Berlins Image
28 Dhjetor 2011Qendra e Berlinit është gjithnjë e më e mbushur me turistë. Muaj për muaj shtohet numri i vizitorëve. Deri në fund të vitit Berlinin do të vizitojnë 9,8 milionë vetë. Në hotele kanë fjetur gati 22 milionë, ndërkohë që kjo shifër deri në vitin 2016, do të rritet në mbi 30 milionë, thuhet në studimet më të reja turistike. Në disa faqe interneti thuhet madje se Berlini mund të jetë i stërmbushur me turistë. Frika nuk është krejt e pabazë, kur shikon përvojat e Pragës apo dhe të Veneciës. Lidhur me këtë mundësi në Berlin po mendohet që tani.
Por kjo ka dhe anët pozitive. Burrat në Berlin vishen tani gjithnjë e më mirë, gjë që ka të bëjë edhe me shtimin e numrit të biznismenëve. Në rrugën Friedrichstraße, për shembull, është hapur edhe shoqata e avokatëve. Në kohën e pushimeve në rrugë dalin shumë nëpunës dhe kërkojnë ndonjë sallatë apo makarona. Në rrugë ka gjithnjë e më shumë njerëz që shtyhen për të gjetur ndonjë vend për të pirë kafe apo për të ngrënë ndonjë ushqim.
Bartësit e kravatave dhe shtëpitë e larta
Qetësia e dikurshme në Berlin më nuk ekziston. Në qendër nga të gjitha anët vërshojnë burrat me kravata apo gratë me kostume të bukura. Tani është në trend të jetosh dhe të punosh në qendër. Në drejtim të lindjes, në Alexanderplatz, do të ndërtohet objekti i parë shumëkatësh, prej 150 metrash lartësi. Në këtë pjesë do të ndërtohen gjashtë godina të këtilla, ku do të ketë zyra dhe apartamente banimi. Edhe më tej në drejtim të lindjes, po ndërtohet një lagje me zyra - ku qiramarrësi kryesor do të jetë Daimler-Benz
Hapësira po ngushtohet
Në pjesën veriore nga qendra e Berlinit vitin e ardhshëm do të hapet selia e Shërbimit Informativ Gjerman (BND) ku do të vendosen 4.000 bashkëpuntorë. Pak më larg do të ndërtohet i ashtuquajturi Europacity, me apartamente, zyra për punë dhe hotele. Hapësira po ngushtohet edhe rreth godinës së Parlamentit, ku po ndërton ministria e Arsimit.
Ndërkohë që në qendër të Berlinit - përballë ishullit të muzeve - po investon sipërmarrësi berlinez Ernst Freiberger, i cili po ndërton një kuartier luksoz dhe rezidencën e tij. Brenda pesë deri 10 vitesh në qendër do të ketë shumë më pak hapësirë.
Hijen e tyre po hedhin edhe zhvillimet e tjera. Revista e qyteit "Tip" e ka titullluar tekstin kryesor: "Revolucioni - një gjeneratë e re po e okupon qytetin. A do të jetë Berlini një Silicon Valley i ri?" Në epiqendër të bumit janë sipërmarrjet e reja, të ashtuquajturat Start-Ups, të cilat po etablohen në rrugën Torstraße.
Në Berlin ka qenë së fundi edhe themeluesi i Skype, miliarderi Niklas Zennström, i cili ka kërkuar firma të reja për investim. Në Berlin po vijnë gjithnjë e më shumë njerëz nga mbarë bota, për të punuar, tha Zennström. Sylvius Bardt, sipërmarrës dhe përfaqësues i shoqatës së teknologjisë së lartë BITKOM, mendon se Berlini ndërkohë është bërë përfaqësia kryesore e sipërmarrjeve në Gjermani, ndërsa së shpejti do t'ia tejkalojë edhe Londrës. Por ka shumë zëra që paralajmërojnë nga kjo eufori dhe rikujtojnë euforitë e mëparshme të viteve nëntëdhjetë.
Sipërmarrësit e rinj në atë kohë përpiqeshin të fitojnin shpejt e shpejt para. Tani situata ka ndryshuar, thotë sipërmarrësi Felix Petersen. Në treg paraqiten ide të reja. Dhe është shumë e mundur që në Berlin të lindë ndonjë sipërmarrje e fuqishme siç ndodhi me rastet e Appleit apo Facebookut.
Punë në vend të festimeve
Qendra e Berlinit trajtohet shpesh si një laborator i Berlinit dhe i Gjermanisë. Kjo me siguri që është e tepruar, por kur shikon 20 vitet e fundit, këto vlerësime edhe nuk janë tepër të gabuara. Politika me siguri që këtu luan një rol të rëndësishëm. Kryetari i bashkisë së Berlinit Klaus Wowereit me partnerët e rinj nga CDU-ja kanë vendosur që Berlinin ta kthejë në një qendër ekonomike dhe teknologjike. "Ne duam që Berlini të jetë më i pasur dhe të mbetet seksi", thotë ai.
Kryeqyteti ka vuajtur nga varfëria dhe papunësia e lartë. Slogani "i varfër, por seksi" duket se po kalon. Zhvillimet më të reja të çojnë në konkludim se Berlini më nuk do të jetë vetëm qytet i mbrëmjeve dhe festave, por do të punohet më shumë. Në disa qoshe janë hequr restorantet e vogla, ndërkohë që po mendohet edhe për ndalimin e alkoholit për të rinjtë. Klubet e muzikës po luftojnë për muaj të tërë me ankesat e qytetarëve. Disa prej tyre janë detyruar të ulin volumin e muzikën ose janë shpërngulur fare.
Turistët amerikanë thonë: në Berlin është shumë cool, si në Nju-Jork në vitet tetëdhjetë. Nju-Jorku sot llogaritet ndër qytetet e pasura dhe monotone. A do të ndodhë kjo edhe me Berlinin?
Autor: Kay-Alexander Scholz/Bahri Cani
Redaktoi: Elert Ajazaj