Papa Benedikti i XVI-të mbërrin në Gjermani
9 Shtator 2006Të shtunën pasdite në prën 15:22 Papa mbërriti në aeroportin e Mynihut dhe në orën 15:34 ai preku tokën gjermane të vendlindjes. Për ta përshëndetur atë në aeroport kishin dalë presidenti Horst Këler, kancelarja Angela Merkel, kryeministri i Bavarisë, Edmund Shtojber dhe një sërë personalitete të kishës. Pas uljes së avionit të Vatikanit në të gjithë arkipeshkvinë e Mynihut dhe të Freizingut ranë këmbanat.
Presidenti Horst Këler mbajti një fjalim për t´i uruar mirëseardhjen Papa Benediktit te XVI-të: "At i shenjtë, mirëseerdhët në atdhe, mirëseerdhhët në Gjermani! Ne gëzohemi shumë, që ju jeni sërish tek ne. Ka qenë dëshira juaj e veçantë, që gjatë kësaj vizite që fillon sot të rishikoni vendet e atdheut tuaj."
Me marrjen e pontifikatit nga ish-kryepeshkopi i Mynihut dhe kardinali Jozef Ratcinger shumë të krishterë varën shpresa të mëdha tek ai për reforma në kishën katolike. Në një sfond të tillë në fjalimin e tij presidenti Horst Këler vuri në dukje dëshirën e tij për zhvillimin e mëtejshëm ikumenik: "At i shenjtë, pikërisht në Gjermani, vendi, në të cilin e ka origjinën reformacioni, është dëshirë e shumë të krishterëve, për mirëkuptimin ikumenik, ose nëse e them në mënyrë të thjeshtë për përparimin. Unë e di që për gati 500 vjet zhvillime të ndryshme teologjike dhe praktika të ndryshme të besimit, një gjë e tillë s´mund të ndodhë me një të shkundur të pendës. Unë e di gjithashtu, se pikërisht tani në këto pesëdhjetë vitet e fundit ka pasur shumë afrim. Ndaj si i kishter evangjelist dua të theksoj shpresën time, se zhvillimi ikumenik do të vazhdojë, kryesisht në drejtim të respektit reciprok dhe njohjes së të përbashkëtave të thella dhe qenësore. Ne kemi më shumë të përbashkëta se sa gjëra që na ndajnë."
Në mbyllje të fjalimit përshëndetës presidenti Këler nënvizoi: "Shpresoj shumë që mesazhi juaj të gjej gjithnjë e më shumë hapësirë në zemrat dhe mendjet e të gjithëve në botë. Ne duam që planeti Tokë, që është një botë, të jetë atdheu i mirë për ne të gjithë, kudo që ne jetojmë. (...) Këtu dhe sot At i shenjtë, më lejoni që në emër të të gjithë gjermanëve t´u uroj sërish mirëseardhjen në atdhe: Mirëserdhët në Mynih, mirëseerdhët në Bavari dhe mirëseerdhët në Gjermani!"
Papa u shpreh: "prek me zemër plot emocione tokën bavareze. Gjatë vizitës në vendlindje dëshiroj të bëj një udhëtim në të shkuarën time duke vizituar vende, që kanë pasur domethiëne thelbësore në jetën time. Kam shumë kujtime nga vitet që kam kaluar në Mynih dhe në Regensburg, që "kanë lënë gjurmë të thella tek unë."
Deri ditën e enjte Papa do të qëndrojë në Bavari. Në program është planifikuar edhe një ditë private, gjatë së cilës ai do të takohet me të vëllain Georg. Papa do të qëndrojë gjashtë ditë në Gjermani, ku krahas Mynihut do të vizitojë edhe Altëting si vend pelegrinazhi, vendlindjen e tij Marktl mbi In, ipeshkvinë Regensburgut si dhe qytetin Freizing. Janë planifikuar gjithsej tri mesha të mëdha me kreun e kishës, në të cilat pritet të marrin pjesë rreth 600.000 njerëz.