Në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet parlamentare
9 Shkurt 2025Në Kosovë kanë filluar votimet për zgjedhjet e rregullta parlamentare, pas një mandati katër vjeҫar të qeverisë të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit. Qendrat e votimit gjithandej Kosovës janë hapur që nga ora 07:00 dhe do të jenë të hapura deri në orën 19:00. Të drejtë vote kanë mbi 2 milionë qytetarë, brenda dhe jashtë Kosovës. Votuesit do të zgjedhin përbërjen e re parlamentare, e cila më pas zgjedh qeverinë e re të Kosovës.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi u shpreh mëngjesin e së dielës se "gjithçka është gati për këtë proces zgjedhor". Ai ftoi qytetarët me të drejtë vote që të dalin e të votojnë dhe të respektojnë rregullat zgjedhore. Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të 9 shkurtit pritet të dalin të dielën vonë. Më 8 shkurt për herë të parë qytetarët e Kosovës në diasporë votuan nëpër përfaqësitë diplomatike në 19 shtete të ndryshme të botës.
Në garë zgjedhore janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. Katër kandidatë nga katër partitë më të mëdha garojnë për postin e kryeministrit. Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosja VV, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës PDK, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.
Votime edhe në veriun e Kosovës
Në zgjedhjet e së dielës votohet edhe në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ndonëse në këtë pjesë disa herë janë bojkotuar zgjedhjet. Kësaj radhe marrin pjesë gjashtë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb. Lista Serbe, deri tani partia më e madhe e serbëve, si edhe Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, si dhe Nisma Qytetare, Drejtësia Popullore.
Së fundmi pati raportime, se disa parti politike serbe kanë shprehur shqetësimin e tyre se Lista Srpska që e ka mbështetjen e Beogradit në mënyrë të organizuar të mbështetur nga qeveria e Serbisë pritet të sjellin me autobus votues nga Serbia, serbë që janë edhe qytetarë të Kosovës. Ministria e Transportit e Kosovës tha, se nuk ka ndonjë kërkesë për transport shtesë me autobus nga Serbia. Zyrtarë të kësaj ministrie, thonë se institucionet nuk do të lejojnë që ditën e zgjedhjeve të hyjnë në Kosovë autobusë që transportojnë votues të organizuar pa u pajisur paraprakisht me leje të posaqme që përkon me linjat e rregullta të autobusëve Kosovë-Serbi.
Trend i gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes
Për një muaj rresht subjektet politike shpalosën programet e tyre zgjedhore për mandantin e ardhshëm katër vjeҫar. Gjatë një muaji, fushata zgjedhore në Kosovë u përshkua me një gjuhë jo pak nxitëse dhe të urrejtjes, por, nuk u shënua ndonjë incident. "Trendi i përdorimit të gjuhës dhe diskursit nxitës apo të urrejtjes në fushatë, ka vijuar gjatë gjithë kohës, pavarësisht gjobave të shqiptuara nga një panel zgjedhorë PZAP, pikërisht për raste të tilla”, konstatoi rrjeti i organizatave joqeveritare DnV që monitoroi procesin zgjedhor.
Prezenca e ndërkombëtarëve në zgjedhje
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues ndërkombëtarë nga 18 vende të Bashkimit Evropian, nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës. Më shumë se 200 ushtarë italianë të KFOR-it i janë shtuar trupave të KFOR-it, një njësi e specializuar e policisë së misionit EULEX dhe mijëra policë të Kosovës do të jenë të pranishëm pranë qendrave të votimit për të siguruar një ambient të qetë dhe proces të rregullt të zgjedhjeve të përgjithshme.
Shefja e misionit të vëzhguesve të BE-së, Nathalie Loiseau, tha në Prishtinë se për Kosovën "kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme ruajtja e standardeve demokratike”. "Jetojmë në një kohë kur demokracitë po vihen në pikëpyetje, ndonjëherë kërcënohen globalisht. Kështu që rëndësia e sigurimit të një demokracie të qëndrueshme në Kosovë nuk ka qenë kurrë më e madhe. Prandaj ne do të vëzhgojmë, vlerësojmë dhe nëse është e nevojshme nuk do të shmangemi nga vënia në dukje e çfarëdo lloj hapësire për përmirësim aty ku ne e shohim të mundshme”, tha zonja Nathalie Loiseau.
Gjermania pos vëzhguesve ndihmoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me server dhe pajisje përcjellëse që do të ndihmojnë për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, shprehu bindjen e tij se procesi zgjedhor i së dielën do të zhvillohet pa vështirësi. "Demokracia dhe zgjedhjet e lira janë themeli i një shoqërie prosperuese. Ne dëshirojmë të fuqizojmë të ardhmen tonë dhe demokracinë që siguron lirinëöindividuale për të gjithë ne. Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka bërë përparime të madh në ngritjen dhe demokratizim. Prandaj digjitalizimi i procesit zgjedhor do të jetë kyç për këtë progres”, tha ambasadori Rohde, duke qenë i bindur se ditën e dielë Kosova do të ketë zgjedhje pa vështirësi.