Polakë të pastrehë në Berlin
6 Shkurt 2010Për njerëzit si Arturi puna në një shtëpi të pastrehësh është si një profesion. Para 20 vjetësh ai erdhi nga Varshava në Berlin. Detyra e Arturit në shtëpinë e të pastrehëve është që të marrë njerëzit rrugëve dhe t'i çojë në shtëpinë e të pastrehëve. Njohuritë e tij të polonishtes janë këtu shumë të dobishme, sepse shumë të pastrehë në Berlin janë polakë.
“Afërsisht 40 për qind e tyre vijnë nga Polonia. Shumë nga ata vijnë për të kërkuar punë, shumë mashtrohen nga punëdhënës joseriozë. Prandaj përfundojnë nëpër rrugë dhe fillojnë alkoolin. Këta janë njerëzit që ne i ndihmojmë”, thotë Arturi.
Ndihmë pa dallim prejardhjeje
Pjesa më e madhe e polakëve të pastrehë nuk duan të kthehen në atdheun e tyre. Shumë vetëve thjesht iu vjen turp të shkojnë me duar bosh në shtëpi. Të tjerë jepen pas pijes së alkoolit. 90 për qind e të pastrehëve polakë janë burra. Gra rrallë mund të takosh. "Është e vështirë që t'u ndihmosh grave. Gratë janë ndryshe dhe shumë prej tyre kanë para së gjithash në plan të parë probleme psiqike dhe ato i mbulojnë me alkol", sqaron Arturi.
Rreth mesnatës, në shtëpinë e të pastrehëve afër stacionit të trenit në qendër të Berlinit, flenë rreth 100 persona: nëpër dyshekë në formë thesi, në tokë dhe në karrige me kokën mbi tavolinë. Një e treta e atyre që kalojnë natën këtu janë nga Polonia. Asnjëri nga ata nuk dëshiron të flasë në mikrofon. Ata nuk duan t'i njohë kush. Arturi tregon se këtu i vihet të gjithëve në ndihmë, pavarësisht prejardhjes: "Asnjëri nuk pyetet për dokumentet, ne nuk kontrollojmë, por i ndihmojmë me qëllim që asnjëri të mos ngrijë".
Ndihmën e marrë është mirë ta kthesh
Në shtëpinë e të pastrehëve ofrohet falas ushqim i ngrohtë dhe pije. Madje edhe një mjeke është në dispozicion të klientëve. Ndihmësit vullnetarë tregojnë mirëkuptim për shumë polakë, pasi dimri në vendet fqinjë këtë vit është ekstrem i ftohtë.
Ndërkaq shoferi Artur niset sërish me mikrobuzin e tij për të gjetur të pastrehë të tjerë. Ai e njeh këtë lloj fati nga përvoja e vet: “Unë isha vetë 20 vjet i varur nga droga. Në këtë gjendje erdha në Berlin. Por këtu më kanë ndihmuar besimtarët e krishterë. Unë ua di për nder besimtarëve që kam mundur ta heq këtë ves. Prej shtatë vjetësh nuk marr më drogë. Për këtë qëllim, meqë Zoti më ka ndihmuar mua, dua tani të ndihmoj të tjerët”.
Autor: Rozalia Romaniec / Mimoza Cika-Kelmendi
Redaktoi: Eliana Xhani