Oktoberfest pushton Botën
25 Shtator 2012Panatallona lëkure për meshkujt dhe fustane me dekolte bavareze për kamarieret nuk janë karakteristike për Amerikën. Sipas censusit (regjistrimit të popullsisë) të fundit në vitin 2010, 50 milion njerëz kanë deklaruar se kanë prejardhje gjermane.
Prandaj nuk është çudi që pas "Oktoberfest-it" të organizuar në Mynih, i dyti është ai që organizohet në qytetin e Sinsinatit, në Ohajo, me gjysëm milion vizitorë. Atje “Fifth Street” shëndërrohet në skenën e "Oktoberfest Sinsinati".
Por ky nuk është festivali i vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe qytete të tjera bëjnë organizime më të vogla, në shenjë respekti ndaj emigrantëve gjermanë që kanë dhënë kontributin e tyre në komunitet ku ata jetojnë prej qindra vitesh.
Përtej La Manshit
Edhe në Britaninë e Madhe kostumet bavareze dhe muzika tipike që i shoqëron janë të pazakonta, ashtu si edhe në Amerikë. Kjo është e vërtetë, por në Londër ju do të gjeni Shtëpinë e Birrës Bavareze. Birraria tradicionale bavareze gjendet në qendër të Londrës dhe është e hapur për klientët gjatë gjithë vitit, por bën edhe organizime speciale gjatë kohës që në Mynih organizohet "Oktoberfest". Në ndryshim nga festivali në Gjermani, që prej vitit 2004 në Londër festivali zgjat plot tetë javë.
"Në fillim ishte vetëm dy javë, por ishte aq popullor dhe njerëzit e deshën aq shumë sa u detyruam të shtonim javët,” thotë menaxheri Jessie Kalkun.
"Oktoberfest" nuk ka kufij
Poshtë në hemisferën tjetër, australianët janë të njohur si pijedashës, prandaj nuk është çudi që kanë përqafuar edhe festën e birrës "Oktoberfest". Në Australi në dy qytetet e mëdha, Sidnej dhe Melburn, mbahen një sërë festimesh të njëjta me "Oktoberfest". Ata mbahen në birraritë gjermane, restorantet gjermane, kampuset e universiteteve dhe pak a shumë kudo që njerëzit duan të festojnë dhe të pijnë.
Amerika e Jugut apo Australia, janë shumë larg nga Mynihu. Por Blumenau, në Brazil, themeluar nga kolonët gjermanë, është "Oktoberfest" më i madh në Amerikën e Jugut dhe një nga më të mëdhenjtë në botë. Më shumë se 500 mijë njerëz pritet të marrin pjesë këtë vit.
Dhë në fund një fshat i vogël në Palestinë në Bregun Perëndimor mund të duket si një vend jo i përshtashëm për të zhvilluar një festival birre. Por kjo është ajo çfarë ndodh në fshatin kristian Taybeh. Në vitin e tij të tetë të organizimit ky është "Oktoberfest-i" i vetëm në Lindjen e Mesme. Njerëzit pinë birrën lokale të quajtur Taybeh, që në gjuhën arabe do të thotë “shije”. Këtë vit festivali do të zhvillohet në data 6 dhe 7 tetor.
Festimet e "Oktoberfest" kanë filluar të lulëzojnë në shumë shtete, si rezultat i emigrimit të shumë qytetarëve gjermanë pothuajse në gjithë globin. Por një përhapje e tillë e festivalit mund të jetë edhe për shkak të pëlqimit që njerëzit kanë ndaj birrës së mirë.