Pas largimit të Papës: Kisha Katolike sheh përpara
1 Mars 2013Pas shërbimit prej gati tetë vjetësh të Papa Benediktit të XVI-të, i cili tashmë u largua me dëshirën e vet nga posti në krye të besimtarëve katolikë, po bëhën përpjekje për zgjedhjen e një pasardhësi të tij në Vatikan.
Kardinalët e Kishës Katolike, të cilët mblidhen në Romë këtë të premte (01.03.2013) do të kërkojnë për një kandidat zyrtar për Atin e Shenjtë. Por se kur do të fillojë saktësisht zgjedhja e Papës së ri, kjo mbetet ende e hapur.
Sipas të dhënave të Vatikanit në këtë takim do të marrin pjesë 115 kardinalë. Kreu i Kolegjit të Kardinalëve, 85-vjeçari Angelo Sodano, është personi përgjegjës për organizimin e konklavës. Emrat e parë kanë nisur të përmenden. Në listën e favoritëve për të drejtuar Vatikanin kryeson emri i kardinalit ganez Peter Tukson. Ndoshta për herë të parë do të ketë një Papë me ngjyrë. Por këtë do ta tregojë vetëm tymi i bardhë mbi Vatikan, se cili do të jetë Papa i ri i zgjedhur.
Koha gati prej tetë vjetësh e shërbimit të Bendiktit përfundoi të enjten (28.02.2013) në mbrëmje në orën 20 :00 sipas orës së Europës Qendrore. 85 vjeçari është Papa i parë e kohës së re moderne, që dha dorëheqjen nga ky post, pasi në Mesjetë ishte Papa Celestini i V-të, i cili u tërhoq nga posti në vitin 1294. Më vonë në vitin 1415 ishte Gregori i XII-të, që dha dorëheqjen nga kreu Selisë së Shenjtë. Argumentimi për këtë veprim që Benedikti i XVI-të e dha para dy javësh, ishte gjendja e tij shëndetësore.