Russland Oligarchen
26 Nëntor 2011A e njihini ju Vladimir Lissinin? Një kërkim në internet jep rreth 5.500 rezultate. Jo shumë për dikë që konsiderohet njeriu më i pasur i Rusisë. Revista ekonomike amerikane "Forbes" e vlerësonte këtë vit pasurinë e Lissinit në 24 miliardë dollarë amerikanë. Një pjesë e madhe e opinionit publik në Rusi dhe jashtë, nuk e njohin shefin 55-vjeçar të gjigantit rus të çelikut NLMK. Lissin i shmang mediet dhe preferon të veprojnë në sfond. Ai nuk shfaq as ambicie politike, ashtu si pjesa më e madhe e oligarkëve në Rusinë e sotme.
Përjashtimi i vetëm: Mihail Prohorov. Me një pasuri të vlerësur në rreth 18 miliardë dollarë amerikanë, ai është numri tre në listën e Forbes, për rusët më të pasur. Në verë Prohorov tërhoqi vëmendjen: u zgjodh kryetar i një partie liberal-konservatore "Çështja e Drejtë" dhe donte kështu të merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare të 4 dhjetorit. Në mes të shtatorit, për shkak të një zënke të brendshme, u largua papritur nga partia dhe e quajti atë "marionetë" të Kremlinit. Ndërkohë Prohorov është zhdukur nga skena politike në Rusi.
"Mësimi Hodorkovski"
Biznesmenë të pasur si Lissini apo Prohorovi në Rusi i quajnë "oligarkë". Numri i tyrë është trefishuar në dy vitet e fundit. Sipas revistës Forbes në Rusi jetojnë ndërkohë 101 miliarderë dollari. Në vitet 1990 oligarkët ushtronin influencë të madhe në politikë, por ato kohë kanë marrë fund.
Burrat më të pasur të Rusisë kanë mësuar nga "rasti Hodorkovski", thotë Sergej Alexashenko, ish zëvendësguvernator i Bankës Qendrore ruse, i cili sot jep mësim në Fakultetin e Ekonomisë së Moskës. Michail Hordokovski, dhjetë vjet më parë njeriu më i pasur i Rusisë, u përball me ish presidentin rus Vladimir Putin. Miliarderi i naftës e kishte kritikuar Kremlinin publikisht për korrupsionin shumë të përhapur. Pak kohë më pas Hordokovski u arrestua dhe u dënua për evazion fiskal, firma e tij e naftë "Yukos" u shpërbë. Megjithë kritikën nga Perëndimi, ai është ende sot në burg.
Edhe oligarkët Boris Beresovski dhe Vladimir Gussinski, të cilët në vitet 1990 konsideroheshin nga më të fuqishmit në Rusi, prej kohësh e kanë humbur influencën e tyre. Të dy zotëronin perandori mediatike, të dy kritikonin Putinin, të dy jetojnë sot jashtë Rusisë. Oligarkët që kanë mbetur në Rusi e kanë kuptuar që të sulmosh Kremlinin është një ndërmarrje e pashpresë, pasi vetëm rrezikon interesat e biznesit, thotë Alexashenko. "Sot oligarkët punojnë bashkë me qeverinë, e ushtrojnë punën e tyre lobiiste në sfond."
Opozita paralajmëron ndaj pjesëtarëve të shërbimit sekret
Por edhe pse oligarkët kanë sot më pak influencë se më parë, ata nuk duhen nënvlerësuar, mendon opozitari rus Boris Nemzov, i cili ka qenë zëvendëskryeminstër nën presidentin Boris Jelzin. "Kur oligarkët i japin para partisë së Putinit, a nuk kemi të bëjmë me influencë?" - pyet politikani.
Sipas Nemzovit, pikërisht nën qeverisjen e Putinit kanë lindur oligarkë të rinj. "Sot bëhen miliarderë me influencë ata të cilët kanë shërbyer me Putinin në Gjermani apo që kanë punuar me të kur ai ishte zëvendëskryetar i bashkisë në Shën Petërburg. Janë në radhë të parë punonjës të shërbimit sekret, që po bëhen "njerëz të pasur". Emrat të cilët përmend në këtë kontekst politikani opozitar, janë pak të njohur: Timtshenko, Tshemesov apo Rotenberg.
Oligarkët nuk janë më "armiq të pushtetit"
Edhe Michail Vinogradov, drejtor i fondacionit "Politika e Petërburgut" mendon se raporti mes oligarkëve dhe pushtetit shtetëror ka ndryshuar që prej viteve 1990. Sipërmarrjet shtetërore si "Gazprom" kanë mënjanuar firmat private dhe përcaktojnë drejtimin. Nga ana tjetër oligarkët nuk kanë ndikim në dyshen drejtuese Putin-Medvedev. Edhe për raportet e pushtetit në rajone me rëndësi strategjike në Rusi, në pjesë në madhe të rasteve vendoset pa oligarkët, thotë Vinogradov.
Por edhe pse Kremlini e kufizon ndikimin e oligarkëve, ata nuk shihen më si "armiq". Në fund të gushtit madje, u bë e qartë se shteti përpiqet t'i bëjë ata për vete. Presidenti Medvedev kishte propozuar që miliarderët të dërgoheshin nëpër shkolla për t'u treguar nxënësve "historitë e suksesit të tyre".
Autor: R. Goncharenko / J. Winogradow / E. Xhani
Redaktoi: E. Ahmeti