Planifikimi i familjes dhe arsimi armët më të mira në luftën kundër punës së fëmijëve
10 Qershor 2004Shifrat duken mjaft tronditëse dhe brutale: 250 milionë fëmijëve nga mosha 5 deri në 17 vjeç u duhet të derdhin djersë për të mbijetuar. Kjo është një e gjashta e fëmijëve të kësaj grupmoshe në botë. Më e keqja është, se atyre nuk u duhet të rropaten për vete, por për të rriturit: për bujqit, tregtarët, sipërmarrësit apo protektorët. Shumica e fëmijëve janë të zhveshur nga çdo e drejtë dhe shfrytëzohen si plaçkë. Ndërsa 180 milionë fëmijë, që janë të detyruar të kryejnë punë të rezikshme për jetën, konsiderohen si mall i lirë që dëmtohet shpejt, por që mund të zëvendësohet lehtë dhe në mënyrë masive.
Pamjet e fëmijëve në Indi, të cilët zhyten nëpër kanalet e bllokuara të ujrave të zeza në qytetet e mëdha për t´i pastruar apo zhbllokuar ato, apo pamjet e fëmijëve në Sambia që trupin e tyre të brishtë e shesin tek manjakët seksualë, janë pjesë e këtij realiteti të tmerrshëm. Ndërsa nga ana tjetër ekziston ishulli i mirëqenies në shtetet e pasura, ku fëmijët llastohen në luks dhe edukohen si konsumatorët e ardhshëm të mirëqenies. Numri i atyre që se kanë për gjë të merren me marka të tilla automobilësh si BMW apo Volkswagen është vazhdimisht në rritje, por kjo kurrësesi nuk është në të mirë të së ardhmes së tyre.
E pra duket se bota është e padrejtë. Në këtë mënyrë si është pështjelluar bota, me kontrastet mes të varfërve dhe të pasurve, me rritjen e popullsisë në vendet e varfëra që ka marrë përmasa rekord, dhe në një botë ku OBT (Organizata Botërore e Tregtisë) vendos kufizime për rregullimin e arësyeshëm të ekonomisë në dobi të masës së njerëzimit, apeli i Organizatës Ndërkombëtare të Punës tingëllon sa naiv aq edhe absurd. Të pasurit e shumë fëmijëve është strategjia e mbijetesës së familjes. Ndërkohë që familja është viktimë dhe njëkohësisht edhe autore e kësaj tragjedie: viktimë e një ekonomie të bllokuar dhe autore në kuptimin që familja është ajo që i përdor fëmijët, i jep ata me qera apo i shet.
Angazhimi moral i Organizatës Botërore të Punës është i kuptueshëm, por ajo nuk është në gjendje t´ia dalë mbanë, duke bërë apele që nuk dëgjohen në zonat e varfëra të botës, ku normalitet janë vetëm getot e mjerimit dhe çdo gjë tjetër është anormale. Lufta kundër shfrytëzimit të fëmijëve duhet të zhvillohet nëpërmjet programeve për planifikimin familjar në përshtatje kjo me kulturën përkatëse të vendit dhe qëllimi duhet të jetë arritja e një mase minimale arsimimi në këto vende. Këto dy aspekte janë të domosdoshme, për të ulur ofertën e fëmijëve të punës, gjë që do të çojë detyrimisht në rritjen e çmimit të tyre dhe në reduktimin e kërkesës. Vetëm kështu mund t´i hapet rruga një jete më njerëzore edhe për fëmijët që shfrytëzohen. Nga ana tjetër një planifikim i arësyeshëm i familjes do të ishte joshës për mbrojtjen në mënyrë konseguente dhe më mirë se deri më sot burimet natyrore që po pakësohen nga dita në ditë në dobi të ruajtjes së njerëzimit.