Panairi i automobilëve në Shangai, i treti në botë për nga madhësia, vizitohet nga më shumë se 1.000 ekspozues
26 Prill 2005Brenda tri vjetësh Kina ka evoluar në tregun e tretë të automobilëve në botë. Në sfondin e humbjeve të mëdha vitin e kaluar prodhuesit e automobilëve janë duke kërkuar rrugë për të dalë nga kriza. Nëpërmjet një numri të madh modelesh që prezantohen për herë të parë në Azi firmat e automobilëve duan të joshin klientelë të re. Audi prezanton serinë A 6 të prodhuar enkas për në Kinë. General Motors prezanton sequel, një veturë e re me hidrogjen, Volkswageni për herë të parë paraqet modelin luksoz të filiave të veta Benetly dhe Lamborghini.
Edhe BMW-ja në panairin e Shangait për herë të parë prezanton modelin e ri të veturës së serisë 3. Shefi i kryesisë së BMW-së, Helmut Panke, vë në dukje, se ndonëse ka pasur 9% rënie në tregun e automobilëve gjatë tremujorit të parë të këtij viti, kërkesa për automobilët luksozë është në rritje. Ndërmarrja bavareze majin e vitit të kaluar përuroi fabrikën e re në Sheniang në Veri të Kinës dhe është duke prodhuar atje bashkë me partnerin joint-venture Brilliance seritë 3 dhe 5. Panke shpreh bindjen, se afatgjatë prodhimi vjetor i këtyre serive do të zgjerohet në rreth 100.000 vetura: "Aktualisht Kina bën pjesë ndër 10 tregjet kryesore të BMW-së dhe me rritjen që kemi parashikuar ne së shpejti në Kinë do të jemi në vendin e 5 të listës së firmave të preferuara të automobilëve për këtë treg."
Gjatë tremujorit të parë BMW-ja ka shitur në kinë 6.000 vetura. Ndërkohë në treg dominojnë jo vetëm limuzinat luksoze të BMW-së dhe Audi-it, por të preferuara janë edhe veturat e vogla dhe të leverdishme të prodhuesve kinezë dhe koreanë. Pasi qeveria kineze në mars të vitit të kaluar bllokoi kreditë, kjo preku veçanërisht prodhuesit e limuzinave. Këto blihen kryesisht prej ndërmarrjeve si makina zyrtare dhe në këtë drejtim janë bërë disa kursime. Gjithashtu është vështirësuar dhënia e kredive private për blerjen e makinave.
Tkurrja e tregut që konsiderohet si e nevojshme nga shumë palë, ka prekur veçanërisht koncernet ndërkombëtare General Motors dhe Volkswagen që sapo i kanë zgjeruar kapacitetet e tyre prodhuese. Si rjedhojë u desh që këto koncerne të ndërpresin përkohësisht punën në një sërë ndërmarrjesh. Depot janë mbushur me prodhime të reja. Edhe pse tregu u rrit me 15%, rënia ka të bëjë me faktin, se në Kinë janë të përfaqësuar shumë prodhues. Kjo ka bërë që të ketë presion edhe lidhur me çmimet. Sapo General Motors nisi të ulë çmimet pasuan edhe koncernet e tjera me të njëjtën strategji, BMW dhe Audi i ulën çmimet me rreth 13% për t´i dhënë impuls kërkesës. Por këtej e tutje kësaj do t´i jepet fund, deklaroi antari i kryesisë së Audit Ralf Vajler, duke prezantuar në Shangai modelin Audi A6, i prodhuar enkas për tregun kinez:
"Mund të thuash që tregu kinez po zhvillohet në mënyrë të vrullshme. Në treg gjithnjë e më shumë ofrues të rinj po prezantojnë modele të reja, në rastin tonë është cilësia vendimtare. Ne mendojmë, se tregu do të zhvillohet në mënyrë disproporcionale dhe ne parashikojmë që të kemi rritje në vlera dyshifrore."
Ndërsa shumica e prodhuesve ankohen, se pavarësisht nga pagat e ulëta në Kinë kostot e prodhimit vazhdojnë të jenë më të larta se në Evropë dhe në SHBA, DaimlerChrysler befasoi me deklaratën, se në të ardhmen do të prodhojë për eksportin. Antari i kryesisë së këtij koncerni, Rydiger Grube, vuri në dukje, se koncerni bashkë me partnerët kinezë do të prodhojë autovetura të vogla për tregun amerikan.
Krahas Hondës edhe DaimlerChrysler do të jetë njëri nga të parët prodhues të huaj në Kinë që do të punojë për eksportin. Kjo do ta shtojë frikën, se mund të vijë një ditë që Republika Popullore e Kinës të vërshojë në tregun botëror me makina me çmim të ulët. Në panairin e automobilëve në Shangai që nga e premtja për një javë resht do të prezantojnë automobilët e tyre 1036 firma. Pritet që panairi të vizitohet nga rreth 350.000 vizitorë.