Papa Benedikti i 16-të viziton Wadowicen, vendlindjen e Papës Gjon Pali i II
27 Maj 2006Pritjet që po i rezervohen Papës Benedikti i 16-të në Poloni janë gjithkund entuziaste, të shoqëruara me gazmend, ngazëllim dhe lotë, qoftë në Krakow, qoftë në vendlindjen e Papës Gjon Pali i II, Wadowice.
"Jam e prekur. Papa i shenjtë është njeri shumë i ngrohtë. Jam shumë e prekur, ai rrezaton ngrohtësi dhe dashuri. I dhashë dorën. Nuk di se ç'të them" - thotë duke gulçuar një vajzë.
"Para një viti mendoja se nuk do ta doja Papën tjetër. Por sot mund të them se jo vetëm e dua, por edhe se e respektoj shumë." - thotë një grua.
Me vizitën e tij në Wadowice, vendlindjen e Karol Wojtylës, Papa Benedikti i 16-të plotësoi, sikurse u shpreh një dëshirë të zemrës. I shoqëruar nga mijëra peligrinë Papa i shenjtë vizitoi shtëpinë e dikurshme të familjes Woytila dhe natyrisht edhe bazilikën e Wadowices, ku është pagëzuar Papa Gjon Pali i II.
Kudo në Wadowice mund të dëgjosh odën e Papës Gjon Pali i II për vendlindjen e tij: "Këtu në këtë vend, në Wadowice, filloi gjithçka. Jeta, shkolla, studimet, teatri dhe natyrisht seminari për priftërinj."
Pak orë para se të vinte në Wadowice Papa Benedikti i 16-të e theu edhe heshtjen e tij në lidhje me procesin e shpalljes shenjtor të Papës Gjon Pali i II. Lutjet tuaja, tha i para besimtarëve dhe peligrinëve në Krakow i mbështesin ata që po merren me këtë çështje.
Ewa Filipiak, kryetarja e bashkisë së Wadowices është tepër e kënaqur për fjalët e Papës Benedikti i 16-të, që sipas saj janë një gjest i rëndësishëm: "Unë i jam shumë mirënjohëse Papës Benedikti i 16-të në lidhje me atë që tha për Papën tonë Gjon Palin e II dhe për faktin se ai thekson se kemi të bëjmë me vazhdimin e pontifikatit të tij të madh."
Një grua e moshuar thotë me lotë në sy se dëshira e sa më e madhe është që të jetojë deri sa Papa Gjon Pali i II të shpallet i shenjtë:
"Kur erdhi për herë të parë Papa ynë këtu unë isha e shtruar me kancer në spitalin këtu afër. Dhe shikoni sot, unë vazhdoj të jetoj. Për këtë edhe kam ardhur këtu!"
Pas vizitës në Wadowice Papa Benedikti i 16-të vazhdoi udhëtimin e tij për në Kalwaria Zebrzydowska për t'u falur edhe ai në sakristein e Shën Mërisë, ku dikur është falur shpesh edhe Karol Woytila.