese, kriza duket se po arrin stadin e saj të ardhshëm, ndoshta përfundimtar: "Nuk bëhet më fjalë për një krizë borxhesh shtetërore", thotë Gerd Häusler, kryetari i bordit të bankës së landit në Bavari. "Bëhet fjalë për një krizë të aftësisë reformuese të Europës." Ka detyrime në sektorin e pensioneve, të cilat nuk janë të financuara, duhen reformuar sektorë të tërë financiarë - tema të cilat në të vërtetë do të diskutoheshin vetëm pas 20 vjetësh.
Kriza e borxheve - thuajse askush nuk arrin të gjejë fillin
Por në Europë thuajse askush nuk e pranon këtë plotësisht. Diskutohet për eurobonde, pra përgjegjësi të përbashkët për borxhet shtetërore, për ombrella më të mëdha shpëtimit dhe për rolin e Bankës Qendrore Evropiane, e cila sipas vullnetit politik të pjesës më të madhe të vendeve të Eurozonës, duhet të hedhë pa kufizim para në treg.
Presidenti i shoqatës federale të Industrisë Gjermane Hans-Peter Keitel është i bindur se shumë nga aktorët në këtë krizë "thjesht nuk janë në lartësinë e duhur intelektuale", pasi ata vetë nuk e kuptojnë krizën dhe efektet e saj. Ai nuk e përjashton as veten nga ky grup. Por kjo nuk vlen për kancelaren gjermane Angela Merkel: "Sipas mendimit tim ajo është nga të paktët, që ka aftësinë e nevojshme për të marrë pjesë në diskutimin teknik në Europë."
Kaq shumë lëvdata në kohën e krizës, kjo është e re për kancelaren. Deri tani ajo është akuzuar se ngurron shumë, se Gjermania nuk po merr si duhet rolin udhëheqës në Evropë dhe se masat si ombrella e shpëtimit erdhën shumë vonë, e nuk patën efektin e duhur.
Por kohët e fundit Merkel përfaqëson në krizë një pozicion të ndryshuar: nëse politika beson se kriza mund të zgjidhet duke rritur borxhet, atëherë gabohet.
"Një formacion politik si Bashkimi Europian, që i thotë një bote në ndryshim të shpejtë, se përpjekjen e fundit reformuese e ka ndërmarrë me traktatin e Lisbonës dhe që nuk merret më kurrë me ndryshime të bazave të tij ligjore, për mendimin tim është i humbur në tregje", thotë tani Merkel.
Korniza dhe rregulla loje - politika mund të japë formë
Kancelares gjermane i është dashur kohë ta kuptojë këtë, por kjo është legjitim, mendon Anke Hassel, profesore për ekonomi politike në "Hertie School of Governance" në Berlin: "Thuhet se politika duhet të veprojë më shpejt dhe duhet të bëjë më shumë. Por kjo do të thoshte që politika t'ia përshtaste ritmet e saj atyre të tregjeve financiare." Ndërkohë në proceset demokratike nevojitet kohë për marrjen e vendimeve të caktuara, edhe pse kjo sjell me vete ashpërsimin e problemeve.
Por çdo të ndodhë me primatin e politikës, nëse ajo vetëm i shkon pas zhvillimeve në tregjet financiare? Sipas Hessel kjo nuk përbën problem, pasi në sytë e saj politika ka një hapësirë më të madhe veprimi nga sa mendohet: politika përcakton korniza dhe u vendos rregulla loje aktorëve në tregjet financiare. Por sipas Hassel me këto rregulla duhet të pajtohen sa më shumë palë. Në rastin ideal duhej të gjenin një emërues të përbashkët vendet e G20, ose të paktën vendet e BE-së. Gjermania e vetme, sipas Hassel, nuk mund të bëjë shumë.
Pa konsensues nuk ka marrje fund të krizës
Se sa e vështirë është të caktohen rregulla të përbashkëta loje e tregon edhe zënka për futjen e një takse për transaksionet financiare. Konsensusi nuk duket se mund të arrihet as brenda Europës, pa folur fare për vendet e G20-s. Në përgjitësi politika deri tani ka bërë shumë pak për rregullimin e tregjeve financiare. Njëkohësisht europianët nuk ia kanë dalë të bindin aktorët e tregjeve, se do të vënë nën kontroll borxhet e tyre.
Në vend të kësaj vatra e zjarrit po përhapet gjithnjë e më shumë. Nëse ajo nuk do të arrihet të shuhet, politikanët nuk do të kenë më asnjë mundësi të zbatojnë reformat e tyre, thotë Beatrice Weder di Mauro. Sipas specialistes së ekonomisë pranë Këshillit të Ekspertëve të Bundestagut, shumë shpejt "problemi i likuiditetit" mund të kthehet në një "problem shlyerje".
Autor: Sabine Kinkartz / E. Xhani
Redaktoi: Angjelina Verbica