Papa midis traditës dhe kohës moderne
28 Shkurt 2013"Zotërinjtë kardinalë më zgjodhën mua, një punëtor të përunjur në vreshtin e Zotit." Me këto fjalë doli kardinali Joseph Ratzinger më 19 prill 2005 në lozhën e bazilikës së Shën Pjetrit dhe i fitoi menjëherë simpatitë. Konklava kishte zgjatur vetëm dy ditë, pastaj nga oxhaku doli tym i bardhë. Kardinalët kishin zgjedhur 78-vjeçarin si kreun e ri të kishës katolike.
Benedikti XVI ishte papa i parë gjerman pas gati 500 vjetësh. Një papë nga Gjermania, 60 vjet pas vrasjes në masë të hebrenjve prej nacionalsocialistëve dhe përveç kësaj një papë nga vendi i reformacionit. Dorëheqja e tij e paralajmëruar për 28 shkurtin nuk është më pak sensacionale: Kjo është dorëheqja e parë e një pape prej rreth 700 vjetësh, e dyta në krejt historinë e kishës.
Konservator dhe i pranishëm
Me papën Benedikt i XVI bota përjetoi një papë konservator dhe të pranishëm, i cili me raste i befasoi të gjithë. Kjo sepse Benedikti ishte në gjendje të bashkonte përshpirtshmërinë e prejardhjes së tij me erudicionin e profesorit. Ai nuk vazhdoi thjesht vijën strikte të kardinalit të kuries, Joseph Ratzinger.
Me koncepte të rrënjosura thellë në traditë Bendikti synoi dialogun me kohën moderne. Pontifikati i tij u shoqërua nga skandale si dhe nga një atmosferë e përgjithshme krize në kishën katolike. Nga kjo duhet të ketë vuajtur edhe vetë papa.
"Ne jemi papë"
Në fund të viteve pesëdhjetë Ratzingeri u bë profesor teologjie dhe fitoi shpejt reputacion. Pranë arqipeshkvit të Këlnit, kardinal Joseph Frings, ai merr pjesë në vitin 1963 në Këshillin e dytë Vatikanor (1962-65). Në vitin 1977 Ratzingeri bëhet ipeshkëv Bischof, rritet më pas në përgjegjësi si arqipeshkëv i Mynihut dhe Frajsingut dhe si kardinal. Pak pas më shumë se katër vjetësh papa Gjon Pali II e merr në Romë. Si prefekt i kongregacionit për doktrinën e besimit ai është shef i rojtarëve të besimit. Në grindjen rreth çështjeve që kanë të bëjnë me funksionin e lektorit, rreth temave të reformimit (si roli i gruas apo ekumena) Ratzingeri përfaqësonte një kurs konservator strikt.
Zgjedhja e Benediktit papë ngjalli në Gjermani gaz dhe krenari. "Ne jemi papë" ishte titulli i gazetës Bild. Mirëpo ka edhe kritikë. Papa i 265-të në historinë e kishës është shumë i vjetër si 78-vjeçar, u tha, dhe vetëm si papë kalimtar ai nuk do të jetë i aftë për reforma.