Papa më njerëzor. Një vit pas vdekjes së Papës Gjon Pali II
1 Prill 2006Zëdhënësi i Papës, Joaquin Navarro-Valls kishte lotë në sy kur tha:
"Ndoshta Papa i shoqëronte të gjithë këta të rinj me mendimet e tij kudo. Kur pak më parë i treguam sa shumë njerëz janë mbledhur në shesh, ai tha `Më parë vija unë e ju kërkoja, tani po vini ju tek unë. Ju faleminderit`."
Të shtunën më 2 prill të vitit 2005, kardinali Leonardro Sandri doli përpara mikrofonave:
"Të dashur vëllezër dhe motra, në orën 21.37, Papa ynë i dashur dhe i shenjtë Gjon Pali II, u kthye në shtëpinë e Atit Tonë. Le të lutemi për të."
Sipas traditës italiane, qindra mijëra duartrokitje pasuan për minuat të tëra, si shenjë respekti për të vdekurin. Miliona njerëz nga e gjithë bota shkuan në Romë, për t´u lutur sa më pranë trupit të Papës së ndjerë:
"Unë nuk kam ardhur për t´u lutur për të, sepse Ai lutet tani në qiell për ne, për të gjithë botën dhe për të gjitha fetë. Unë shpresoj se kur të shpallet i shenjtë, ai do të kthehet në tokën polake, në Krakovën e tij" - thotë një grua.
Sllavi i parë në karrigen e Shën Petrit ishte njëkohësisht edhe papa i parë i epokës së masmdiave. Papa i parë që udhëtoi në mbarë botën. Dhe kështu miliona njerëz morrën rrugën për t´u ndarë personalisht nga Papa më njerëzor që kishin përjetuar ndonjëherë.
6 ditë duhet të kalonin, përpara se të zhvillohej ceremonia e varrimit. Ish dekani i kardinalëve dhe Papa i ardhshëm Josef Ratzinger, tha:
"Mund të jemi të sigurtë se Papa ynë i dashur qëndron tani në dritaren e shtëpisë së atit të tij dhe po na bekon. Po, na beko, Baba i Shenjtë, ne i besojmë dashurisë tënde dhe shpirtit të nënës së Zotit, nënës tënde, që të shoqëron çdo ditë. Ajo do të të tregojë tani rrugën drejt lavdisë së përherhshme të djalit të saj, Jezu Krishti, Zoti Ynë, amen."