Piratët e internetit sulmojnë qeverinë gjermane
8 Janar 2015Përgjegjësinë për aktin e mori një grup me emrin "CyberBerkut". Shkas për sulmin u bë vizita e kryeministrit të Ukrainës Arsenij Jazenjuk në Berlin. "Jazenjuku shpreson të marrë kredi miliardash nga BE dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar", shkruajnë piratët e internetit në faqen e tyre. Si ka ndërmend t'i "harxhojë" këto para, kjo është e qartë: "Jazenjukut i duhen para për të zgjatur luftën dhe jo për të rimëkëmbur infrastrukturën e shkatërruar të vendit, " shkruajnë piratët. Gjermania nuk duhet ta mbështesë më "regjimin kriminel" të Kievit, kërkon "CyberBerkut."
Faqe të bllokuara
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefen Seibert e konfirmoi se faqet në internet të Zyrës Federale të Shtypit përkohësisht qenë të bllokuara. Një vërshim kërkesash masive nga jashtë pati shkaktuar kolapsin e faqeve. Më rëndë të prekura qenë faqet në internet të Bundestagut dhe të kancelares. Edhe faqja në internet e Ministrisë së Jashtme gjermane, sipas të dhënave të një zëdhënësi përkohësisht nuk funksionoi. Zyra Federale për Sigurinë në Teknikën Informative (BSI) po e shqyrton këtë incident.
Njësia speciale vazhdon të jetojë në internet
"Berkut" (shqiponjë guri) ka qenë një njësi speciale e Ministrisë së Brendshme të Ukrainës. Pasi anëtarët e njësisë Berkut vepruan me dhunë kundër demonstruesve në Kiev, kjo njësi speciale u shpërnda në shkurt 2014. Grupi prorus "CyberBerkut" përdor emblemën e ish-njësisë Berkut në krye të faqes së tij të internetit. Në këtë faqe ata ndër të tjera kundërshtojnë përzierjen e SHBA "në punët e brendshme të vendit tonë". Edhe NATO-ja ka qenë objekt i sulmeve të tyre. Se kush qendron saktësisht pas këtij grupi nuk dihet.
Jazenjuku kërkon donatorë
Vështirësitë financiare të Ukrainës janë arsyeja për vizitën e kryeministrit Jazenjuk si dhe të ministres së Financave e të ministrit të Ekonomisë së Ukrainës në Berlin. Qeveria gjermane do të bëhet garante që Ukrainës t'i jepen kredi prej 500 milionë eurosh. Por njëkohësisht, si kusht për dhënien e kësaj mbështetjeje ajo kërkoi të ketë të drejtë bashkëvendosjeje për shpenzimin e parave.