Partitë unioniste kritike ndaj një ndalimi të AfD-së
5 Maj 2025Si duhet ta trajtojnë partitë e tjera gjermaneAfD-në? Kjo çështje ka qenë objekt debati të ashpër që kur kjo parti u klasifikua si parti e ekstremit të djathtë nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës (shërbimi informativ i brendshëm i Gjermanisë). AfD ka paraqitur një ankesë kundër kategorizimit. Një letër për këtë qëllim i është dërguar gjykatës administrative kompetente në Këln, konfirmoi zëdhënës i kryetares së partisë Alice Weidel. Si të kundërligjshme AfD-ja mendon se janë si kategorizimi nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës si një parti ekstremiste e djathtë e konfirmuar, ashtu edhe shpallja e këtij kategorizimi.
AfD ngre padi kundër kategorizimit të saj
AfD i kishte dërguar më parë një letër paralajmëruese Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, duke i kërkuar asaj të tërhiqte kategorizimin e partisë si e ekstremit të djathtë dhe të nënshkruante një deklaratë se nuk do ta bënte më këtë. Sipas AfD-së, Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës nuk u përgjigj. Me padinë AfD-ja ndërmerr veprime ligjore kundër kategorizimit të saj.
Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës njoftoi të premten se AfD në të ardhmen do të klasifikohet si një "parti ekstremiste e djathtë e konfirmuar". Më parë, AfD konsiderohej rast i dyshimtë.
Kategorizimi ringjall debatin për mundësinë e ndalimit të AfD-së
Partitë e tjera janë ende duke diskutuar një ndalim të mundshëm të AfD-së. Megjithatë, politikanët kryesorë të partive konservatore CDU/CSU mbeten skeptikë. Për të ndaluar AfD-në duhet të dëshmohet se ajo është agresive dhe luftarake kundër demokracisë, tha i emëruari për Ministër të Brendshëm të Gjermanisë, Alexander Dobrindt (CSU). Gjykata Kushtetuese Federale me të drejtë ka vendosur pengesa të konsiderueshme në rrugën e ndalimit të partisë.
"Jam i bindur se AfD-në nuk ka pse ta largosh duke e ndaluar, por duke qeverisur", tha Dobrindt, i cili foli në favor të diskutimit të çështjeve që e bënë AfD-në të fortë. "Ka ende punë për të bërë", tha politikani i CSU-së.
Edhe kreu i SPD-së, Lars Klingbeil u shpreh gjithashtu në favor të mbajtjes së AfD-së "politikisht nën kontroll". Paraardhësja e Dobrindtit si ministre e Brendshme, Nancy Faeser (SPD), kishte rekomanduar që një procedurë ndalimi të shqyrtohej me shumë kujdes. "Sidoqoftë, nuk ka automatizëm" u shpreh ajo pas kategorizimit të partisë nga Zyra e Mbrojtjes së Kushtetutës. Edhe Kancelari aktual i Gjermanisë, Olaf Scholz, bëri thirrje për të treguar kujdes. Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linnemann, i tha gazetës Bild lidhur me një ndalim të mundshëm: "Nuk e besoj vërtet. Shumica e votuesve votojnë për AfD-në nga protesta. Dhe nuk mund të ndalosh protestat."
CDU/CSU dëshiron marrëveshje me SPD-në
Grupi parlamentar unionist (CDU/CSU), sipas kryetarit të saj të caktuar, Jens Spahn (CDU), tani dëshiron të arrijë një marrëveshje me SPD-në mbi një kurs të përbashkët veprimi. "Nuk do të ketë asnjë rekomandim nga ne për të emëruar deputetë të AfD-së si kryetarë komisionesh”, shkroi ai në Platformën X. Kjo kur para emërimit të tij, Spahn kishte folur në favor të trajtimit të AfD-së në parlament në të njëjtën mënyrë si partitë e tjera të opozitës. Kjo shkaktoi një polemikë. Ai tani ka shkruar se CDU/CSU dhe SPD "do të koordinohen ngushtë dhe do të veprojnë së bashku për të gjitha çështjet" kur të merren me AfD-në.
tgsch