Papa Benedikti i 16-të ka mbërritur në Gjermani
18 Gusht 2005Këln: Papa Benedikti i 16-të ka mbërritur sot në mesditë në Gjermani. Në aeroportin e Këln-Bonit ai është pritur nga presidenti gjerman Horst Këler dhe kancelari gjerman Gerhard Shrëder. Përpara nisjes nga Roma kreu i Kishës Katolike kishte deklaruar se ishte shumë i emocionuar për vizitën në Gjermani. Eshtë një ngjarje e jashtëzakonshme ka thënë Papa. Presidenti gjerman Këler në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh: "At i Shenjtë mirëserdhët në atdhe, mirëseerdhët në Gjermani. Të gjithe ne ju përshëndesim nga zemra dhe jemi të gëzuar që ju jeni këtu. Gëzohemi që udhëtimin tuaj të parë jashtë Italisë e bëni në Gjermani. Kjo ditë është për të gjithë ne një ditë e madhe, një ditë e bukur."
Ndërsa Papa Benedikti i 16-të u shpreh: "Për herë të parë që prej zgjedhjes sime në fronin e Pjetrit qëndroj plot gëzim në truallin e atdheut tim Gjermanisë. Jam shumë i lumtur që vizita ime e parë jashtë Italisë është në atdhenun tim këtu në Këln në një kohë dhe në një vend ku të rinj nga e gjithë bota nga të gjitha kontinentet takohen, ku kufijtë mes kontinenteve, kulturave, racave dhe kombeve zhduken pasi të gjithë ne jemi të bashkuar nën yllin që na është shfaqur."
Në programin e ditës së parë të vizitës së Papës është planifikuar pasdite një fjalim i tij për pelegrinët e rinj nga një anije mbi Rin. Në mbrëmje herët Papa Benedikti i 16-të do të vizitojë katedralen e Këlnit. Pika kulmore e vizitës së tij në Gjermani do të jetë një meshë që do të mbahet në Marienfeld pranë Kölnit në të cilën pritet të marrin pjesë rreth 800.000 vetë. Gjatë katër ditëve të vizitës së Papës në zonën e Rinit do të vlejnë masa të larta sigurie.