Opozita në SHBA feston triumfin në zgjedhje
8 Nëntor 2006Zgjedhësi amerikan mori një vendim të zgjuar. Ai refuzoi dukshëm pushtetin e një partie të vetme. Në dallim nga deri tani presidentit Bush do t'i duhet të përballet me opozitën të paktën në Dhomën e përfaqësuesve, e cila morri një detyrë të qartë prej zgjedhësve. Detyra e ka emrin: ndërrim kursi. Zgjedhësit bënë të qartë se nuk janë më të gatshëm të tolerojnë me çdo kusht vazhdimin e angazhimit amerikan në Irak. Tani Bushit do t'i duhet të argumentojë çdo vit përballë deputetëve se përse lufta në Irak megjithë mungesën e përparimeve ja vlen, duke sakrifikuar jetën e shtetasve amerikanë dhe miliardat e taksapaguesve.
Bushi mund të kontrollohet më mirë
Përveç kësaj në Dhomën e përfaqësuesve demokratët si partia shumicë kanë të drejtën të thërrasin për raport Presidentin dhe anëtarët e tjerë të qeverisë. Në këtë mënyrë janë programuar komisionet hetimore mbi gjoja armët e asgjësimit në masë në Irak dhe arsyetimin e luftës prej presidentit.
Pas fitores në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004, i vetëdijshëm për pushtetin, presidenti Bush u paraqit duke treguar nga kapitali i fituar politik. Këtij kapitull duket se tani i ka ardjhur fundi. Qeverisja do të bëhet më e vështirë për Bushin, megjithëse jo e pamundur. Që javët e fundit ai e pati anashkaluar shpesh parlamentin duke e zgjeruar edhe më pushtetin kushtetues të presidentit. Tani demokratët mund ta kontrollojnë më mirë Bushin, por ata nuk mund ta detyrojnë atë.
Përgjegjësia ndahet
Megjithatë, për demokratët përgjegjësia e ndarë është një pikënisje e favorshme për në zgjedhjet presidenciale në vitin 2008. Përballë gjendjes së ndërlikuar në Irak atyre nuk do tu duhet të marrin përsipër përgjegjësinë e plotë. Ata mund të vazhdojnë ta kritikojnë presidentin për gabimet në të kaluarën pa u dashur të tregojnë të vetëm rrugëdaljen nga kriza. Duke e ditur mirë se nuk mund ta nxjerrin të vetëm gomarin nga balta, fituesit e zgjedhjeve i kanë ofruar presidentit Bush bashkëpunim në çështjen e Irakut. Bushi do të bënte mirë ta pranonte ofertën.
Por këto zgjedhje për Kongresin nuk ishin vetëm referendum mbi George W. Bushin dhe luftën në Irak. Të paktën po aq vendimtare ishin skandalet e fundit të korrupsionit ndër deputetët e kongresit, para së gjithash në Partinë Republikane. Edhe këtu amerikanët ndëshkuan politikanët e partisë qeveritare për grykësinë dhe përfshirjen në pazare të papastra.
E vështirë të ndryshojë kursi
Megjithatë rezultati mbetet brenda kuadrit të pritjeve. Në vitin e gjashtë të kohës në detyrë presidentët aktualë duhet të presin tradicionalisht humbje në zgjedhje, aq më shumë në kohë lufte si kjo. E tillë ka qenë gjendja edhe në kohën e presidencës së Harry Trumanit dhe Franklin Rooseveltit. Por presidenti Bush nuk do ta marrë rezultatin si shkas për të ndryshuar kursin. Për të ndodhur kjo rezultati është tepër i ngushtë dhe presidenti tepër i bindur për misionin e vet historik.