IFA 2013: Gjithçka e zgjuar, apo?
7 Shtator 2013Kjo është ekspozita më domethënëse e argëtimit dhe komunikimit elektronik dhe këtë e tregojnë statistikat. Rreth 1500 kompani pjesëmarrëse nga e gjithë bota, një sipërfaqe 2% më e madhe ekspozuese, 240.000 vizitorë, nga të cilët 45.000 mijë biznesmenë nga e gjithë bota. Rreth 6.000 gazetarë do të raportojnë për të gjitha detajet e panairit 6 ditor.
Kristian Gëke, drejtori i panairit të Berlinit, mezi pret hapjen. "Ne jemi bërë më të vërtetë numri një, përsa i përket hapësirës së shitjes me pakicë." Askund tjetër në botë nuk ka kaq shumë produkte të ekspozuara për herë të parë si në Panairin e Berlinit. Biznesmenët vijnë pikërisht në Berlin për t’i parë saktësisht këto gjëra. "Unë tani nuk do të flas për ajkën e ajkës, por këtu njeriu do të gjejë ato, që më pas do të dalin në shitje dhe do të sjellin fitime.
Televizorët të shndërrohen në kamera sigurie
Drejtuesit e panairit parashikojnë që vlera e kontratave, që shpresojnë të lidhen gjatë këtyre ditëve, do të jetë 3,8 miliardë euro, të cilat do të fuqizojnë më pas tregtinë e Krishtlindjeve. Një biznes, që do t’i sjellë kësaj dege një qarkullim total prej 28,1 miliardë euro këtë vit. Por deri atëherë ka ende shumë kohë. Gjysma e parë e vitit 2013 nuk i përmbushi pritshmëritë. Tregu i pajisjeve për komunikim dhe argëtim ra me 3 përqind. Edhe pse Smartfonët, tabletat dhe pajisjet elektroshtëpiake kanë ecur mirë, shitjet e mjeteve elektronike klasike kanë rënë me 20 përqind, thotë Hans Joakim Kamp, kryetari i Shoqërisë për Argëtim dhe Komunikim. "Kjo rënie është dukshëm më e lartë nga sa pritej". Kryesisht televizorët kanë mbetur nëpër raftet e dyqaneve. Shumë gjermanö blenë në 2012 një pajisje te re para Kampionatit Europian të Futbollit, për shkak të mbylljes së marrësit analog. "Këtë vit nuk kishte asgjë, dhe kjo çoi në rënien me 25 përqind të shitjes së televizorëve", thotë Kamp.
Konsumatorët e pandërgjegjshëm
Edhe televizorët tre dimensionale nuk është se ndryshuan gjë. Dikur i shpallur si pajisje me shitje të mëdha, televizori tre-D nuk i ka përmbushur pritshmëritë. Askush nuk ulet 3 orë e gjysmë deri në katër orë me syze për të parë televizor, thotë Kamp. Tani shpresa e industrisë është kombinimi mes televizorit dhe internetit, pra te ‘Televizori i zgjuar’, ‘Smart-TV’. 5 milionë prej tyre janë tashmë në shtëpitë gjermane dhe deri në fund të vitit ky numër duhet të shkojë në 7 milionë. Për këtë arsye Kompania e Komunikimit dhe Argëtimit Elektronik ka filluar një fushatë mediatike, që ka për qëllim të tërheqë blerësit e televizorëve më ekran të sheshtë.
Në këtë pikë duhet punuar më fort duke qënë se sipas një anketim i Shoqatës Federale për Teknologjinë e Informacionit, Telekomunikacionit dhe Mediave të Reja, Bitkom, ka zbuluar se shumë gjermanë nuk janë mësuar ende me ‘Smart TV’, ‘televizorin e zgjuar’. Janë pyetur se kush e njeh këtë nocion, kush ka dëgjuar për të deri tani, kush mund të shpjegojë se çfarë do të thotë ‘televizor i zgjuar’ dhe kush nuk ka dëgjuar kurrë për të. "Aty kuptuam se më shumë se çereku i të anketuarve nuk e kishin idenë, dhe kjo është akoma edhe më e keqe, thotë Kamp. Të kesh një televizor të zgjuar është një gjë, dhe ta lidhësh atë me internetin është një gjë tjetër. Por për momentin këtë gjë e bëjnë vetëm 58 përqind."